(2LONLINE) – Në orën e madhe letrare të Flakadanit të Karadakut, morën pjesë poet, shkrimtar e krijues jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia e Presheva. u paraqitën 32 poetë dhe krijues me poezitë e tyre, ndërsa juria profesionale e përbërë nga Hyqmet Hasko, Lumnije Thaqi dhe Ismajl Baftjari, përzgjodhën si poezinë më të mirë atë të Ruzhdi Kqikut “Ju flas nga varri”, për vendin e dytë vlerësuan poezin kushtuar Vaqe Zelës nga Besnik Meta dhe për vendin e tret Jonuz Fetahaj me poezinë “Harta e lotit”.Ndërsa u dha edhe çmimi special që ju nda poetit nga Presheva Demush Berisha për poezinë Masakra në Karadak.
Një vlerësim për poezitë dhe në përgjithësi orën e sivjetme letrare, e dha anëtari i jurisë Hyqmet Hasko i cili tha se për 3 vitet e pjesëmarrjes së tij në orën letrare të Flakadanit, vërehet një ngritje e cilësisë si në prurjen e poetëve po ashtu edhe në organizimin tejet të mirë të kësaj ngjarje.
“Të gjithë poetët sollën poezitë nga më të bukurat, sollën atdheun e tyre, shpirtin, sollën nga një copë tokë nga ato vende prej nga vijnë. Këtë aktivitet e vlerësoj lartë, jo vetëm për shpirtin e madh që ka ky qytet, por nga fakti se arti duhet të mbijetoj dhe këtë po e kultivon një manifestim kulturor siç është Flakadani I Karadakut”, u shpreh Hasko.
Në kuadër të orës letrare, pjesa e dytë iu kushtua promovimit të librit me autor Kristal Baftjari si një nga autorët më të vegjël në Ballkan pasi ka arritur të botoj libër në moshën 7 vjeçare.
Ndryshe, Drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport në Viti Kaltrina Sylejmani, u shpreh se ardhja e krijuesve dhe poetëve nga mbarë hapësirat shqiptare, po nderon veprën dhe përkon idealin e komandant Mjekrrës, idealit për bashkimin e trojeve shqiptare, gjë që po e dëshmon se ne jemi të bashkuar përmes pendës, shkrimeve e krijimeve.
Sylejmani ka folur edhe për rëndësinë e gjithë manifestimit Flakadani i Karadakut 2014 dhe njëherit ka theksuar përkushtimin e institucioneve komunale për mbarëvajtjen e këtij Manifestimi.
Organizatorët e Manifestimit Flakadani i Karadakut, kanë ndarë mirënjohje për të gjithë poetët dhe krijuesit pjesëmarrës të kësaj ngjarje kulturore. Mirënjohjet dhe çmimet i ndanë kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kaltrina Sylejmani dhe vajza e dëshmorit Njazi Azemi-Komandant Mjekra Kosovare Azemi. /2lonline/