Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku, bashkë me përfaqësues të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës priti sot në takim znj. Andrea Dunne-Sosa, drejtoreshë e operacioneve vullnetare në organizatën “Project Hope” dhe Menaxherin regjional dhe Koordinatorin e programit të kësaj organizate për Maqedoni, z. Vlatko Uzevski dhe Angel Jordanovski.
Gjatë këtij takimi, zëvendësministri Sadiku ka falënderuar Projektin Hope për ndihmën që i ka dhënë shëndetësisë kosovare si në dhurimin e barnave, pajisjeve dhe materialit shpenzuese, ashtu edhe për angazhimin e vullnetarëve të kësaj organizate që të ndihmojnë institucionet shëndetësore publike me kontributin e tyre të drejtpërdrejt në klinikat ku ata janë angazhuar.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë është e gatshme që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje në fushën e ndihmës përmes vullnetarëve, ndërkohë që përfaqësuesve të “Project Hope” për Maqedoni u ka shprehur ngushëllime për viktimat e shkaktuara si pasojë e motit të lig dhe vërshimeve të fundjavës që shkoi në Maqedoni.
Znj, Andrea Dunne-Sosa, drejtoreshë e operacioneve vullnetare në organizatën “Projec Hope”, tha se është e lumtur që është në Kosovë e Maqedoni për të parë nga afër zhvillimin e programit të vullnetarëve të “Project Hope”, nevojat për ndihmë dhe bashkëpunimin e mëtejmë.
Përmes këtij bashkëpunimi, theksoi ajo, mund të adresohen disa prej sfidave që ka sektori shëndetësor.
Pas takimit në MSh, delegacioni i “Project Hope” do të vizitojë gjatë ditës Klinikën e Pediatrisë, Gjinekologjisë, Neonatologjisë dhe të Onkologjisë në QKUK, ku do të njihet për së afërmi me eksperiencat e deritanishme të bashkëpunimit në fushën e vullnetarizmit dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë.