(2LONLINE) – Manifestimin kulturor “Flaka e Janarit 2014“, nis të shtunën, duke synuar kështu që përmes vlerave të artit, i konceptuar në katër shtylla kryesore, të nderojë martirët dhe dëshmorët e kombit, të cilët u flijuan nëpër shekuj dhe që pa dyshim janë krenaria jonë kombëtare.
Ky Manifestim do të nis me hapjen simbolike të “Flakës…”, me homazhe në varrezat e Dëshmorëve dhe tek lapidarët në qytet, për të vazhduar në sallën e Kuvendit të Komunës, pritje nga kryetari i Komunës së Gjilanit për familjet e dëshmorëve si dhe më pas me ndezjen e Flakadanit të “Flakës së Janarit 2014”, para Teatrit të Qytetit.
Aktivitetet pastaj nisin me 12 janar kur bahet Akademia e Flakës, “dy jetë një ideal”, me rastin e 30 – vjetorit të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Manifestimi do të vazhdojë me 17 janar me Penelin e Flakës, ku në galerinë e qytetit bëhet hapja e ekspozitës kolektive e arteve pamore dhe shpallja e fituesve në skulpturë, pikturë dhe fotografi.
Ndërsa, që nga 20 e deri më 24 janar do të kemi “Talia e Flakës”. Nga ora 19:00, në Teatrin e Qytetit, do të kemi për pesë ditë me radhë Festivalin e Dramës Shqipe me pjesëmarrjen e trupave teatrore nga të gjitha trojet shqiptare do të shfaqë pesë drama konkurruese.
Me 26 janar do ti vije radha Festivalit të muzikës për fëmijë “Xixat e Flakës”, për të vazhduar me 27 janar me Festivalin e Ansambleve Folklorike – Gjilan. “Folk Flaka” .
Dita e fundit e muajit, 31 janari është rezervuar për “artin Letrar”, ku në sallën e Kuvendit të Komunës mbahet ora e madhe letrare dhe shpallja e rezultateve të konkursit letrar në poezi dhe tregim të shkurtër, për ti hapur rrugë Festivalit të muzikës popullore “ Fest Flaka”, me ç’rast edhe bëhet mbyllja e manifestimit “Flaka e Janarit 2014”. /2lonline/