Sindikata e Pavarur e RTK-së ka shprehur shqetësimin për gjetjet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, në të cilin flitet për përkeqësim të gjendjes së lirisë së shprehjes në vendin tonë.
“Sindikata shpreh brengosjen e thellë për konstatimet e Raportit rreth moszgjidhjes së çështjes së pavarësisë financiare të mediumit të vetëm publik si dhe moskompletimit të Bordit të RTK-së”.
Sipas kësaj Sindikate konstatimet se zgjedhja e shumicës së anëtarëve të këtij Bordi, përmes ndikimeve politike, të cilat, siç thuhet në raport, reflektojnë edhe në menaxhment, dëshmojnë për cënimin e pavarësisë së RTK, transmeton indeksonline.
Më tutje kjo sindikatë ka shprehur edhe shqetësimin ndaj kryetarës së AGKP-së, ku Raporti i Progresit i Komisionit Evropian pati gjetur afërsi të saj me politikën dhe biznesin, me ç’rast kjo Sindikatë kërkon edhe shkarkimin e saj.
“Duke marrë parasysh se vlerësimi vie nga një institucion kredibil ndërkombëtar, anëtar i të cilit organizëm synon të jetë edhe vendi ynë, Sindikata e RTK-së, e cila në radhët e veta ka qindra gazetarë, kërkon nga kryetarja e AGPK-së, Liridona Lluka, që të tërhiqet nga posti i kryetares”.
Në këtë mënyrë, do të hapej rruga për një kuvend të ri zgjedhor, i cili do t’ia kthente dinjitetin dhe funksionalitetin këtij institucioni me rëndësi të veçantë për gazetarët.
E kjo sindikatë gjithashtu u bën apel gazetarëve të medieve elektronike dhe atyre te shkruara ,që të dalin në mbështetje të kësaj kërkese.