Gjilani në vitin 1902 kishte statusin administrativ të rrethit (kazasë) në përbërje të sanxhakut të Prishtinës, që hynte në njësinë territoriale dhe administrative të Vilajetit të Kosovës në kuadër të Perandorisë Osmane.
Nga: Fitim RIFATI
Sipas një dokumenti austro-hungarez të datës 22 janar 1916 mbi statistikën e popullsisë së Vilajetit të Kosovës të vitit 1902, e titulluar “Mbi kufijtë e Shqipërisë (veçanërisht me Bullgarinë)”, që i shërbeu Perandorisë së Austro-Hungarisë në fillim të vitit 1916, në përpjekjet e saj për të realizuar praktikisht synimet për një Shqipëri të shtrirë në kufijtë etnik shqiptar, edhe viset lindore të lumit Morava parashihej të përfshiheshin në kuadër të këtij shteti.
Alfred Rappaport (1868-1946), diplomat austro-hungarez dhe njohës i mirë i çështjes dhe trojeve shqiptare, me rastin e kontestit të vijës së kufirit administrativ me Mbretërinë e Bullgarisë, që në fund të vitit 1915 dhe në fillim të vitit 1916 përplaste shtetin austro-hungarez dhe atë bullgar në territore të ish-Vilajetit të Kosovës, shtroi një Projektligj me shënimet e tij mbi statistikën e popullsisë së krahinave të këtij territori. Në këtë Projektligj, Rappaport veç tjerash paraqiti të dhëna interesante demografike edhe për rrethin e Gjilanit, të cilat në përgjithësi i japin këtij territori një fizionomi etnike shqiptare.
Tabela statistikore mbi gjendjen demografike të rrethit të Gjilanit në vitin 1902, sipas dokumentit austro-hungarez, e ndante popullsinë e kazasë së Gjilanit në këtë mënyrë:
Kazaja e Gjilanit: 30.695 shqiptarë myslimanë dhe 415 shqiptarë katolikë, 18.206 serbë, 1.378 serbokroatë katolikë, 4.000 arixhij.
Kazaja e Gjilanit për nga numri i popullsisë, pas kazasë së Prishtinës ishte kazaja më e madhe e sanxhakut të Prishtinës. Sipas këtyre të dhënave statistikore austro-hungareze të vitit 1902, kazaja e Gjilanit kishte një popullsi të përgjithshme prej 54.694 frymësh. Pas kazave të Tregut të Ri (Novi Pazarit), Prishtinës dhe Vushtrrisë, kazaja e Gjilanit përbëhej nga 191 fshatra, numerikisht më shumë se sa kazatë e Mitrovicës dhe Preshevës.
Përbërja etnike e popullsisë së Gjilanit dominohej nga shqiptarët si elementi kryesor dhe më i madh i kazasë, pastaj renditej elementi serb e kështu me radhë.
Popullsia e përgjithshme e kazasë së Gjilanit sipas përkatësisë fetare ndahej në myslimanë (krejtësisht me etni shqiptare) dhe të krishterë (me etni shqiptare të ritit katolik, me etni serbe të ritit ortodoks dhe etni kroate të ritit katolik).
Vlen të theksohet se këto të dhëna demografike, me nuanca të vogla numerike, etnike dhe fetare, pothuajse përputhen me të gjitha regjistrimet osmane dhe të proveniencave të tjera mbi popullsinë e Vilajetit të Kosovës, të realizuara në vitet 1902-1904.
Megjithëkëtë, duhet tërhequr vëmendjen tek elementi serb numerikisht në masë, që është paraqitur në këtë statistikë demografike. Sipas Augusto Stanierit, konsull italian në Shkup, nga fillimi i shek. XX ishin shtuar presionet e shtetit serb për t’i obliguar ortodoksët e Vilajetit të Kosovës që të deklaroheshin “serbë”, që nënkupton se dyshimet janë të hapura mbi autenticitetin e kësaj statistike rreth përkatësisë etnike të elementit ortodoks në Gjilan e viset përreth.
Për sa më sipër, statistika austro-hungareze për popullsinë e Gjilanit dhe rrethinës më 1902, ofron të dhëna interesante dhe me vlera shkencore historike, gjeografike (demografike) e kulturore (fetare). Këto të dhëna shërbejnë për të hulumtuar, analizuar, krahasuar e studiuar më thellësisht fenomenet dhe ndryshimet shoqërore, kulturore e demografike të popullsisë së Gjilanit e të Kosovës përgjatë shekullit XX.