Shkruan: Nehat Osmani
(2L ONLINE) – Sporti ka karakter shumëdimensional në zhvillimet e përgjithshme ekonomike, politike, atdhetare, njerëzore të një komuniteti a shteti cilido qoftë ai dhe i çfarëdo fuqie qoftë ai. Sporti ka pasur këtë mision përgjatë historisë së vet dhe nga të gjitha anët e globit dhe në periudha të ndryshme historike ka luajtur rol decidiv në gjendjen emocionale dhe shpirtërore të njerëzve dhe popujve. Në historitë më të reja të krijimit të shteteve dhe popujve, sportistët kanë qenë emisarët dhe ambasadorët prominent dhe më reprezentativ të vlerave të popullit të tyre dhe kanë krijuar imazhet pozitive më të fuqishme drejt afirmimit të kombit të tyre. Këto resurse sportive shtetërore kanë pasur ndikimin dhe efektin më të madh sidomos tek shtetet e vogla në krijim dhe shtete të ndryshme sikur Kroacia e disa të tjera kanë ditur që këtë kapital të pakontestueshëm ta shfrytëzojnë në maksimum. Edhe Kosova ka këtë reiting të shtetit të vogël dhe në formim e sipër dhe do duhej shfrytëzuar njëlloj këto vlera dhe këtë kapital. Sportistët e tanë kulminant të shtrirë anekënd ruzullit me paraqitjet e tyre dinjitoze janë duke dhënë kontributin e tyre të jahtëzakonshëm në ngritjen e imazhit të vendit tone dhe thyerjen e shumë tabuve negative të krijuara nga propagandat e orkestruara armiqësore të vendeve armike përgjatë viteve.
Së fundmi kemi dhe përvojat e ndeshjes futbollistike të shtetit tone amë Shqipërisë dhe Serbisë.
Është e pa imagjinueshme emocionet që na dhuruan djelmoshat tanë me paraqitjen e tyre sportive, burrërore, atdhetare. Është e paimagjinueshme sa mburrje, sa fuqi e forcë na dhuruan në një paraqitje sportive ai grup i vogël sportistësh në një arenë aq të madhe, është e pakrahasueshme, e pa matshme sa krenari, sa pasion e ndjenja patriotike na ofruan në një mejdan të hapur sportive.
Është e pa imagjinueshme të krahasohet misioni që patën e na ofruan, është jashtë çdo intelekti patriotik, qëndrimi, guximi, vendosmëria e atyre djemve për të mbrojtur vlerat e një populli që vështirë të mbrohen edhe me fuqinë e barotit e sakrificës, sepse sakrifica vet ishin ata vet.
Këtë mision dhe këtë domethënie, Sporti dhe qasja ndaj sportit do duhej të ishte edhe në nivele më të ulëta komunale. Këtë domethënie të sportit do duhej kuptuar dhe zyrtarët komunal të Gjilanit. Sporti arrin të depërtoj atje ku imagjinata e politikanëve madje as nuk mund të konceptoj, prandaj dhe duhet krijuar hapësirë dhe kushte të rinjve tanë të shprehin dhe kultivojnë afinitetet e tyre, Sporti në të shumtën e rasteve arrin majat atje ku as shtizat më të mprehta nuk gjejnë dot shtegun, prandaj dhe duhet lejuar mundësi, prandaj dhe duhet ndërtuar dhe jo rrënuar, prandaj dhe duhet krijuar dhe jo shuar, prandaj dhe duhet hapur e jo mbyllur.
Dhe këtë porosi do duhej bartur tek institucionet komunale të Gjilanit, dhe këtë porosi do duhej institucionet e Gjilanit ta përvetësonin për të mirën e të rinjve gjilanas, për prosperitetin e sportistëve gjilanas dhe në përgjithësi për mirëqenien e qytetarëve të Gjilanit.
Sporti në Gjilan ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm
Sporti në qytet në përgjithësi ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm. Rrjedhimisht dhe interesimi i qytetarëve për aktivitetet sportive është i zbehtë, amorf dhe i padukshëm, grupet e organizuara të tifozëve “Intelektualët” dhe “Skifterat” të njohur e afirmuar me lojalitetin e tyre sportiv për ngjyrat e klubeve të zemrës e që bazuar në kreativitetin dhe afinitetin organizativ të tyre tejkalojnë përmasat e një organizimi komunal, regjional mbase dhe shtetëror, por që në mungesë të rezultateve dhe organizimit të mirëfilltë të klubeve, sikur janë heshtur, janë dëshpëruar,…
E pasojat janë të shumta dhe të shumëfishta. Arsyet kryesore duhet kërkuar para së gjithash në mos interesimin, neglizhimin e interesave dhe nevojave të klubeve e individëve kulminant si dhe mos mbështetjen institucionale të organeve komunale.
Injorimi i vazhdueshëm përgjatë periudhës post zgjedhore që konsistonte me mos konstituimin e njërave nga drejtoritë kryesore, asaj të Rinisë, Kulturës dhe Sportit që përfshinte pjesën më sublime të popullatës, Rininë dhe hallet e tyre si dhe përfundimisht shuarjen e kësaj drejtorie për t’u shkrirë në njëfarë njësie brenda kabinetit të kryetarit ka rezultuar edhe me efektet negative në Sport dhe mbarëvajtjen e saj. Rrjedhimisht dhe përfaqësimi i sportit gjilanas dhe i rezultateve kulminante të sportistëve gjilanas është në rënie e sipër dhe dukshëm nën nivelin e rezultateve të viteve të mëparshme dhe prestigjit të qytetit.
Para së gjithash interesimi maksimal dhe identifikimi i nevojave të secilit klub veç e veç, të individëve të dalluar në sportet individuale, alokimi adekuat i mjeteve financiare në përputhshmëri me nevojat, kërkesat dhe peshën reale të sporteve adekuate dhe individëve përkatës, vëzhgimi dhe auditimi kontinuel i mjeteve të ndara për kërkesat e parashtruara nga klubet, kontaktet e vazhdueshme me prijësit e klubeve me qëllim të menaxhimit të mirëfilltë të mjeteve komunale si dhe ndikimi permanent që klubet të jenë në duart e sportistëve dhe sportdashësve.
Me shpërndarjen jo adekuate të mjeteve financiare janë krijuar pakënaqësi mes klubeve e sporteve dhe sportistëve
Komuna, përkatësisht drejtoria për sport, në të vërtetë ka bërë atë që nuk është dashur të bëjë. Ka bërë shpërndarjen jo adekuate të mjeteve financiare komunale duke mos patur parasysh fuqinë reale të sporteve, klubeve , sportistëve individual dhe në këtë mënyrë ka krijuar një diskrapancë dhe pakënaqësi mes klubeve dhe sporteve e sportistëve. Nuk ka audituar mjetet e dhëna dhe në këtë mënyrë ka ndodhur që mjetet e alokuara të përdoren për shlyerjen e borxheve të ish donatorëve në periudhat paraprake dhe jo për mbarëvajtjen aktuale të garave, nuk ka investuar në asnjë projekt me rëndësi për sportin në përgjithësi, sportistë të dalluar madje me renome botërore(karate) nuk kanë marrë përkrahjen e duhur, nuk ka zhvilluar madje as një debat me rëndësi për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e sportit në veçanti.
Kryesitë e klubeve janë fajtore deri në masën kur qëllimet e tyre janë afirmative, por kur këto qëllime ngatërrohen me interesa të ngushta personale, atëherë duhet kujdesur drejtorati përkatës (që tanimë nuk ekziston) që në krye të atij klubi apo institucioni sportiv të sjellin njerëz me renome dhe me kapital sportiv e njerëzor. Kjo është arsyeja që KB”Drita” dikur akumuluese e basketbollistëve cilësor edhe nga shtetet e jashtme është në prag të shuarjes, që klubi hendbollistik dikur me renome në vendin tonë dhe krenaria e qytetit tonë , që klubi volejbollistik në konkurrencën e meshkujve gjithashtu është shuar, që shumë talent individual shuhen në krijim e sipër
Padyshim që njëra nga pengesat kryesore që sporti ka sot është mos miratimi i ligjit të sportit, dhe kjo në masë të madhe do të ndihmonte në rregullimin e shumë çështjeve me rëndësi që aktualisht e mundojnë sportin dhe aktivitetet sportive dhe në këtë mënyrë do të ishte një vegël joshëse për sponsorët eventual të cilët në këtë mënyrë do të gjenin interesin e tyre në investimin në sport dhe sportistë dhe do të ishte një satisfakcion material në angazhimin e tyre në sport. Këtu dhe është roli i qeverive komunale dhe më lartë që të insistojnë që sa më parë të aprovohet ligji i sportit, por këtu njëherit (do duhej të ishte) është dhe përgjegjësia e kujdesit të shtuar të drejtorisë së Sportit deri në miratimin e këtij ligji që mbarëvajtja e sportit në përgjithësi në komunën tonë të ecën në kahun e duhur. /2L ONLINE/
Autori është koordinator i neënkomitetit për sport në Vetëvendosje-Gjilan