(2L ONLINE) – Duket se trendin e skuadrave të mëdha që kanë dështuar të gjejnë rrugën e fitores këtë vikend e kanë përcjellë edhe skuadrat e Ligës “Agim Ramadani”. Vikendi ishte i mbushur me befasi të këndshme, me ç’rast u dhuroi shumë emocione të pranishmëve në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan.
Ndeshjet e javës së shtatë u hapen me duelin ndërmjet skuadrës Budrika dhe Karadakut, të cilën e fituan nikoqirët me plotë meritë, pas një paraqitje briliante në pjesën e dytë të lojës, megjithëse fillimi i saj nuk ishte fort i këndshëm.
Dueli më interesant i ditës së shtunë u mbyll në barazim. Fatbardhi dhe Katana i ndanë pikët, deri sa zhvilluan një ndeshje dramatike. Gola, kartonë, penalti dhe gjithçka tjetër pati kjo sfidë, megjithëse në fundin e ndeshjes nuk dhuroi një fitues dhe dy skuadrat u detyruan ti ndajnë nga një pikë, përkundër se realizuan nga dy gola.
MobiCasa ka shfaqur formën më të mirë në këtë edicion garash, deri sa ka mposhtur këtë vikend skuadrën e Verbicës. Të ndihmuar edhe nga ardhjet e reja brenda skuadrës, MobiCasa ka shfaqur fytyrën e saj të vërtetë dhe falë këtyre tri pikëve ka filluar ngjitjen në klasifikim, megjithëse ka një malore para vetës.
Skuadra, Malësia ka regjistruar fitoren e parë që nga inkuadrimi në këtë edicion, deri sa ka mposhtur skuadrën Migjeni. Një ndeshje mjaft interesante, me dy skuadrat që kishin mundësinë për të fituar, meqenëse kishin epërsinë në duart e tyre. Por, fundi i ndeshjes i buzëqeshi skuadrës Malësia, që merr pikët e plota nga kjo përballje aspak e lehtë.
Dalia ka shkaktuar befasinë më të këndshme këtë vikend, deri sa ka mposhtur skuadrën e Eksimorit. Në një ndeshje fantastike, dy skuadrat shfaqën gjithçka nga repertuari i tyre, por fitoren më shumë e deshën futbollistët e skuadrës Dalia, duke i shkaktuar kështu humbjen e parë në këtë edicion garash skuadrës Eksimori, që megjithatë vazhdon të mbetet lider i padiskutuar.
Skuadra, FSK ka triumfuar në ndeshjen derbi të ditës së diel, përballë skuadrës, Vëllezërit Aliu. Një ndeshje që vërtetoi epitetin derbi me dy skuadrat që luftuan deri në fund për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Falë konkretizimeve, ndeshjen në fund e fituan djelmoshat e FSK-së, që tani janë ngritur lartë edhe në klasifikim.
Skuadra, SK Arifi është rikthyer në formën më të mirë të saj, deri sa në kuadër të javës së shtatë ka rigjetur sërish rrugën drejt fitores, përballë kundërshtarit Xixa. Më këtë tre pikësh, kjo skuadër fillon menjëherë ngjitjen në tabelë, deri sa për synim ka majat e klasifikimit.
Dobërçani është rikthyer sërish në korsinë e fitoreve, falë triumfit në ndeshjen e fundit të javës ndaj Las Vegas. Megjithëse ndeshjen e nisën keq, në vazhdimin e saj futbollistët e Dobërçanit u mobilizuan dhe konkretizuan çdo mundësi të tyre, për të marrë tre pikët e radhës që i ngritin ata në tabelën e klasifikimit.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/