Futbolli i Kosovës sot edhe zyrtarisht thyen barrierat ndërkombëtare.Përfaqësuesja e Kosovës sot në Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’ do të përballet me Haitin, në ndeshjen e parë zyrtar ndërkombëtare. Kosova luan miqësoren e parë nën monitorimin e FIFA-së, sfidë kjo që vlerësohet ndeshje historike.
Stadiumi Olimpik ‘Adem Jashari’, i cili u përuruar dy ditë më parë, e që tashmë ka marre pamjen e një stadiumi evropian, pritet të jetë i stërmbushur nga adhuruesit e futbollit tonë, madje biletat për këtë ndeshje janë shitur vetëm brenda pak orëve.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) bashkë me Kompaninë organizative të kësaj ndeshje AT Evnts, tashmë ka bërë të gjithë përgatitjet e duhura për këtë miqësore, e para e këtij lloji për përfaqësuesen tonë.
Ndërkohë, ka tri ditë që të përfaqësuesja jonë nën drejtimin e Albert Bunjakit është grumbulluar në Hotel ‘Emerald’, derisa Bunjaki me ekipin e tij ka zhvilluar dy seanca stërvitore.
Tekniku i Kosovës, shpreson se përfaqësuesja jonë do të ketë paraqitje të mirë në duel me Haitin e largët.
“Është ndeshja e parë dhe është ndeshje historike në aspektin e thyerjes së izolimit të futbollit. Sigurisht se do të mundohemi të kemi një paraqitje sa më të mirë në këtë ndeshje”, ka thënë Bunajki, transmeton RTK.
Ndërkohë, edhe futbollisti Alban Bunjaku beson se Kosova do të ketë paraqitje të mirë.
“Jemi të emocionuar, sepse luajmë ndeshjen e parë për Kosovën. Do të mundohem të japim më të mirën në këtë ndeshje”, ka theksuar Bunajku.
Miqësorja mes Kosovës dhe Haitit nis në orën 15:00.