( në vend të ngushëllimit, për familjen e tij dhe, miqtë krijues)
Pasditen e 17 tetorit 2013, ditën kur u hap Panairi i Librit në Gjilan dhe po prezentohej libri i Gjergj Gjergjit – Gashit, në sallën e KK të Gjilanit, ai kishte ardhur ndër të parët dhe, ishte ulur në qoshen e djathtë të sallës, në rendin e parë dhe, në ulësen e parë.
E pashë posa hyra. Natyrisht, u ndala dhe e përshëndeta, dashamirësisht, jo vtëm si poet por, edhe si profesor i imi që ishte në një periudhë kohore, sa isha në gjimnaz, kah fundi i viteve shtatëdhjeta…
– Pse nuk më ftove në hapjen e “Vjeshtës letrare të Gjilanit” apo më harrove ? Ishte vërejtja e tij shumë e sinqertë dhe, e arsyeshme.
U ndjeva keq. Madje dhe u skuqa …sepse kisha harruar ta përmbushja një detyrë shumë miqësore por edhe të obligueshme ndaj Tij.
Nuk kisha se si ta gënjeja . Madje as që provova. Thjeshtë e pranova gabimin tim para tij…
– Prof, beso që paskam harruar. Më vie keq, sinqerisht më vie keq…kështu i thashë, sepse edhe ishte kështu. Afër tij rrinte piktori i mirënjohur Jetullah Haliti – Eti.
– Ani, ani s’ ka gjë por, e lexova që e kishit nisur “Vjeshtën…”. Mirë shumë, kur është tash takimi i radhës?
Fare nuk ndihej i hatruar.
Por, mua ende nuk më kishte kaluar skuqja.
– Po, prof, ju nuk keni Fejzbuk…ne rëndom njoftimet i bëjmë përmes këtij rrjeti…po, nuk do të harrojmë më. Qe, me 26 tetor do ta kemi Jusuf Buxhovin, këtu, pikërisht në këtë sallë…do vij të të thërras dhe te banesa… aty ku rëndom shkoja rregullisht dhe e ftoja. Apo dhe, ia jepja botimet më të reja të Ars Clubit “Beqir Musliu”.
– Mirë, mirë, do vij…kur the se është ?
– Hiç mos u brengos, e sigurova. Do vij të të thërras, vetë !
Ai buzëqeshi, ashtu siç buzëqeshte , shumë çiltër dhe, pa një fije hatrimi.
– Po a ke botuar gjë kohëve të fundit ? më pyeti, ma shumë për të më çliruar nga fajësia ime.
Buzëqesha dhe, njëmend u lehtësova.
– Po, prof, i kemi dy botime të reja dhe, do të t’i sjell tek banesa. Dhe, u nisa kah pjesa tjetër e sallës…
Kur po kthehesha kah shtëpia, aty pak minuta para orës 18 -të, pikërisht para banesës së tij, ku nis rruga “Idriz Seferi”, afër Stacionit të Autobusëve, e takova , krejt rastësisht. Po kthehej pas atij Takimi letrar.
Meqë tash, me vete i kisha dhe dy librat e reja, “Zgjoje ëndrrën| të Myrvete Osmanit dhe, librin tim më të ri, “Murale shpirti”, i nxora pa vonesë dhe, ia dhurova me shumë dashuri.
Ai, as që priti për t’ ia nënshkruar. I mori duke premtuar ” do t’i lexoj që sonte”.
– E di prof, e di… shihemi të shtunën që vjen n’ Dymbëdhjetë !
Ai ktheu kah hyrja e tij. Unë se si u ndala, e shikova deri sa hyri brenda, aty në krye të shkallëve të para, ku kthente në të djathtë kah dera e tij, pa më shkuar mendja se, nuk do ta shihja më….
/Sabit Rrustemi/