Nënkryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka kërkuar nga Qeveria të ketë koordinim me institucionet ndërkombëtare të sigurisë në mënyrë që të sigurohen rendi dhe ligji në veri.
“Një prej gabimeve të kësaj Qeverie që ka sjellë pasoja në veri është mosbashkëpunimi i duhur me institucionet ndërkombëtare, sidomos me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, në veçanti me KFOR-in”, ka thënë Selimi, duke shtuar se kanë kërkuar disa herë që Qeveria ta ndërrojë qasjen për veriun, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Kemi kërkuar disa herë që Qeveria ta ndërrojë qasjen për veriun, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. Tashmë jemi në një fazë tjetër ku para se të kërkojmë nga Qeveria ta ndërrojë qasjen për veriun, ne duhet të kërkojmë që Qeveria të ndërrojë si e tillë”, ka thënë Selimi në intervistën për “Epokën e re”.
Ai ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve në veri është një prej detyrave të Kosovës për ta futur nën sovranitetin e saj veriun por, sipas tij, nuk është zgjidhja e vetme.
“Për të futur nën sovranitet veriun do të duhej të aplikoheshin të gjitha detyrat e Republikës së Kosovës dhe mbajtja e zgjedhjeve është njëra prej këtyre detyrave. Por, prapëseprapë mendoj se Kosova ka shans të bëjë zgjedhje dhe zgjidhje, mirëpo zgjidhja nuk vjen vetëm nga këto zgjedhje”, ka deklaruar Selimi.