(2L ONLINE) – Drejtues të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Gjilan, thanë se janë të kënaqur me ecurinë e deritanishme të aplikimit të qytetarëve gjilanas për t’i regjistruar objektet pa leje me qëllim të legalizimit të tyre.
Valon Shefkiu drejtor i kësaj Drejtorie ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se deri më sot janë afër 6 mijë qytetarë që ju kanë përgjigjur pozitivisht ftesës për të ardhë në këtë drejtori dhe për të aplikuar për regjistrimin e objektit të tyre pa leje me qëllim të legalizimit.
Shefkiu tha se krejt stafi I kësaj drejtorie është i angazhuar në këtë proces, andaj ka apeluar edhe tek qytetarë të tjerë që nuk e kanë ndërmarrë ende një veprim të tillë, të vijnë në këtë drejtori dhe të aplikojnë për legalizim të ndërtimeve pa leje, ngase procedura e aplikimit për regjistrim të atij ndërtimi pa leje që e ka qytetari, është pa pagesë dhe e lehtë duke u kryer për fare pak minuta, derisa fazat tjera do të vijnë më vonë, ka thënë ai.
Shefkiu shtoi se zyrtarët e kësaj drejtorie që e udhëheqë ai janë në shërbim të qytetarëve për të ofruar informata të mjaftueshme lidhur me procedurat e aplikimit dhe procesin e legalizimit në përgjithësi.
Përndryshe, ditë më parë edhe kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kishte apeluar tek të gjithë qytetarët që të aplikojnë për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në Drejtorinë Komunale të Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, pasi që kjo është një mundësi dhe lehtësim në të njëjtën kohë, për ta bërë legal ndërtimin që ka ndodhur deri më tani në Gjilan.
“Apeloj te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit, që të aplikojnë në drejtorinë e Urbanizmit për legalizimin e ndërtimeve. Kjo është një mundësi shumë e madhe që u ofrohet qytetarëve tanë në kuadër të kampanjës për legalizim të ndërtimeve në nivel vendi. Është procedurë shumë e thjeshtë dhe e shpejt. Mjafton që të paraqiteni në zyrat e kësaj drejtorie dhe për më pak se 5 minuta mund të aplikohet falas për legalizim të ndërtimit”, kishte thënë Haziri.
Ndryshe, ky proces ka nisur nga fillimi i janarit dhe përfundon më 5 shkurt sa i përket aplikimit për legalizim, ndërsa gjatë të ardhmes qytetarët, po ashtu, do të njoftohen edhe me hapat tjerë që duhet të ndërmarrin në këtë drejtim. /2L ONLINE/