(2LONLINE) – Një prej manifestimeve më të arrira në fushën e kulturës në Kosovë, “Flaka e Janarit”, edhe këtë vit mbajti edicionin e tij të 23-të në qytetin e Gjilanit. Është ky manifestim shumë kulturorë, i cili mbahet në muajin janar të çdo viti kalendarik në mega polisin kulturor të këtij qyteti, i cili ka për qëllim të promovojë vlerat artistike të të gjitha fushave të artit shqiptar. Ajo çka do ta veçojë në këtë shkrim, është vlerësimi kritik i manifestimit të “Flakës…” në veçanti asaj të “Talias …”.
Për pesë ditë rresht, teatri shqiptar tregoi nivelin e tij artistik, dhe kjo jo vetëm nga mikpritja që i bën publiku gjilanas veprave artistike, por dhe pjesëmarrja e aktorëve shqiptarë në këtë kompeticion të “Talias…”.
Dramaturgët e njohur Josif Papagjoni dhe Nebih Islami, kanë bërë çmos që në debatet e organizuara pas shfaqjeve të trupave artistike, të reflektojnë vlerësimet nga ana e kritikëve të artit por pa lënë anash kontributin e dhënë edhe artdashës të “Talias…”. Në të shumtën e rasteve, debatet për shfaqjet ishin muhabet koti. Me përjashtim të dramaturgëve si, Arian Krasniqi, Naser Shatrolli, Shefqet Gjocaj e ndonjë tjetër. Festivali kishte karakter garues dhe në fund të tij juria profesionale ka ndar nëntë çmime.
“Talia…” u përcoll edhe me ligjërata nga profesori Nebi Islami, regjisori Erson Zymberi e dramaturgu Arian Krasniqi, të cilat u mbajtën çdo ditë në mesditë në bufenë e teatrit të Gjilanit. Vlen të ceket se në këto ligjërata kishte debate të nivelit porse në të mungonte pjesëmarrja e njerëzve të artit e që ishte një minus i madh për këtë kategori! Në këto ligjërata, u paraqitën mendime, se “Talia e Flakës”, të ndahet nga pjesa e manifestimit të “Flakës së Janarit”, pasi që, festivali i teatrit do ishte e arsyeshme të mbahet në sezonin pranveror ose vjeshtor, gjë që do të ishin kushte më të mira kohore edhe për artistët në njëren anë dhe për vetë publikun artdashës.
Që prej vitesh po flitet dhe është debatuar edhe gjatë debateve të artistëve dhe dramaturgëve tanë në Gjilan, se duhet të ketë më shumë investime në teatër për të pasur më shumë vepra artistike, duket se përballë kësaj situate jo pak problem është dhe mungesa e një kritike profesionale, e cila duhej të bënte një ndarje të vlerave në veprat apo shfaqjet e ndryshme që vihen në skenën tonë.
Thuajse në të gjitha fushat, arti operohet herë si amator e herë si profesionist, por nuk ka sy dhe penë kritike që të thotë troç për gabimet, apo saktë, që arti të vlerësohet drejtë. Ndërsa për publikun nga festivali i kaluar në festivalin që iku i “Talias…”, vetëm sa prezantohen veprat në skenë, çdo gjë duket se përfundon gjithmonë me “ishte i suksesshëm”, edhe pse shumë herë vlerat artistike vihen jo pak në diskutim. Prej kohësh publiku nuk po gjen asnjë vlerësim kritik profesional mbi shfaqjet, por kjo gjë duket se është problem dhe për regjisorët.
Përballë kësaj situate jemi në një situatë kur kritika në art i është shitur konsumatorit në pazar. Aktorët durojnë çdo gjë, por vetëm kritikën jo në të gjitha sferat e jetës. Ka përpjekje, por janë të paktë, sepse kritikën e specializuar jashtë Kosovës e bëjnë institucione të specializuara, por që i shërbejnë biznesit botëror të artit, pra edhe kritika i është shitur kapitalit monopolist, i cili ndonjë ditë do të blejë çdo gjë që na rrethon. Kritika është punë intelektuale ajo sado e mirë që të jetë e humb pavarësinë dhe shkruan atë që do i forti.
Në Kosovë tradicionalisht mungon kritika. Tek ne kritika hesht dhe bëhet palë e klaneve, e interesave dhe ajo që vihet re është mos pranimi i të rinjve, teatri nuk ecën dot përpara. Harrojnë që rinia është pjesa kryesore e mesit të artë për të dhënë mendimin e frytshëm dhe të qëndrueshëm, sepse vetëm te kjo gjeneratë nuk hezitojnë për ta shprehur haptazi dhe pa rezerva opinionin e tyre. Paradoksale është evenimenti “Festivali i Talias”. Shpesh shoh të njëjtët personalitete, të cilët vishen mirë, ushqehen nëpër hotelet e sponsorizuara nga organizatori dhe në fund të kësaj muhabeti, i ndajnë bashke “çmimet” dhe në kështu u mbyll me suksese festivali…
Mungesa e kritikës sjell një kaos në kuptimin e shfaqjes teatrore, çfarë ajo arrin, është dështim apo sukses, çdo gjë që shohim sot në teatër ngelet në ajër, pa destinacion, pa përkufizim të saktë. Ne si popull jemi skeptik ndaj kritikëve, sepse jemi pak të ndjeshëm, por unë them, që një nga problemet e mëdha të humbjes së identitetit të teatrit në Kosovë, është mungesa e një kritike të vërtetë, profesioniste e cila ngrihet në bazë të normave morale etike dhe artistike.
Jo pak herë është pohuar se sot në Kosovë, ndihet shumë dhe mungesa e një institucioni për kritikë, që do të ndihmonte shumë në fushën e artit. Kritika është e dështuar, sepse sa dijë unë, ne nuk kemi një degë universitare për kritikë. Arti nuk mund të ecë përpara pa kritikë. Ne duhet të jemi realist, që artistët sot janë “halitur” si shumë. Sot ky hendek në art, është krijuar vetëm si pasojë e mungesës së një kritike të mirëfilltë artistike, e cila vë në shënjestër, vlerëson apo kritikon çdo vepër artistike që realizohet.
Fatkeqësia e madhe jo vetëm e teatrit, por edhe e fushave të tjera të artit është se nuk ka një kritikë të mirëfilltë. Emra të mëdhenj të artit kanë nevojë për kritik, sepse njeriu ballafaqon punën përballë një kritiku. Unë shoh që nuk ka trupa artistike në shumë institucione, të cilët duhej me forcë që ta kishin, pasi nuk merren më parasysh kriteret artistike. Fatkeqësia e Teatrit është mungesa e një kritike. Brezi i ri i artistëve në përgjithësi, ka nevojë të dijë sa me vlerë e ka të arirë vepra e tija. Duhet të ketë kritikë për veprat e një artisti dhe jo për jetën e tij private siç ndodh rëndom nëpër revista rozë./2lonline/
/Rexhë HASANI/