Kombëtarja shqiptar në futboll, sonte në Rennes do të luajë miqësore kundër Francës. Kuqezinjtë do të jenë përballë njërës ndër skuadra më të forta në Evropë. Përzgjedhësi Gianni De Biasi në prag të përballjes me ‘gjelat’ ka zhvilluar disa seanca stërvitore dhe tashmë ekipi shqiptar është i gatshëm për sfidën me francezët e Didier Deschamps, të cilët llogaritën favorit në këtë ndeshje.
Megjithatë, në taborin e Kombëtares sonë ekziston një optimizëm i madh për paraqitje të mirë në duel me francezët. Trajneri Gianni De Biasi ka kërkuar nga skuadra e tij të luajë e bashkuar për të fituar sa më shumë në këto dy sfida.
Tekniku italian mendon se në miqësoren kundër Francës dhe asaj të Italisë që luhet katër ditë më vonë në Genoa, të përzgjedhurit e tij duhet të përfitojnë sa më shumë eksperiencë.
“Duhet të fitojmë sa më shumë eksperiencë pasi luajmë ndaj dy skuadrave të forta. Kur luan ndaj ekipeve të këtij niveli ka shumë rëndësi paraqitja. Do të kërkojmë të mos pësojmë gola dhe të shfaqemi në fushë siç kemi bërë ndeshjet e fundit. Kam disa mungesa të rëndësishme si Xhaka e Kaçe prandaj nuk kam marrë një vendim për formacionin”, ka thënë De Biasi.
Ai kërkon nga skuadra e tij maksimumin në duel me Francën dhe Italinë, madje ai e mendon edhe fitoren.
“Në këto dy sfida nuk do të shkojmë për shëtitje. Ne do të kërkojmë të mos humbasim, madje po të na jepet mundësia do të kërkojmë edhe fitore”, theksoi De Biasi.
Ndeshja ndërmjet Francës dhe Shqipërisë nis në orën 20:45dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1.
http://www.rtklive.com/index.php?id=4&r=10291