Qytetarët e Pejës në mënyrë masive kanë manifestuar për Republikën në manifestimin e organizuar nga Opozita e Bashkuar. Ata kanë dëshmuar se nuk do të lejojnë që Kosovës t’i hiqen mbi 8000 hektarë tokë.
Në sheshin kryesor të qytetit. mijëra qytetarë të mbledhur, disa me pankarta e disa me thirrje të ndryshme kanë shprehur vullnetin që flet kundër faljes së tokave Malit të Zi dhe kundër kthimit të Serbisë në Kosovë.
“Të gjithë ata protestues në Gjakovë, Prishtinë e Gjilan e sot këtu në Pejë po i thonë Hashimit e Isës se me popullin nuk luajnë më, dhe se “Zajednica” e Demarkacioni nuk kalojnë”, ka thënë Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri.
Të gjithë folësit kanë theksuar se sa të dëmshme janë marrëveshjet me Serbinë dhe ato me Malin e Zi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj e cilësoi Pejën e Dukagjin si vend të lirisë. “Ne duam që të gjithë qytetarët të jenë të lirë, përfshirë të gjitha komunitetet por nuk do ta lejojnë Serbinë brenda Kosovës”, shtoi ai gjatë fjalës së tij.
Ndërkaq, Jakup Krasniqi nga NISMA tha se qytetarët kanë shumë arsye për t’u mbledhë bashkë në kundërshtim.
“Sot, kemi ardhur në qytetin e Dukagjinit për të kërkuar mbështetje, jo për fatin tonë por për fatin e brezave të ardhshëm. Kemi ardhur që së bashku t’i themi jo “Zajednicës” dhe demarkacionit. Nëse Isa e Hashimi kanë prona për t’i falur, le t’i falin ato por jo pronat e Kosovës”, ka thënë Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën, Jakup Krasniqi.