Për t’i mundur armiqtë tonë shekullor duhet t’i largojmë elementet e këqija në brendinë e trupit dhe mendjes sonë, para së gjithash, në kokat udhëheqëse të kombit tonë, për të pasur një tërësi me vlerë të përgjithshme. Ishte kjo porosi e kahershme e miqve tonë historik.
Shkruan: Sami ARIFI
Kur shkatërrohet e përgjithshmja s’mund të mbrohet vetvetja-s’është as interes i askujt të mbrohet.
“Armiku numër një i shqiptarëve është vetvetja” sepse “Ata (shqiptarët) zihen keq në mes tyre dhe për problemet vetjake, ata i lënë mënjanë problemet e përbashkëta”-thoshte Edith Durham.
Ajo theksonte se: Kundërshtimi që kanë të jashtmit për Shqipërinë e lirë është se shqiptarët janë të përçarë dhe zihen kaq shumë midis tyre, edhe se, me gjithë që e dëshirojnë lirinë e Shqipërisë, nuk e shohin dot si mund të realizohet, edhe në u realizoftë, të huajt shtrojnë pyetje, si mund ta përmbajnë”, kur si lënë çështjet vetjake.
Durham thotë: “Shqiptarët mund të kapërcejnë këtë rrezik po të jenë të gatshëm t’i lënë mënjanë çështjet vetjake dhe fetë dhe të mendojnë vetëm për të mirën e përbashkët kombëtare”.
Ajo thotë se: jam e bindur se fetë e kanë zili njëra-tjetrën nga se fetë janë udhë të ndryshme me anë të së cilës prijësit e tyre shpeshherë përpiqen të arrin gjithë atë vend, prandaj edhe shumë herë mjerimet e kësaj bote janë shkaktuar prej feve thotë ajo-atë që duhet të bëjmë të punojmë të gjithë për njerëzimin, e jo për një parti të veçantë të priftërinjsh, hoxhallarësh dhe për besimet në interesa të tyre.
Mit’hat Frashri thoshte: “Fitorja e kombit shqiptar është e sigurt atëherë kur mbarojmë betejën në mes veti”.
“Për një komb është si për një njeri thoshte: Durham-lipset të lipset të rritet vet si një trup, prandaj këtë punë për atë s’mund ta bëj kush përveçse ata vet”.
Në bazë të këtyre thënieve të dashamirëve dhe miqve historik të kombit shqiptar si dhe të rilindëseve, përfundojmë se, duhet t’i lënë me një anë mendimet e pathemelta dhe dëmprurëse për hir të lirisë së kombit, atëherë shqiptaria do të ketë një të pritme, të ardhshme shumë të madhe.