(2LONLINE) – Sapo lexon këtë përmbledhje poetike, çështja e parë që vlen për t’u diskutuar është titulli i kësaj përmbledhje “ Murale shpirti “. Ngase edhe për nga titulli edhe struktura konsideroj se ka të veçantat e botimeve paraprake të autorit Sabit Rrustemi: E para çështjes është se e skalit vargun me spontanitet krijues, por që në aspektin vëllimor , del se vargu ka thellësi, është i organizuar dhe i lidhur forcërisht me unitetin ambiental dhe kohor, gjë që nuk e margjinalizon diskursin në një trajektore.
Me gjithë larushinë tematike, dëshmon qartë se poeti Rrustemi, konfiguron matricën krijuese, nga këndi ku vargu mund të vrojtohet,gjë që të shton koshiencën e leximit. Konsideroj se Sabit Rrustemi ka hapur një ekspozitë tekstuale që nuk mbyllet në korniza, sepse duke lexuar poezinë e tij para vetës na shfaqen imazhe nga më të ndryshme, andaj ka arritur të shtjelloj dhe të interferohej raportet mes arteve. Këtë rast le të kujtojmë mendimin Plutarku (Plutarchos) në lidhje me poezinë dhe pikturën ku shpreh mendimin se: “Poezia është pikturë e cila flet, kurse piktura poezi pa fjalë
Skalitje e vargut me koloritë reflektues
Përmbledhjen poetike “ Murale shpirti” duke i bërë një vlerësim përgjithësues. Jam munduar të ndalem të veçantat e saj. Konsideroj i tillë stil i të shkruarit mund të jetë i pari në letërsi shqipe, të paktën kjo gjë vlen për dy nocione në këtë përmbledhje grafite dhe gafe, thjeshtë jo si terminologji të pa përdorura në arte të tjera, por jo edhe në poezi, ndaj kjo tregon origjinalitetin e tij, duke rrethuar atë që është në pronësi të tij intelektuale e shpirtërore.
Për të rrethuar dhe finalizuar brenda perimetrit të tij të zgjeruar me plotë një qind poezi me sistem metrik dhe masë vargu të ndryshëm nga njëra – tjetra edhe në vëllim edhe në masë. Intencë e modelimit e kësaj përmbledhje tregon se poeti shfaq njëkohësisht humanizmin dhe rebelimin. Ai në këtë përmbledhje nuk niset nga temat të papërfillshme, niset nga miniatura tematike, dhe shpesh na paraqiten insinuata që vlen për t’i diskutuar edhe përmes filozofisë poetike.
Ai nuk pajtohet asnjëherë me atë që kanë shumë fjalë e pak vepra, nuk pajtohet me ata që keqpërdorin miqësinë, nuk pajtohet asnjëherë me servilizmin, imitimi falsë, thjesht ai depërton përmes vargut te tilla dukuri që natyrshëm për poetin Rrustemi janë thjesht shqetësuese. Mbase mund të shtrohet çështja: A paraqet kronika indikative? Njerëzit që fshihen prapë perdeve me të bërat e tyre, e në realitet dalin ndryshe, ai qartëson se identiteti i tyre doemos do të demaskohet.
Këtë perceptim e paraqet me mjaft mjeshtri, përmes gjuhës alegorike, le të parafrazojmë njërin nga vargjet e poezisë së parë “ Faleminderit mos mirënjohës Nuk të njoha pa u zhveshur vet”… Le të më lejohet të bëjë një digresion te njëra nga lirikat e tij erotike, ku përdor dy figura, natyrisht të njohura për lexuesin shiun dhe rrufenë,por nëse shiu në të shumtën e rasteve përdoret si lot për dhembje, humbje dashurie, këtë rast poeti duket se i jep një karakter tjetër pozitiv unitetit skenik, thjesht një pastrim mëkati, dhe në këtë mes se ç’rol luan figura e vetëtimës, sigurisht depërtimin deri në thellësi shpirti.
Dhe këtë variacion psikologjik e parqet si një shkak aventurier e që gjithsesi din edhe të trazojnë shpirtin e njeriut duke qenë involvuese gjykimet dhe paragjykimet ndonjëherë edhe të padrejta , siç mund të lexohet në vargjet gjë që përdor mjeshtërisht antitezën “Pluhuri mbulon të thënat Vetëm të thënat na trazojnë”…
Përmes narracionit spontan që në fakt sherri vjen nga dikush tjetër dhe këto tabloide janë bërë shembulli më eklatant në keqpërdorimin e asaj që është në pronës shpirtërore të dikujt tjetër dhe të tillë njerëz, pa u skuqur fare përvetësojnë këtë pronësi shpirtërore, dhe ky veprim gjithsesi për poetin është i pa pranueshëm dhe i patolerueshëm më së miri këtë brengë poeti e fikson me mjeshtri në poezinë e 20 përmes vargjeve. “ E zura vjedhësin Me një shportë qershish të vjedhura E u skuqa më shumë se ai Pse nuk e përgëzova “
Shihet qartë se poeti paraqet pikat konvencionale të cilat ndryshe lexohen , ndryshe interpreton dhe ndryshe praktikohen në përditshmëri, e keqja metastazohet edhe më shumë kur njerëz janë aq lojalë, viktima të influencës jomeritore të dy botëve me ekstreme të ndryshme parimore, shembuj të tillë kemi aq shumë edhe në librin e autorit e që konsideroj se është një paraqitje e një guximi qytetar, intelektual e krijues, për t’u përballur me këtë idilikë me të tillë konfigurim të egër.
Shihet qartë se aritmetika e gjuhës poetike të poetit Rrustemi, duhet kalkulohet në dy rrafshe : – Në etikën poetike, jo me qëllim të shitjes së moralizimeve, sepse ato duhet konstruktuar dhe artikuluar vendosmërinë e secilit individ që më pas të transponohen në rreth dhe shoqëri. – Leximi i vargut të tij nuk nënkupton automatikisht, ashtu siç shihet modelimi i jashtëm të tekstit , nëse lexuesi nuk futet në një lexim të vëmendshëm, për ta kuptuar trasenë e vargut nga brenda.
Në vend të përfundimit
Nga e gjithë ajo që shihet se edhe në këtë përmbledhje, poeti nuk është në garë të egos, sepse uni i tij e thotë një të vërtet tjetër, di të ruaj intimitetin, pa deskredituar atë, përdor në artin e tij refleksionin poetik, duke dhënë gjykime të qartësuar e të interpretuar me gjuhë të precizitetit , për t’i thënë gjërat ashtu si duhet të jenë, e jo sipas tekeve, ndaj konsideroj se përmbledhja “Murale shpirti “, ndërton një bazament potencialisht dhe estetikisht që reprodukon , freskon dhe trajton shumë çka nga pak.
/Arsim Halili/