(2L ONLINE) – Sindikata e Shërbyesve Civil të Kosovës në krye me kryetarin e saj, Mursel Zymberi, për dallim nga Sindikata e Arsimit dhe Shëndetësisë, i ka dhënë afat përfundimtar Qeverisë së Kosovës deri në qershor pikërisht në rishqyrtimin e buxhetit të Kosovës, për realizimin e kërkesave siq janë: zbatimi i kontratës kolektive , fillimin e dialogut social për ngritje të pagave dhe ligjin e pagave.
”Shpresojmë që Qeveria e Kosovës të merr për bazë dhe me seriozitet, kërkesat e shërbyesve civil të Kosovës, kërkesa këto të cilat janë të njohura tashmë. Në mbledhjen e kryesisë dhe të këshillit të përgjithshëm, Sindikata e Shërbyesve Civil të Kosovës, ka vendosur që muaji qershor të jetë afati i fundit për realizimin e këtyre kërkesave”, është shprehur Zymberi.
Ai tutje tha se Shërbyesit civil të Kosovës nuk ju kanë përgjigjur asnjëlloj apeli për grevë, dhe deri më tani nuk kanë mbajtur grevë për shkak të mos realizimit të kërkesave të lartpërmendura. Gjithashtu Zymberi apeloi tek nëpunësit civil të Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave se kinse këta të fundit do të mbajnë ndonjë grevë, por kërkoi që të kenë durim deri në afatin përfundimtar që i është dhënë Qeverisë dhe të mos bien pre e manipulimeve.
”Nuk kemi ndërmend të mbajmë grevë dhe as që kemi mbajtur ndonjë të tillë kohëve të fundit. Kurdo që vendoset për zbatimin e masave sindikale, shërbyesit civil të Kosovës do të jenë të informuar, do të vendoset në këshillat e përgjithshëm dhe kuvendet dhe do të njoftohet opinioni, por kjo nuk është paraparë tani për tani sepse është diçka që nuk i bën vlerë edhe kohës edhe vendit” është shprehur Murseli.
Përderisa Mursel Zymberi kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civil të Kosovës, duke komentuar protestat e fundit dhe grevën 24 orësh të punëtorëve shëndetësor dhe arsimor, ka theksuar se këto veprime kanë qenë të pa nevojshme sepse sipas tij shteti i Kosovës është duke kaluar ne një periudhë të vështirë, dhe pamjet e tilla janë në dëm të vetë imazhit të Kosovës.
/Edona JERLIU/2L ONLINE/