(2L ONLINE) – Me vendim të qeverisë së Kosovës, respektivisht të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është shtyrë afati për aplikim për legalizimin e ndërtimeve në nivel vendi dhe me këtë rast Drejtoria e Urbanizmit në Gjilan, informon të gjithë qytetarët se ky afat është shtyrë deri më 11 qershor 2015.
Me këtë rast drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Gjilan, Valon Shefkiu, ka thënë se afati i cili ishte deri më 5 shkurt për legalizimin e ndërtimeve është shtyrë deri më 11 qershor 2015.
“Informojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit se afati për aplikim për legalizimin e ndërtimeve pa leje nga 5 shkurti është shtyrë deri më 11 qershor 2015. Me këtë rast apeloj te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit, që të shfrytëzojnë këtë afat shtesë për të aplikuar falas për legalizimin e ndërtimeve. Si drejtori për periudhën një mujore sa është bërë ftesë publike për aplikim kemi pranuar numër jashtëzakonisht të madh të aplikacioneve, por vlerësojmë se ka ende ndërtime për të cilat duhet aplikuar për legalizim, sepse kjo është një mundësi shumë e madhe për ta bërë legal ndërtimin i cili është ndërtuar në mënyrë të egër”, ka thënë me këtë rast drejtori Shefkiu.
“Ligjërisht shtëpitë e ndërtuara pa leje, e të cilat nuk aplikojnë për legalizim brenda këtij afati, duhet të rrënohen. Prandaj, apeloj që të gjithë të aplikojnë për legalizim të ndërtimeve”, tha ai ndër të tjerash.
Ndryshe, zyrtarët e kësaj drejtorie janë duke pranuar aplikacione për çdo ditë pune, ku në të njëjtën kohë informojnë qytetarët me informacione të mjaftueshme, lidhur me gjithë procesin e legalizimit dhe kritereve të cilat parashihen me ligj. /2L ONLINE/