(2LONLINE) – Duke e vazhduar traditën e deritashme, Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Gjilan, e ka përmbyllë vitin me shpalljen e fermerëve më të mirë. Manifestimi ‘Fermeri i vitit’, që tashmë është bërë tradicional, ka për qëllim stimulimin e fermerëve për të arriturat e tyre njëvjeçare në fushën e prodhimtarisë bujqësore si dhe për të arriturat në industrinë ushqimore.
Dhjetë fermerë kanë marrë mirënjohje si dhe nga një shpërblim prej 100 euro, të cilin e ka siguruar Pro Credit Bank. Të shpërblyerit janë: Kastriot Fetahu, Verdi Rexhepi, Xhevat Sadiku, Velko Stojanoviq, Ibrahim Rrahimi, Sami Murati, Fadil Berisha, Feta Sadiku, Rexhep Mehmeti e Argton Ramadani.
Nazmi Rapuca, drejtor për Bujqësi tha se bujqësia në Gjilan sot është në një nivel shumë më të avancuar seç ishte më herët. Për këto 6 vite të qeverisjes sonë, ky sektor është ndihmuar me gjithsej 6 milionë euro, duke llogaritur këtu edhe grantet dhe subvencionet e Ministrisë si dhe donacionet e ndryshme.
Rapuca tha se është i vetëdijshëm që nevojat e bujqësisë janë edhe më të mëdha, por këto kanë qenë mundësitë. Për vitin 2014, ndërkaq janë planifikuar 140 mijë euro më shumë mjete në buxhetin komunal për sektorin e bujqësisë.
Kurse Qemajl Mustafa, kryetar në detyrë, i ka inkurajuar fermerët që të vazhdojnë edhe me më përkushtim punën në bujqësi, sepse është sektor që ofron kushte të mira për mirëqenien e familje, për punësim dhe zhvillim të përgjithshëm.
Mustafa tha se në dy mandatet e tij, bujqësia ka qenë njëri ndër tri prioritetet kryesore,
krahas arsimit dh shëndetësisë./2lonline/