Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës , organizuan konferencën për media lidhur me arrestimin e të dyshuarve të cilët kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak , përkrahë organizatave të shpallura terroriste (ISIS dhe Al-Nusra) .
Në konferencë të pranishëm ishin prokurori i rastit, Blerim Isufaj; u.d. të prokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha; Sevdije Morina nga Prokuroria Special dhe Baki Kelani nga Policia e Kosovës.
Ata thanë se janë 40 të arrestuar, shumica prej të cilëve ishin pjesëmarrës të luftërave në Siri e Irak, si pjesëtarë të organizatave terroriste al-Nusra dhe ISI, transmeton telegrafiS.
Ata janë përcjell që dy vite dhe se hetimet janë më të gjera dhe do të vazhdojnë në pista tjera dhe tek personat tjerë.
Operacion ishte i gjerë në nivel vendi, ku janë kyçur të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë. Janë realizuar 60 bastisje dhe është konfiskuar sasi e konsiderueshme të provave materiale, armëve të gjata e të shkurta, eksplozivëve, pajisje elektronike, pasaporta etj.
Aksioni është bërë për ruajtje të rendit dhe ligjit, për sigurinë nacionale. Bazë legale për arrestim kishte, për faktin se të arrestuarit ishin pjesëtarë të organizatave që OKB i ka shpallur terroriste.
Aksioni është realizuar pa incidente, pos në dy raste ku familjarët kanë penguar të kryhen procedurat. Ndërkaq, shumica e familjarëve kanë bashkëpunuar dhe e kanë mirëpritur këtë veprim të Policisë. Me këtë rast, Sevdije Morina tha se përpos këtyre të arrestuarve, nën hetime janë edhe disa hoxhallarë.
“Kemi edhe raste të tjera që janë duke u hetuar. Ka edhe imam dhe njerëz të profileve të ndryshme”, ka thënë ajo.