Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka bërë me dije se pala kosovare ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të bëjë presion tek pala serbe që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut në Bruksel.
Tahiri ka thënë se në takimin e fundit është bërë kërkesë që Serbia ta ndalë zvarritjen e marrëveshjeve dhe t’i përmbushë obligimet e saj sipas afateve kohore të parapara.
“Në takimin e fundit kemi bërë kërkesë që Serbia ta ndalë zvarritjen e marrëveshjeve dhe t’i përmbushë obligimet e saj sipas afateve. Fakti që ka pasur disa afate dhe pala serbe nuk i ka kryer obligimet zbatuese, si kundërpërgjigje ndaj kësaj kemi kërkuar nga BE-ja të angazhohet më shumë që Serbia të mos e zvarrisë zbatimin e marrëveshjes. Kemi kërkuar që pala serbe të jetë serioze dhe t’i përmbush obligimet e saj sipas afateve të parapara, por edhe në mënyrë përmbajtjesore”, ka deklaruar Tahiri për “Epokën e re”.