/2L ONLINE/ – Në kuadër të diskutimeve publike që kanë filluar të mbahen gjatë këtij muaji e që për qëllim kanë planifikimin e buxhetit komunal për vitin 2017, në fshatin Smirë të Vitisë, u mbajt një diskutim i tillë ku banorët u njoftuan rreth procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitin në vijim duke kërkuar nga Smirasit që ata të jenë pjesë e këtij procesi shumë të rëndësishëm. Gjatë këtij takimi Smirasit parashtruan shumë kërkesa për investime në këtë lokalitet si në fushën e infrastrukturës rrugore por prioritet për ta është sigurimin i ujit të pijshëm.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu gjatë diskutimit publik me banorët e Smirës, pasi që i njoftoj ata për qëllimin e këtij diskutimi tha se kjo komunë është e vendosur të bëjë një ndarje sa më të mirë të buxhetit komunal edhe pse tha se nevojat janë më të mëdha se mundësitë.
“Edhe pse me buxhetin komunal për vitin 2017 kemi vetëm 1 milion 739 mijë euro për investime kapitale ne jemi përkushtuar të bëjmë një ndarje sa më të drejtë të buxhetit komunal. E dimë se këto mjete buxhetore janë më të vogla sesa kërkesat në të gjitha lokaliteteve të komunës sonë, por komuna jonë është e vendosur që të bëjë një shpërndarje sa më të drejtë të buxhetit për të gjitha lokalitete”, u shpreh zv. Kryetari Aliu.
E Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim e prezantoj buxhetin komunal për vitin 2017 dhe potencoi se buxheti i përgjithshëm është prej 10 milion e 19 mijë euro, prej të cilave 8 milion e 891 mijë janë grand qeveritar, ndërsa 1 milion e 6 mijë e 695 euro të hyra vetanake.
“Nga buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin 2017, planifikohet që 6 milion e 928 mijë euro të dedikohen për paga dhe mëditje, 953 mijë euro për mallra dhe shërbime, 200 mijë e 862 euro për shërbime komunale, 197 mijë e 712 për subvencione dhe 1 milion e 739 mijë euro për investime kapitale”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se pozitiv është fakti se Vitia vitin e ardhshëm do të ketë buxhet më të madh për investime kapitale.
“Edhe pse kërkesat dhe nevojat janë shumë më të mëdha , megjithatë buxheti I dedikuar për investime kapitale në shumë prej mbi 1 milion e 700 mijë euro do të ndikoi në përmirësimin e infrastrukturës dhe jetës së qytetarëve”, ka thënë Rama.
Ndërkaq, Zijadin Ahmeti anëtari i këshillit të fshatit Smirë i cili edhe kryesoi me këtë takim kërkoj nga banorët që të parashtrojnë kërkesat e tyre për investime. Gjatë këtij takimi smirasit patën kërkesa të shumta por prioritet për ta ishte sigurimi i ujit të pijshëm, e për këtë zv. Kryetari Aliu dhe drejtori Rama thanë se kjo mund të sigurohet se shpejti përmes CDI-së Zvicrane dhe atë jo vetëm për fshatin Smirë por edhe për Vërbanin. /2L ONLINE/