Ndonëse Policia e Kosovës ka evidentuar shumë shkelje të rënda që kanë ndodhur në shkolla, përfshirë tentim-vrasjet, lëndimet, vjedhjet e rënda, kanosjet dhe ngacmimin seksual, në polici situata e sigurisë nëpër shkolla konsiderohet shumë më e mirë se vitet paraprake. Kështu së paku thotë Brahim Sadriaj, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.
Sipas tij, policia ka një bashkëpunim të mirë me përfaqësuesit e shkollave. Dhe po ashtu, edhe me drejtoritë rajonale të arsimit, me të cilët janë çdoherë në kontakte. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sipas Sadriut, organizojnë dhe mbajnë ligjërata nëpër shkolla për dukuri të ndryshme negative, siç janë drogat,trafikimi me qenie njerëzore dhe tema tjera, shkruan Tribuna.
“Në gjashtëmujorin e parë, është numër i vogël i rasteve, që nxënësit janë zëne në posedim të substancave narkotike në hapësirat jashtë objektit të shkollave. Policia e Kosovës është duke punuar vazhdimisht në parandalimin e rasteve të kësaj natyre. Një qasje më shumë institucionale do të sillte më shumë rezultate, bashkëpunim prind-polici dhe shkollë”. ka theksuar ai.