Rotary Klubi “Prishtina International”, do ta organizojë një koncert humanitar për mbledhjen e fondeve për luftimin e analfabetizmit në Kosovë.
Ky koncert do të mbahet më 13 nëntor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku do të marrin pjesë shumë zëra të njohur të muzikës shqiptare nën përcjelljen e orkestrës Big Bend të Radio Televizionit të Kosovës.
Burimet e mbledhjes së fondeve për këtë kauzë humanitare janë të shumta, duke filluar nga shitja e biletave për koncert, donacionet direkte në llogarinë bankare dhe donacionet me SMS.
Partner kryesor i këtij klubi, në organizimin e këtij koncerti humanitar është Radiotelevizioni i Kosovës, i cili ka kontribuar me përkrahje profesionale teknike e artistike, promocion dhe transmetim të drejtpërdrejtë televiziv të këtij evenimenti.
Sipas disa të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë, pra që nuk dijnë fare shkrim lexim. Në mesin e personave analfabetë, numrin më të madh e përbëjnë femrat e trevave rurale, të cilat për arsye të shumta, kryesisht të natyrës financiare, kanë braktisur shkollimin e tyre.
Ky fakt shqetësues, i cili e vendosë Kosovën në vendin e parë në Evropë për analfabetizëm, ka motivuar Rotarianët që të përmes aktiviteteve të tyre vullnetare të ndihmojnë këtë kategori të kosovarëve, tash e sa kohë.
Organizator i këtij koncerti, Rotary Klubi “Prishtina International”, ka anëtarësi të përzier, vendor dhe ndërkombëtar, të cilët janë të angazhuar në misione të ndryshme diplomatike dhe të tjera në Kosovë.
Bileta për këtë koncert kushton 15 Euro dhe të gjithë ata që janë të interesuar për të qenë pjesë e koncertit jdhe të japin kontributin e tyre për grumbullimin e fondeve për shkollimin e rinisë kosovare, luten që të kontaktojnë në numrin e telefonit 044 112 533.
Ata që nuk kanë mundësi të kontribuojnë përmes blerjës së biletës , mund kontribuojnë edhe përmes donacioneve të drejtpërdrejta në llogarinë bankare të Rotary Klubit “Prishtina International” në Procredit Bank 1110000397000130. Secili cent që mblidhet nga ky koncert humanitar do të mundësojë shkollimin e një të riu më shumë në Kosovë.
Vlen të ceket fakti, se ky dhe të gjitha aktivitetet tjera të rotarianëve në Kosovë por edhe në mbarë botën, bëhen ekskluzivisht në baza vullnetare dhe se ata nuk paguhen asgjë për angazhimet e tyre në Rotari. Demokracia është e suksesshme vetëm deri në atë shkallë, në të cilën janë të edukuar votuesit. Ata të rinj që nuk kanë mundësi që të shkollohen, ata ose nuk votojnë fare ose nuk votojnë me mençuri. Për më shumë, fëmijët e pashkolluar janë caku kryesor i promovuesve të urrejtjes dhe ekstremizmit.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=7963