(2L ONLINE) – Të rinjtë e komuniteteve jo-shumicë nga Komunat e Kamenicës dhe Ranillugut janë takuar me kandidatët e tyre për ulëse në Kuvendin e Kosovës. Takimi është mbajtur sipas formatit Town Hall me ç’rast temë qendrore e diskutimit ishin brengat, shqetësimet dhe perspektiva e të rinjve nga këto anë. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Nisma e të Rinjve për një Komunitet më të Fuqishëm” që financohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë e që jetësohet nga Good Governance Group (3G) dhe OJQ Fortesa.
“Në kuadër të këtij projekti është realizuar një sondazh në terren me qëllim të identifikimit të problemeve më shqetësuese të të rinjve nga komunitetet jo-shumicë në këto dy komuna, rezultatet e të cilit i janë dorëzuar në formë të një raporti kandidatëve të tyre në zgjedhjet e 8 qershorit. Më pas është botuar një broshurë mbi sistemin politik të Kosovës dhe dispozitat pozitive për pjesëmarrjen e komuniteteve. Në fund të projektit janë organizuar dy takime të formatit Town Hall për t’ia mundësuar të rinjve që të diskutojnë nevojat dhe shqetësimet e tyre me kandidatët për Kuvendin e Kosovës”, tha Vjollca Behluli, koordinatore e projektit.
Objektivi parësor i këtij projekti ishte që të inkurajojë përfshirjen e të rinjve në jetën komunitare me qëllim të ndërtimit të kohezionit social dhe qytetarisë në komunitetet e tyre. “Përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë në Kuvendin e Kosovës sot e kësaj dite vuajnë nga legjitimiteti i kufizuar që kanë fituar përmes proceseve zgjedhore si pasojë e daljes së ulët të votuesve të tyre. Ky projekt ka synuar që të rrisë ndërveprimin midis tyre në mënyrë që të rritet edhe numri i votuesve minoritarë në komunat respektive”, shtoi Sali Salihu, ekspert i komunikimit në projekt.
Good Governance Group (3G) është një organizatë e re e përbërë nga 22 profesionistë dhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë nga sfera e qeverisjes së mirë. 3G drejtohet nga një bord drejtues prej shtatë anëtarëve në mesin e të cilëve janë 4 shqiptarë, një serb, një amerikan dhe një bullgare. OJQ Fortesa është një organizatë aktive dhe me përvojë nga Kamenica, e cila në të kaluarën ka realizuar mbi 40 projekte të financuara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare duke adresuar çështje të barazisë gjinore, zhvillimin e kapaciteteve të të rinjve, pjesëmarrjen qytetare, promovimin e të drejtave të njeriut etj. /2L ONLINE/