/2L ONLINE/ – Mustafa Bajrami, analist dhe njohës i çështjeve të Lindjes së Mesme ka komentuar zhvillimet më të fundit rreth Sirisë, duke thenë se diçka vërtetë e madhe po ngjet në Siri dhe se luftimet në Lindjen e Mesme po marrin përmasa shumë të mëdha.
Sipas tij, komandanti turkmen me prejardhje shqiptare Ahmed Arnauti edhe më tutje është cak i avionëve rus që po bombardojnë veriun e Sirisë. Luftime të përgjakshme janë duke u bërë përgjatë kufirit turko-sirian. “Xhebel Ahmer”, rrafshnalta e Turkemistanit të Sirisë e tëra është nën flakë. Dëshmitarët që po arrijnë të mbijetojnë këtë masakër afër kufirit me Turqinë, po thonë se në çdo dhjetë metra janë duke u hedhur bomba ruse nga ajri, predha të topave të Asadit nga toka, raketa iraniane nga deti, ndërsa shpatat e xhihadistëve janë gjithandej. Deri më tani janë vrarë mbi 2 mijë luftëtarë të Ahmet Arnautit. Ky i fundit, siç dihet, deri më tani ishte ndër më të zëshmit kundër luftëtarëve të ISIS-it dhe Nusra-s.
Bajrami rikujtojë se sot Turqia rrëzoi një avion rus që po manovronte brenda qiellit të kuq të Turqisë dhe pak më vonë u hodh në zjarr edhe një helikopter gjithashtu i Rusisë nga dikush tjetër. Pesë herë Erdogani kishte telefonuar Putinin duke i thënë se Turqia nuk do të lejojë avionët rus të kalojnë kufirin e Turqisë. Në të gjashtën herë armata turke kishte dhënë urdhërin “vur” dhe si pasojë, teksa avioni ishte goditur, dy pilotët me parashutë kishin arrit të mbijetojnë, por jo shumë gjatë: Ata kishin rënë në duart e ushtarëve të ISIS-it, thotë Bajrami.
Siç shton tutje ai, Presidenti i Turqisë dha një deklaratë e cila ishte kryekëput përgjigje “e vonuar” rreth “kamion olayi”. Në fakt, pak muaj më parë policia turke, pa urdhëresë nga lartë kishte ndaluar disa kamionë e që më vonë doli të kishin qenë të mbushur me armë. Atëbotë, “paralelët” siç i quan qeveria turke përkrahësit e Gylenit, kishin bërë bujë të madhe në mediat turke se ishte zbuluar një arsenal armësh që i bartnin kamionët e MIT-it, Shërbimi Sekret i Turqisë. Duke aluduar në atë ngjarje, Erdogan sot tha: “Ju kujtohet ajo tradhti që na bënë? Në fakt, ata kamionë ishin duke dërguar ndihma turkmenëve në Siri. Ç’të keqe ka nëse në ata kamionë kishte armë apo nuk kishte”?
“Diçka vërtetë e madhe po ngjet në Siri. Dy vite më parë kisha botuar një shkrim diku në një gazetë kosovare, atëherë ndoshta rastësisht mund të ja kem qëlluar se nëse fillon luftë në Siri, ajo do të jetë shumë ndryshe nga të gjitha tjerat në Lindjen e Mesme!” ka thënë tutje analisti Bajrami që është edhe doktori i shkencave islame.
Ai shton se NATO, sot me kërkesë të Turqisë u mbledh urgjentisht. Aty u dëgjuan shqetësime nga më të mëdhatë në 50 vjetët e fundit. Nga ana tjetër, poashtu sot Lavrovi anuloi vizitën e paraparë në Turqi, Ban Ki Muni kërkoi qartësime nga Davutoglu, Obama i dha të drejtë mikeshës së Amerikës, Turqisë të mbrojë kufijve e vet, ndërsa mbreti i Jordanisë Abdullahu kishte zgjedhur Prishtinën nga ku do të paralajmëronte se Lufta e Tretë Botërore nuk është shumë larg.
“Luftimet në Lindjen e Mesme po marrin përmasa shumë të mëdha”, përfundon komentin e tij Mustafa Bajrami, analist dhe njohës i çështjeve të Lindjes së Mesme. /2L ONLINE/