Myrvete Osmani: “Zgjoje ëndrrën”, Botoi, SHB. ”Beqir Musliu” 2013, fq. 130.
nga: Nexhat Rexha
(2LONLINE) – Shpalimet e jetës diktojnë jo vetëm dimensione shtegtimesh të mbyllura, por në shumë nivele ato interkomunikojnë me përditshmërinë e kornizuar brenda konceptit kushtimisht të ngujuara në dridhjet e fjetura të muzës poetike. Në vëllimin e dytë poetik “Zgjoje ëndrrën”, Myrvete Osmani vjen me ritmin e të rrahurave të zemrës poetike,ashtu siç e ndjen dhe e shfleton ditarin e ngujuar në thellësinë e shpirtit të saj, jo si fluskë e dallgëve të trazuara, por ajo vjen si shtegtare e shpalosjeve të një bote krejt të hapur e të zgjuar nga amullia e krijuar nëpër stinë e mote të ndryshme.
Në këtë përvijim të ndërtimit të vargut poetik rrjedhin idetë e formuara me konceptin e shfaqjes së diktuar nga përditshmëria e përjetimit. Konceptet e shtruara në këtë vëllim poetik karakterizojnë dy elemente të veçanta, të cilat krijojnë klimën e afrimit të ndjenjave shpresëdhënëse se jeta kërkon e merr atë që ndjen. Kush ndjen më shumë ngrohtësi se shpirtrat e trazuar, kur ata janë në lidhje të përjetshme dhe nuk arrijnë të komunikojnë me ëndrrën e tyre, këtë ëndërr të ruajtur dhe të kultivuar në shpirtin e zjarrtë e shpalos Myrvete Osmani më një dashuri të çiltër e pa hermetizëm, sepse ajo kërkon hapje të uvertyrës së mbyllur.
Çështjet e shtuara në këtë vëllim poetik kanë një emër, një tematikë dhe ajo rrumbullakëson etikën e brendshme të të gjithë atyre që ndjejnë këtë ngrohtësi brenda botës së tyre, ajo vjen bashkë me thirrjet e melodisë së akumuluar nëpër shtresimet e ditëve dhe netëve të pagjumta. Trokitjet e zemrës bartin në vete jo vetëm imagjinatën poetike , por edhe atë reale që prodhon ndjeshmëria e njeriut, e ato ndjeshmëri kërkojnë kompensimin e përjetimit të këtyre trokitjeve gjatë vërshimeve të brendshme kurse, sugjerimet diktojnë në fuqinë e vullnetit në përhapje të fjalës artistike .
Dashuria e shprehur komunikon nëpër të gjitha orët e jetës dhe në këtë mënyrë autorja, atë e sheh në pamje të përjetshme ,duke i dhënë asaj imazhin e realitet ,sepse ajo nuk e preferon terrin e dikurshëm mitologjik , e cila në shumë raste kishte pasoja të pazgjidhshme. Pritjet e natës kërkojnë përkëdheljet e flokut deri në agimin diellor të pushtetit pa lot e dhembje, duke krijuar botën e pakthim të kësaj ëndrre të dergjur në shtratin e mundimshëm. Në poezitë “Letra e fundit”, ”Dëshpërimi i një sirene” dhe “ Më dehen beharet” ,vlimet e dashurisë kërkojnë heqjen e drojtjes, sepse ëndrrat shkrihen nëpër valët ëndërrimtare të netëve pa gjumë. Errësira e dashurisë ndriçohet me ndezjen e xixave e të përhapjes së flakës, me mallin e akumuluar dhe ajo çelet bashkë me aromën emocionale të butësisë së brendshme shpirtërore pa mëkate.
Kërkesat për frymëmarrjen e lirë në këtë botë kanë parashtrimet e ndryshme ,në poezinë e Myrvetes, këto kërkesa vijnë natyrshëm pa imponim dhe ato karakterizojnë thjeshtësinë e brendshme të tyre, sepse natyrshmëria për stinën e bukur të vitit prejudikon edhe gjallërimin shpirtëror që ndjen ajo. Në këto relacione krijohet klima me aromën e blertë dhe sikur ajo bashkon kaltërsinë e detit, në këto shkrirje ngjyrash dominon atmosfera e një trupi të ngirë që vetëm kur bashkohen frymëmarrjet mund të shkrijnë kërkesën magjike , e cila ka depërtuar në thellësi të kësaj ëndrre të pritur.
Mbretëria e kësaj bote kërkon lirinë qiellore mbi tokën e stolisur me lule të dashurisë, kurse malli për të justifikon edhe pritjen, edhe ledhatimin.
Lidhshmëria e poezive determinon akustikën e brendshme për të konkretizuar akuarelin e të gjitha ngjyrimeve , që krijon fuqia e shpirtërore. Nëpër këto relacione vijnë edhe udhëtarët , si në poezitë: “Më jep frymë” dhe “Një çast të vetëm”, që gjithsesi pasioni krijon edhe arritjen e çasteve magjepse.
Të gjitha ngjyrimet e praruara
mbi trupin tim m`i derdh ,si vesë
Më jep pak frymë
pak frymë
pash magjinë tënde
fq. 26
Sikurse në poezinë tjetër kur kërkesat dominojnë mbi arsyen dhe mesazhi qartëson qëllimin e vendosjes së kësaj shfaqje parimore, për të arritur dialogimin e korrektësisë me fjalën e veprën e transmetuar për shumëkend, si në këto vargje:
Të varfrit më të pasur do ishin
më të vetmen mbretëri
që rron nga dashuria
fq. 29.
Duke lexuar me kujdes këtë libër të lirikave konkrete ,atëherë vetvetiu kuptojmë se Myrvetja me guxim ka shprehur e shpalosur ndjenjës dominuese te njeriut në përgjithësi, sepse i tërë libri tejkalon dialogimin e pakontestueshëm për të arritur në zbardhjen e ëndrrës së bukur në jetën e jetuar. Mbarështrimi ka korrektësinë tematike, kurse idetë e autores japin identitetin autentik në këto lirika të qarta, e të artikulura rrjedhshëm me natyrshmërinë skofiare, të dala nga bota e një femre poete, sepse vargu i saj në tërë këtë kompleksitet vjen rrjedhshëm dhe pa ngarkesa në harmonizimin e renditjen figurave artistike, të cilat japin sajimin e deshifrimit të dëshiruar.
Në tërësinë e librit “Zgjoje ëndrrën” motivi dominues është ai erotik, por nëpër faqet e librit autorja ka shprehur edhe poezi tjera , të cilat afrojnë dashurinë e kujtimit dhe të mesazhit për vendlindjen, dashurinë e nënës për të ruajtur këtë tokë me porosinë e testamentit për të gjitha kohët, si në poezitë:”Mall” ( Për vendlindjen time Smrekovnicën), dhe “ Lutja e shenjtë”.
Në poezinë e parë, autorja i ka ruajtur kujtimet fëmijërisë, të cilat frymojnë me ecjet e saj në jetë, sepse aty dhe atëherë ka ndjerë aromën e shtëpisë aromën prindore, aromën me shijen e ushqimeve tradicionale të përgatitura nga duart e praruara të nënës, kështu vendlindja me gjumin e ëndrrën mbeten nyje të pandryshueshme në botën e saj ( të njeriut). Ndërkaq, në poezinë e dytë me këtë tematikë autorja Myrvete Orsmani ka ripërsëritur deri në kupë të qiellit mbrojtjen e kësaj lirie në pakthim të përjetshëm,sepse e kaluara e këtij vendi ka ruajtur trishtimin më të dhunshëm nga barbarët. Toka Dardane e ka për obligim t`i ruajë jo vetëm të gjallët por edhe të vdekurit e varret e kësaj toke.
Poezitë e këtij vëllimi kanë shtrirje tematike të mëvetësishme ,brenda një rrethi tematik, që gjithsesi depërtues në të gjitha transmetimet e ndjeshme, për të fiksuar shprehjen e lirë dhe imagjinatën funksionale ,që vjen si rezultat i lindur në krijimin e opusit letrar të saj.
Libri “Zgjoje ëndrrën “, i Myrvete Osmanit ka një shtrirje në shtatë cikle ,të cilat kanë afërsinë si dhe dallimin e tyre në gjasimin e veshur poetik, për të konkretizuar e funksionalizuar të përgjithshmen në idealen e ëndërruar. Kështu, aroma e vargut të saj shpalos edhe te lexuesi ndjenjën e pa thënë, atë që ndjen njeriu në të gjitha hapësirat kudo që ndodhet ai.
Vepra ka përmbajtje të qartësuar dhe komunikon me të gjitha shtresat e lexuesit shlirshëm, me një kompozim të pranueshëm, si dhe arrin efektet pozitive në të gjitha momentet kur ajo lexohet. Kuptohet, niveli i vargut të saj artistik specifikon dhe karakterizon identitetin autentik të brendisë së shprehur në tërësinë e vargjeve të saj, duke dhënë vargun origjinal dhe të qëndrueshëm për tematikën e shtruar në këto lirika me plot gjallëri. /2lonline/