Gjilan – (2LONLINE) – Lëvizja Republikane, një subjekt i themeluar kohë më parë në Gjilan dhe e cila mori pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendin Komunal të Gjilanit, bazuar në rezultatet preliminare.
Me këtë rezultat të tyre, thonë se janë të kënaqur ndërsa lideri i republikanëve gjilanas Selver Xhelili ka bërë me dije se janë shtuar apetitet e kësaj Lëvizjeje dhe se po punohet që Republikanët të shtrihen me struktura në tërë Kosovës.
Xhelili i ka thënë Portalit 2lonline, se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të tre nëntorit, ata nuk ka ndejtur duarkryq por po punojnë për tu përgatitur që të themelojnë Degët në tërë komunat e Republikës së Kosovës, për t’u bërë gati për zgjedhjet nacionale, nga të cilat, siç shprehet Xhelili, presin po ashtu të befasojnë për të mirë dhe të jenë, pse jo, pjesë edhe e Parlamentit të ardhshëm të Kosovës.
E, për dallim prej subjekteve tjera, Selver Xhelili, ka bërë me dije se ky formacion do ta ketë liderin nga Anamorava, sepse kjo është edhe kërkesë e qytetarëve. Xhelili ka bërë me dije se qytetarë të shumtë kanë filluar ta frekuentojnë selinë e Lëvizjes Republikane në Gjilan për t’u interesuar për këtë ide, për të rrugëtuar së bashku drejt nivelit qendrorë, për të mundësuar shtrirjen edhe në tërë Kosovës me qëllim që të jenë shumë shpejtë edhe pjesë e institucioneve qendrore, si në Qeverinë e ardhshme dhe Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se qytetarët do t’i besojnë dhe do ta mundësojnë këtë edhe me votë dhënë për republikanët. “Ka ardhur koha që Anamorava të jetë zëri më i fuqishëm përmes republikaneve në qeverinë e ardhshme”, ka thënë Selver Xhelili kryetar i Lëvizjes Republikane në Gjilan. /2lonline/