Qeveria e Kosovës nuk e ka hequr taksën për sigurimin e automjeteve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që hyjnë në Kosovë.
Ajo vetëm i ka liruar qytetarët e tri komunave të Kosovës Lindore nga pagesa e kësaj takse, duke e marrë përsipër kompensimin e saj tek kompanitë e sigurimit të automjeteve.
Çështjen e kompensimit të taksës e ka konfirmuar vetë kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë, e cila është mbajtur të premten. “Unë kam shqyrtuar kërkesën e kreut të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë kërkesa edhe të qytetarëve atje, për heqjen e taksave për veturat në vendkalimet kufitare për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kur hyjnë në territorin e Kosovës. Këtë kompensim do ta bëjë Qeveria e Kosovës dhe ministria e Financave duhet të angazhohet që ta implementojë këtë vendim”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.
Por kjo deklaratë nuk është në harmoni me atë që e ka dhënë para dy ditësh në takimin me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, shkruan Tribuna.