Arbnor Sherifi nga Cërnica e Gjilanit tash e gati 11 vjet vuan nga sëmundja e epilepsisë. Madje, aq vjet, edhe ka, ky vogëlush. Babai i tij Samiu ka thënë se trajtim adekuat mjekësor për Arbnorin mund të bëhet vetëm jashtë vendit, diku në Francë, apo gjetiu. Ai pohon se kështu i kanë thënë mjekët e këtushëm duke theksuar se pa 10 mijë auro, as që mund të merret me mend ky trajtim.
”Të kota ishin dhe vazhdojnë të jenë angazhimet e mija, që të siguroj mjete të nevojshme, për trajtime mjekësore të Arbnorit. Jetojmë në varfëri. Në një shtëpi ku rëndojnë e ngufasin lagështia e myku. Mandej me Arbnorin kështu të sëmurë nga epilepsia, e tash e më tepër së dy vjet, edhe me bashkëshorten po ashtu të sëmurë, e cila ka telashe me tensionin e lartë të gjakut dhe reumen.
Më vlon koka nga hallet, dhe s’di që nuk po më lë mendja ?!… Por, vërtetë i fortë qenka njeriu përballë vështirësive që mund të i sjellin valet e jetës! “. – Kështu nisë me rrëfimin e tij të dhimbshëm Samiu, duke shfaqur shpresën për një të ardhme më të mirë të kësaj familje. ” Vërtetë nuk po di kah t’ia mbajë, e çfarë të bëjë ?! Thonë se dikuj i humbë rruga në oborr, kurse mua me ka humbur brenda pragut të shtëpisë ! “, thotë ai, duke shfaqur në fytyrë e sy pamje të pazakonshme. Janë zhbiruese fjalët e tij. fjalë që shpërthejnë nga thellësia e shpirtit të një prindi të shqetësuar, e me brenga, si ky.
Fjalë që depërtojnë gjithashtu në thellësinë shpirtërore të atyre që dëgjojnë rrëfimet e këtij njeriu hallemadh. “ Arbnori tashmë gati se ka hyrë në vitin e 11 të jetës dhe nuk mundet as të flas, e as të udhëhiqet vetë! – Madje, në këtë moshë, dhe i mbërthyer në pampersa!- E, ne këndej në skamje, e pa kurfarë burimi për jetesë! – Tash për tash i gëzojmë vetëm ndihmat prej 98 eurosh, nga MSHMS-le, e të cilat nuk mjaftojnë as për barna. E, nganjëherë na ndihmojnë edhe miqtë. Dhe po të mos ishin ata, vërtetë mos vetë për ne ! Ata kuptojnë dhe e ndjejnë gjendjen reale, por dhe na ndihmojnë herë pas here.”, rrëfen Samiu.
Dhe për një çast fshanë nga thellësia e shpirtit. -Mbase për të marrë njëfarë force të mbrendshme, sa për të vazhduar tutje rrëfimin. “ Vështirë qenka të jesh prind e kryefamiljar, dhe të jetosh me një mal hallësh! -Këndej dy të sëmurë, andej varfëria deri në fyt ! – Të gjitha po i përballojmë disi, përveç dhimbjës dhe brengës për djalin-Arbnorin. “ Vuajmë kështu përditë kah e shohim të sëmurë, dhe s’ kemi kah ia mbajm “.
Ai i lutet Zotit të i ndihmojë, dhe vazhdon tutje me rrëfimin e tij të dhimbshëm për hallet dhe brengat e jetës. “ Ne vazhdojmë të shpresojmë, por dhe besojmë se ka njërëz bemirës e humanist, andaj presim me durim, por të lodhur nga pritja. Po presim me shpresën dhe besimin se do të dalë dikush që do e hapë zemrën për të ndihmuar Arbnorin.”, thotë Samiu. Mandej kujton vitet kur kishte punuar, por në shpejtësi sikur e rrëmbejnë dallgët e jetës së tashpërtashme, dhe e kthejn aty, ku ka bregnat dhe hallet, me të cilat kacafytet orë e qast.”Dikur ishim pakëz me mirë ekonomikisht, sepse punoja në në një therrtore, por tash jemi bërë për lëmoshë! – Tash e shtatë vjetë pa punë, dhe në varfëri. Sorollatem si shumë të tjerë andej-këndej për të gjetur edhe punë, por punë s’ka për mua.
Madje, edhe po të kishte, e kam vështirë, sepse kam edhe vitet e jetës. Nuk janë pak 48 vjetë, dhe me vuajtje të vazhdueshme ! Po prishin punën edhe vitet, për të ardhur deri te punësimi. Në këtë moshë s’të merr kush, kur janë të rinjtë, dhe ka plotë të tillë, që ngarendin për të gjetur punë. Ata kanë energji rinore dhe forcën fizike që ua mundëson mosha. Madje, edhe ata vështirë gjejnë punë ! – Për të mos thënë hiç, të pakët janë ata, që neve na llogarisin për punë.”, thotë ky njeri me halle jetësore.
Mandej rrëfimet e tij për peripetitë e jetës, shkëputen edhe njëherë, nga një ofshamë e thellë, sinonim i zvenitjës së durimit të tij. Samiu ankohet edhe për shëndetin e tij, duke thënë se dita-ditës vazhdon të përkeqësohet edhe shendeti i tij. ” As vetë, nuk po ndihem mirë me shëndet. Por, kam harruar vetën, në këto halle. Edhe gruan, poashtu të sëmurë, por edhe s’kamjën, në këtë s’kamje ! – “ Të bëhet mirë për Arbnorin. Kjo është esenciale dhe rëndësishme për neve, si prind e kryefamiljar. Pra, të dal dikush, e të na ndihmojë me mjete të nevojshme për trajtim e tij mjeksor, sepse problemet tjera jetësore kapërcehen disi.”.
Me këto fjalë, përfundon rrëfimi i tij, por jo edhe vuajtjet e krajatat që i kanë sjellur dallgët e jetës. Dhe pas këtij rrëfimi, mbetet me shpresën dhe besimin se dikush do të kuptojë e ndjejë hallet e kësaj familje. Me shpresën dhe besimin se do të solidarizohen nga ndonjë njeri bëmirës e me bujari. Se një ditë, edhe për fëmiun e tij Arbnorin do të buzëqesh fati i jëtës, për të qenë i lumtur dhe i gëzuar sikurse të gjithë femijët tjerë.( Sami Sherifi, prind i Arbnorit, për njerëzit e vullnetit të mirë ofron numrin e tij të xhirollogarisë bankare: 1302271100515366,-Banka për Biznes ).