Komuna e Gjilanit po vazhdon me shkelje ligjore dhe me mos respektim të procedurave administrative, e ku në këtë rast ka të bëjë me kryetarin e komunës së Gjilanit z.Lutfi Haziri, i cili edhe pse është i obliguar, ai nuk po respekton Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Shërbyesit Civil dhe vendimin e Kuvendit Komunal nr.01. Nr.7293 të datës 18.06.2010, që ka të bëjë me ruajtjen e vendeve të punës për shërbyesit civil, të cilët emërohen në poste politike.
Shkruan: Riad RASHITI
(2LONLINE) – Politizimi i skajshëm në institucionet komunale të Gjilanit, po drejtohet nga vet kryetari i komunës z.Haziri, i cili nuk zgjedh formë për të diskriminuar dhe larguar nga vendet e tyre të punës, drejtorë, menaxher, shefa të sektorëve, zyrtarë dhe shërbyes civil të komunës së Gjilanit, vetëm pse i përkasin një subjekti tjetër politik.
Është joligjore, joprocedurale dhe joprofesionale që vetëm përmes një njoftimi me shkrim nga zyra e kryetarit të Gjilanit, të largohen nga vendet e tyre të rregullta të punës shërbyesit civil. Në çdo institucion është obligative respektimi i procedurave ligjore, ku janë të caktuara kushtet dhe kriteret se kur një shërbyes civil me arsyeshmëri të bazuar edhe mund të largohet nga vendi i tij i punës. Dhe kjo asnjëherë nuk lejohet dhe nuk mund të bëhet përmes njoftimit, por merret vendim i bazuar për një veprim të tillë.
Kryetari i Komunës Lutfi Haziri, përmes njoftimit nga zyra e tij dhe pa asnjë procedurë tjetër ligjore, ka larguar nga vendi i tyre i rregullt i punës shërbyesit civil, të cilët për një kohë ishin të emëruar në poste politike, duke filluar nga Këshilltarja Komunale znj.Xhyzide Ismajli, ndërsa më parë ishte shërbyese civile në administratën e Kuvendit Komunal, poashtu Gani Nezirin ishte zyrtar në Kadastër, Bahrije Mahmuti zyrtare në Urbanizëm, Nuhi Nuhiun zyrtar në Financa, Veton Nevzadi zyrtar për integrime, Bujar Nevzadi në sektorin e Arsimit. Të gjithë këta janë pranuar me konkurse në vendet e tyre të punës, disa që nga pas lufta e këndej kanë punuar në vendet e tyre të punës.
Pas largimit nga vendi i tyre i punës, ata kanë bërë ankesë sipas afatit ligjor në Komisionin Komunal për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave, disave të cilëve edhe iu është kthyer përgjigja pozitive për tu kthyer në vendet e tyre të punës brenda 15 ditëve nga shqyrtimi i ankesave dhe marrja e vendimit të këtij komisioni.
Por çka ndodhë pastaj? Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri në vend që të respektoj dhe të implementojë vendimin dhe rekomandimet e komisionit, të cilin komision vet ai i ka besuar dhe e ka zgjedhur me mandat dy vjeçar, ai merr masa ndaj këtij komisioni, ku prapë me një vendim të pabazuar shkarkon të gjithë anëtarëve e posa emëruar në këtë komision nga ana e tij. Kjo është njëra nga dëshmitë se vërtet kryetari i komunës e ka politizuar skajshmërisht komunën, duke mos zgjedhur mjete dhe forma për të larguar nga vendi i tyre i punës zyrtarë dhe shërbyes civil.
Ndërsa ndërkohë kryetari i komunës z.Haziri, është arsyetuar se ka marr nga MAPL-ja, përgjigje lidhur me këtë rast, ku kjo ministri ka dhënë konstatimin e saj se Kuvendi Komunal i Gjilanit nuk ka mandate ligjor të nxjerr vendime për ruajtjen e vendeve të punës së drejtorëve të drejtorive që janë pjesë e administrates komunale si dhe për nënpunësit civil të administrates komunale që njëherit janë zgjedhur anëtarë të Kuvendit Komunal.
Kjo përgjigje nga MAPL-ja nuk qëndron e saktë, sepse në kohën e marrjes së vendimit nga ana e Kuvendit Komunal më date 18.06.2010, kjo ministri e cila monitoron çdo vendim dhe akt të miratuar të KK nuk ka dhënë asnjë vërejtje me kohë lidhur me vendimin e miratuar në fjalë dhe në raportin e saj të monitorimit për vitin 2010 nuk ka paraqitur dhe nuk ka dhënë asnjë vërejtje.
Po ashtu në të njëjtin vit më 13 maj 2010 është miratuar nga Kuvendi i Kosovës ligji nr.03/L-149 për shërbimin civil dhe në të cilin theksohet në nenin 83, se kur një marrëdhënie e punës në shërbimin civil mund të pezullohet, ndërpritet dhe të përfundojë, po ashtu në nenin 89, qartësohet fare mirë se kur mund të bëhet pezullimi i dakorduar i marrëdhënies së punës në Shërbimin Civil dhe në pikën 2, të këtij neni thuhet se: Pas mbarimit të kushtit të pezullimit të dakorduar, nëpunësi civil ruan të drejtën e kthimit në pozitën e mëparshme ose në një pozitë ekuivalente.
Pra kryetari Haziri, nuk ka respektuar ligjin e lartëcekur dhe nuk ka respektuar as vendimin e Kuvendit Komunal, që edhe vet këshilltarët e LDK-së e kanë votuar, por ky tani nuk e zbaton.
Duhet të dijë z.Haziri, se me ardhjen e PDK-së në qeverisjen lokale të saj nuk kanë ndodhur këso raste por edhe gjatë tërë dy mandateve të qeverisjes. Drejtorët e drejtorive të atëhershëm të LDK-së nuk janë larguar nga vendi i punës nga PDK, por i ka sistematizuar ata, sikurse Agim Salihun, Fitnete Mjakun, Agim Mustafën e të tjerë. Po ashtu duhet të dijë z.Haziri se edhe për ish-kryetarin e ndjerë të komunës Xhemajl Hyseni, Kuvendi Komunal ka marrur vendime për të mbështetur familjen e tij. Asnjë drejtor i shkollave që kanë qenë të LDK-së, nuk kanë mbetur pa vendet e tyre të punës, po ashtu edhe në shëndetësi e sektorët tjerë.
Masa tjera të pabazuara nga ana e kryetarit Haziri, janë marrur edhe ndaj menaxherit të zyrës së projekteve Fadil Osmanit dhe menaxherit të zyrës së prokurimit Hamdi Ismajlit, të cilët pa asnjë arsyeshmëri dhe pa asnjë procedurë janë larguar nga pozitat e tyre udhëheqëse.
Ndërsa në pozita udhëheqëse dhe për shefa të sektorëve kryetari Lutfi Haziri ka emëruar “kuadro” të LDK-së me shkollë të mesme, sikurse në Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave, në zyren e tij një shef për financa po ashtu kuadër me shkollë të mesme, ku edhe te Inkubatori i Biznesit ka vepruar njësoj. Kjo është politika e kuadrove udhëheqëse të kësaj qeverisje komunale në Gjilan.
Po ashtu janë larguar nga muaji shkurt disa dhjetëra punëtorë tjerë administrativ dhe profesional të dobishëm, nëpër sektorë të rëndësishëm të komunës, të cilët ishin të angazhuar me kohë të përkohshme, e që kryetari Haziri i quante staf i tepruar, ndërsa në anën tjetër pas largimit të tyre ai ka marr në punë aktivistë të LDK-së në punë pa asnjë procedurë të konkursit.
Këto veprime dhe shkelje ligjore të kryetarit Haziri janë papërgjegjësi totale e tij, për të cilat e informojmë publikun se kemi angazhuar avokatët tanë dhe të gjitha këto raste tanimë janë proceduar në Gjykatën Themelore të Gjilanit, ku ne besojmë dhe presim vendime të drejta nga kjo gjykatë, në mënyrë që të lartëcekurit të kthehen në vendet e tyre të punës, të cilat edhe ende janë të lira aktualisht./2lonline/
autori është anëtar i Kuvendit Komunal në Gjilan nga radhët e PDK-së