(2LONLINE) – Të mërkurën në Teatrin e Qyteti të Gjilanit, salla e vogël, do të organizohet BarCamp Gjilan 3. që do të filloj nga ora 18:00. Në edicionin e tretë të Barcamp Gjilan, si dhe në të gjithë BC-të tjerë të nëntorit në Kosovë, diskutohet për “Global Entrepreneurship Week”, javë kjo ku fokusi bie mbi ndërrmarrësitë e të gjithë sektoreve, në të gjithë botën.
Studentët që përfundojnë studimet, grupet e ndryshme rinore që dëshirojnë të ndërmarrin shumë iniciativa dhe kanë mungesë resursesh si dhe të gjitha grupmoshat tjera të cilën kanë shumë ide mirëpo nuk kanë përkrahje, janë të gjithë ndërrmarrës potencial të së ardhmes.
Sikurse edhe në edicionin e kaluar, ekipi ynë organizativ do të ftoj tre folës prej të cilëve do të informohemi me të reja, të dëgjojmë përvoja të ndryshme rreth ndërmarrësisë si dhe të shkëmbejmë copëza të ideve por edhe mësimeve lidhur me ndërmarrësinë si degë e zhvillimit të ekonomisë.
Për më shumë, qytetarët e interesuar të qytetit tonë do të mund të kuptojnë rreth mundësive potenciale që ekzistojnë në rrethanat në të cilat jetojmë, për bërjen e hapave të parë të fillimit të një ndërrmarrësie.
Folëset e edicionit të tretë të BarCamp janë:
Florian Kurteshi dhe Nije Ismaili-Kurteshi janë dy ndërmarrës të rinjë të cilët posedojnë cerdhen private “Hello” në lagjen Bojaninë, një ndër lagjet më të populluara të qytetit. Duke parë mungesën e madhe të cerdheve dhe kopshteve për fëmijë në Gjilan, dy të rinjtë kanë parë nevojën për hapjen e biznesit të tyre, tashmë në rritje. Për te spjeguar suksesin e tyre të mëtutjeshëm si dhe për të ndarë idetë e tyre mbi përmirësimin e kualitetit edukativ që duhet të hasin të parët e qytetit, fëmijët, cifti vjen në “Javën botërore të ndërmarrësisë” – Barcamp Gjilan.
Bardha Agushi dhe Drenusha Hajdini do të flasin rreth pasionit të tyre për punimin e bizhuterive dhe dekoreve. Që të dyja kanë studiuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Bardha për skulpturë e Drenusha Dizajnin Grafik. Në qytetin tonë ato njihen për LOA-gift shop. Fillimisht gjithçka u nis vetëm si hobi, punëdore për veten dhe shoqërinë e afërt, por së shpejti përmes rrjeteve sociale ato filluan të promovojnë punën e tyre e cila deri tani ka rezultuar me hapjen e një dyqani ku punojnë që të dyja. Ato vijnë në “Javën Botërore të Ndërmarrësisë“ – Barcamp Gjilan për të na treguar përvojën e tyre rreth aplikimit të artit në biznes.
Mjellmë Doli është zyrtare e projektit të UNDP-së “Mediat Sociale për fuqizim inovativ lokal” në Gjilan. Ajo ka përfunduar studimet në AUK – Politika Publike dhe Ekonomi dhe ka qenë pjesë e disa organizatave dhe iniciativave interesante për të cilat do të na tregojë gjatë takimit. Ajo do të ndajë me ne përvojën e saj me “crowdsourcing” dhe “crowdfunding”. Mjellma vjen në “Javën Botërore të Ndërmarrësisë“ – Barcamp Gjilan të flas për ndërmarrësinë shoqërore (Social Entrepreneurship) dhe projekte e suksesshme në këtë fushë nga e gjithë bota.
BarCamp Gjilan 3 përkrahet financiarisht nga IPKO foundation dhe
UNDP. /2lonline/