Dr. sc. Faik Shkodra
Një sprovë me vlerësime kritike për poezinë në faqet e një libri
“Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe” është libri më i ri i Sinan Sadikut, njërit prej poetëve e studiuesve të brezit më të ri të krijimtarisë artistike – posaçërisht të vlerave të poezisë së sotme shqipe.
Konstatime të reja rreth rendit të vlerave të poezisë së sotme
Dihet se krijimtarinë artistike letrare – posaçërisht poezinë, e shoqërojnë shumë ligjshmëri, të cilat bëhen pjesë konstitutive të procesit krijues letrar, në përgjithësi, ndërsa të poezisë, në veçanti. Autori i librit gjatë vëzhgimit që u bën teksteve të kritikëve të poezisë bashkëkohore shqipe dhe autorëve të antologjive të punimeve mbi poezinë e sotme ka dëshmuar se, me gjithë faktin se kjo temë është e vështirë për të shfaqur gjykime, vlerësime dhe konstatime të qëndrueshme, me vetë kulturën, dijen, interesimin, zellin, horizontin e njohurive e përkushtimin që ka për poezinë e poetëve të brezave të poezisë shqipe, ka arritur që nëpër faqet e librit dhe kapitujve të tij t’i kapë disa nga çështjet më thelbësore që kanë mëtuar kritikët t’i paraqesin nëpër librat e antologjitë, që objekt trajtimi kanë pasur poezinë e poetëve sipas fazave të krijimtarisë letrare. Sinani tërë materialin e pasur e të grumbulluar me vite e ka vëzhguar me syçeltësi, duke dëshmuar ndjeshmëri, shije dhe arsye të shëndoshë. Në të shumtën e konstatimeve e vlerësimeve të kritikëve e studiuesve të poezisë bashkëkohore shqiptare është treguar i matur, i paanshëm, duke u bërë pjesë e pandarë në formimin artistik dhe estetik të poetëve të brezave që i bën objekt të vëzhgimit e të mendimit kritik në përgjithësi.
Në librin e Sinanit janë përvijuar aspektet e shumta të botës poetike të poetëve, të vlimeve shpirtërore të tyre, të vëllimeve artistike të tyre dhe, siç do t’i quanim poezitë, si zëra e ngjyra që paraqesin individualitetet e tyre dhe nga një këndvështrim realist i vlerave dhe jovlerave të analizuara nga kritikët, nxjerr konstatime të reja rreth rendit të vlerave të poezisë së sotme. Nga faqja në faqe shihet qëndrimi kritik dhe shija e autorit, që, sipas përshtypjeve dhe vlerave që bartin poezitë, sjell informacione të bollshme për rrugët që kanë ndjekur poetët dhe në gjithë shtrirjen e librit mban në fokus rendin e vlerave, mban atë besimin për ta thënë vetëm të vërtetën dhe këtë të vërtetë e shfaq kudo në libër. Sinani mbështet, përkrah dhe e fuqizon të vërtetën me të dhëna relevante dhe kjo e vërtetë vjen nga një vizion i gjerë që autori ka për botën e poezisë.
Sinani nuk vjen i shpejtuar në vlerësime dhe me përgatitje, durim e intuitë ka kuptuar se në tekstet e kritikëve letrarë ka vlerësime subjektive, tendencioze, vlerësime të bazuara në simpati e miqësi, në interes e klane dhe këto gjëra të manifestuara në vlerësimin e rendit të vlerave sikur ia kanë kujtuar fjalën e urtë se “Çdo gjë që ndrin, nuk është ar”.
Poezia shqipe, sipas të dhënave, ka një traditë deri diku të zhvilluar. Veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore e këndej, për lexuesin shqiptar erdhën vëllime nga disa breza poetësh dhe ka qenë e ndjeshme. Se çfarë vëllimesh janë shkruar në vitet ’60, ’70 dhe ‘80 madje edhe ‘90 e tutje të shekullit XX, në mënyrë më konkrete këtë problem e ka spikatur Sinani në librin Rendi vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe. Libri nis me një hyrje, për të vazhduar me kapitujt: Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore, Poezia shqiptare e tri dekadave të fundit dhe Sprova kritike me gjithsej 285 faqe.
Dallime në përcaktimin e tipave të poezisë dhe në vlerësimin e poetëve
Në kapitullin e parë bën fjalë për vlerësimet e Ibrahim Rugovës bërë poezisë shqipe në librat: Strategjia e kuptimit (1980), Refuzimi estetik (1987) dhe në antologjinë Lulet në Ballkan (1982) dhe vazhdon me interpretimet që i bëjnë studiuesit e kritikët e tjerë poezisë së sotme shqipe, si Agim Vinca në librin monografik Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe 1945-1980, botuar më 1985, Orët e poezisë (1990), antologjitë: Libri i hapur (2005) dhe Muza e mëmëdheut (2012), Ali Aliu – Antologjia e poezisë shqipe (2000), Bashkim Kuçuku, Antologji e poezisë shqipe bashkëkohore (2008), Ali Podrimja – Libri që nuk mbyllet (1997), libër ky me vështrime, ese dhe kritikë letrare, antologjitë e përpiluara nga ai Dritaren lëre hapur (2002), E frikshme dhe e bukur (2003) dhe Një gur i çarë (2005), Ferdinand Laholli – Antologji e poezisë moderne shqipe (2003), Robert Elsie – Histori e letërsisë shqiptare (1997) etj.
Sinan Sadiku, duke vlerësuar e duke shkruar për librat e këtyre studiuesve arrin të shohë e të vërtetojë dallime të mëdha që studiuesit kanë mes vete për sa u përket vlerësimeve që i bëjnë poezisë dhe autorëve të vëllimeve. Sinani gjatë leximit të librave e antologjive të autorëve të sipërpërmendur sheh dallime në përcaktimin e tipave të poezisë shqipe në Kosovë, sheh dallime në vlerësimin e poetëve. Rugova dallon tre tipa të poezive (afirmative, subjektive dhe objektive). Vinca, në aspektin shkencor, historiko-letrar dhe tipologjik, poezinë e ndan sipas etapave. Në etapën e parë i merr poetët nga Lufta e Dytë Botërore e deri në vitet ’60 dhe këtë etapë, sipas tipologjisë, e emërton poezia e patosit kolektiv, në etapën e dytë i merr poetët që krijimtarinë poetike e nisin nga vitet ‘60 me tipin e poezisë së realizmit lirik – ndërsa poezinë e poetëve kosovarë e emërton si poezi e lirizmit subjektiv. Kjo poezi vazhdon deri në fillim të viteve ‘70 dhe më pastaj vjen poezia e simbolit kontekstual – poezia me prirje moderne dhe avangarde.
Këta dy studiues, sipas shijeve, prirjeve dhe përgatitjeve që i kanë, i përmendin edhe poetët për secilin tip – poetë që përfaqësojnë tipin e poezisë dhe etapën që e përfaqësojnë.
Gjatë leximit të librit të Sinanit kuptojmë mendimet dhe kulturën që ka për poezinë e sotme shqipe. Këto mendime lidhen me veprat e botuara të poetëve sipas viteve dhe gjeneratave.
Shihet se Sinani ka veçuar sipas vlerave të vëllimeve poetike duke marrë si kriter parësor arritjet e poetëve për të hyrë në botën e njerëzve dhe në atë botë t’i prekin dhe t’i manifestojnë ndjeshëm situatat dhe përmes vargut poetik t’i artikulojnë problemet më komplekse të realitetit jetësor, shoqëror dhe historik. Me të dhëna konkrete Sinani bën përpjekje të dukshme ta thotë pa hezitim e pa pompozitet të vërtetën për vëllimet dhe autorët e mirë, më të mirë dhe shumë më të mirë. Këto pikëpamje autori i thekson me gjykime, vlerësime e konstatime të përqendruara e të mbështetura në format poetike, në temat, në motivet dhe në ngjarjet historike e ato mitike.
Në rastet më të mira, Sinani i përligj vlerësimet e dhëna dhe mospajtimet që vijnë nga vlerësimet dhe rendi që studiuesit e librave të përmendur i kanë dhënë për krijuesit e brezave sipas fazave nëpër të cilat kanë zhvilluar procesin e krijimtarisë letrare.
Është e vërtetë se midis kritikëve e studiuesve të poezisë bashkëkohore vërehen qëndrime, rrugë dhe qasje të ndryshme – disa prej të cilëve shkojnë aq larg, saqë, pa ndonjë fakt konkret, bëjnë mbivlerësime të disa poetëve, në një anë, dhe nënvleftësojnë krijues që shquhen me potencial të madh në transponimin e jetës e të realitetit në botën e poezisë, në anën tjetër. Duket se Rugova e ka të ashtuquajturin qark të krijuesve të vet, për të cilët edhe shkruan në mënyrë afirmative e në të vërtetë në mesin e tyre mund të gjesh mjaft emra që në vëllimet poetike më shumë kanë sjellë sasi sesa cilësi.
Konstatime arbitrare, subjektive e tendencioze të disa studiuesve të poezisë
Shprehim mendimin se studiuesi më serioz, studiuesi që tash për tash është njohësi më i mirë i poezisë së traditës dhe poezisë së sotme shqipe në tërë hapësirën gjeografike shqiptare është Agim Vinca. Në studimet e tij mund të lexosh vetëm vlerësime sintetike, koncize, vlerësime me të dhëna të bollshme mbi vlerat ideore, estetike, stilistike, gjuhësore etj. Vinca vlerësimet e poezisë i bën me kritere shkencore dhe poezinë nuk e konsideron vetëm fakt poetik, por poezinë e konsideron si vlerë që me përmbajtjen, me idenë, me të menduarit refleksiv e me eliptizmin, me formën, me mjeshtërinë e ndërtimit të rrëmben dhe të bën për vete. Agimi arrin t’i hetojë në poezi mendimet e gjymtuara, të paqarta, të hetojë skematizmin, klishetë dhe vrojtimin që jo rrallë te disa poetë mbetet në sipërfaqe dhe në këtë mënyrë të tillët krijues në vëllimet e tyre nuk sjellin ndonjë pasuri në vlerat poetike, në mjetet e shprehjes, në mënyrën e përthyerjes së fenomeneve të jetës në prizmin poetik. Këto dukuri, që manifestohen në poezinë bashkëkohore, Agim Vinca i ka vëzhguar me vëmendje dhe për vlerat ose jovlerat jep mendimin e tij profesional dhe do të thoshim me kompetencë.
Në këtë aspekt Sinan Sadiku është ithtar dhe përkrahës i atyre kritikëve e studiuesve që e thonë të vërtetën për vlerat e poezisë dhe i mbështet të tillët, që pa subjektivizëm dhe ndonjë interes tezat dhe gjykimet i mbështesin në ato vëllime poetike – poezitë e të cilave shquhen për sinteza në pasqyrimin e jetës, duke u siguruar poezive kapacitet të thelluar të mendimeve mbi jetën, realitetin dhe rrjedhat shoqërore në kohë dhe hapësirë.
Agim Vinca, ndryshe nga studiuesit që Sinani i ka zënë ngoje në librin e tij, gjatë studimit bërë poezisë së sotme kërkon që poetët të jenë të përgjegjshëm edhe në përdorimin e figuracionit të pasur e origjinal, sepse, sipas tij, del se përdorimi i figurave stilistike shton vlerat e poezisë dhe këto vlera kontribuojnë për origjinalitet, qartësi, natyrshmëri, forcë shprehëse dhe, siç është thënë nga mendimtarët e mëdhenj: “Për të krijuar një poezi të vërtetë, nuk mjafton vetëm të dish, por mbi të gjitha të gjykosh për atë që do të thuash, sepse ndjenjat që shpreh poezia, idetë që ajo sjell, janë pjesë e botëkuptimit dhe përkatësisë shoqërore të autorit.”
Në interpretimet dhe vlerësimet për rendin e vlerave të poezisë bashkëkohore shqipe bërë nga Ali Aliu, Sabri Hamiti, Ali Podrimja, Bashkim Kuçuku, Ismail Syla, Xhemal Ahmeti, Ferdinand Laholli, Robert Elsie etj., lexuesi i vëmendshëm, e sidomos studiuesi që ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë zhvillimin e poezisë dhe procesin krijues të poetëve mund të gjejë dobësi e kontradikta të shumta rreth konstatimeve dhe qëndrimeve të shprehura për brezat dhe rendin e vlerave që u përcaktojnë në librat e tyre. Në këtë kontekst, me të drejtë Sinani shpreh mospajtime sidomos për disa poetë që poezisë sonë i kanë dhuruar vëllime cilësore nga shumë rrafshe. Ndoshta këta studiues nuk janë lëshuar në problemin e mprehtë të raportit midis krijuesit e lexuesit. Për më tepër, ata kanë harruar ta respektojnë të vërtetën se ky raport duhet të jetë i sinqertë, po edhe më i sinqertë e më objektiv duhet të jetë studiuesi që merr në trajtim e zbërthim poezinë e këtij a atij poeti, pa marrë parasysh se cilit brez a cilës shkollë i përket. Nga Spenseri kuptojmë se as poeti s’e ka publikun e vet, por as publiku s’e ka poetin e vet. Disa nga studiuesit e poezisë dhe rendit të përcaktuar të vlerave kanë nxjerrë konstatime arbitrare, subjektive, tendencioze, konstatime që s’kanë farë baze teorike dhe shkencore.
Ali Aliu është studiues tradicional dhe nuk ka kapacitet për të gjykuar drejt, arsyeshëm dhe pa paragjykime. Ai, siç dëshmon realiteti, i takon një klani konservator, të cilit i shërben në mënyrën më skandaloze. Duke i pasur parasysh këto të dhëna, del se ai nuk është kurrfarë eksperti për të dhënë studime që do të mbeten koherente.
Gati si Ali Aliu është edhe Sabri Hamiti, i cili prej Aliut dallon se ka një dije më të gjerë për çështje të letërsisë. Mirëpo, te Sabriu të gjithë librat, qofshin tekste për shkollat e mesme, qofshin studime, janë përplot shkarje e gabime në përcaktimin e vlerave dhe të kapjes së problemeve bosht të artit dhe të botës poetike të poezisë. Nisur nga këto të vërteta që vijnë nga veprat e tij, theksojmë pa rezervë se mendimet, idetë, vlerësimet dhe konstatimet e tij janë shembull i mirë dhe i freskët se si nuk duhet gjykuar dhe analizuar poezia e cilitdo poet qoftë. Se Sabriu nuk ka përgatitje për të vlerësuar poezinë, kjo do të mund të shihet nga vlerësimi i dhënë nga Nehas Spoaj: “Ai për poezinë e krijuar nga Lufta e Dytë Botërore e deri kah vitet ’80 do të thotë se ka qenë një kohë kur poezia nuk ishte për ne vetëm kulturë, por në radhë të parë, ishte kult. Por unë do të kisha thënë se asokohe kult ishte e tërë letërsia, e cila u shndërrua në shtyllën kryesore mbi të cilën mbështetej identiteti gjuhësor e kombëtar i shqiptarëve që padrejtësisht mbetën pa u përfshirë brenda kufijve të shtetit kombëtar”. Emri i tij dhe i Ali Aliut në kritikën letrare do të mbeten emra pa perspektivë dhe mbase të harruar nga brezat e ardhshëm, breza që do të jenë shumë më të pagatitur në pikëpamje të dijes nga teoria, estetika dhe kritika letrare. Po shprehemi kështu, ngase Dritëro Agolli, liriku më i mirë, ka thënë se “pa e njohur teorinë, nuk mund të analizosh fenomenet letrare e artistike dhe nuk mund të bësh përgjithësime”.
Ekstremet nuk çojnë askund – përveç në gjykime e vlerësime pa farë përgjegjësie
Ismail Syla, në trajtimin që i bën poezisë së sotme, ka kaluar në një ekstrem të pashpjegueshëm. Nuk mund t’i eliminosh dhe t’i fshish nga harta e krijimtarisë letrare emrat e poetëve të viteve ’60, ’70 e t’u thurësh ode e t’u ngresh përmendore vetëm poetëve të viteve ’80.
Është e palejueshme të thuhet për disa poetë, që janë emra emblematikë në letërsinë e sotme, se kanë qenë në shërbim të politikës ditore.
Këto ekstreme nuk çojnë askund – përveç në gjykime e vlerësime të dhëna pa farë përgjegjësie e arsyeje. D. Mehmeti, A. Shkreli, A. Podrimja, Rr. Dedaj, E. Gjerqeku, B. Musliu, M. Ramadani, T. Dervishi, E. Basha dhe S. Hamiti nuk kanë qenë instrument i politikës ditore, siç vlerëson Ismaili. Për të qenë e keqja më e madhe, Syla këta të fundit i merr si përfaqësues të “Shantazhimit estetik”. Këtyre pikëpamjeve në mënyrën më shkencore do t’u përgjigjet edhe njëherë Sopaj, i cili, duke u marrë me qëndrimet antagoniste të kritikës letrare për veprën e Beqir Musliut, e cila në fillim nuk ishte e përgatitur dhe e gatshme ta pranonte një frymë të re, të ndryshme nga soc-realizmi, një shprehje të re, të cilën e ofronte Beqir Musliu, frymë kjo e cila e vinte gjuhën shqipe para një sprove të re dhe i ofronte shtigje të reja fjalës sonë shqipe, por më vonë u pa dhe u pranua se kemi të bëjmë me një fenomen të parëndomtë që u shfaq në letërsinë shqipe, fenomen i quajtur Beqir Musliu.
Konsiderojmë se për lexuesit shqiptarë janë me interes të gjitha vëllimet dhe autorët e tyre. Pavarësisht nga ndonjë e metë, nuk na bën nder që ndaj poetëve të të gjithë brezave të mbajmë rezerva dhe t’i diskualifikojmë nga sofra e madhe e poezisë shqipe.
Në kapitullin Poezia shqiptare e tri dekadave të fundit Sinani sjell ide, gjykime dhe vlerësime për krijuesit e këtyre viteve. Shkruan për tendencat e reja të pasqyrimit të jetës e të realitetit pas viteve 1966 duke sjellë emra këngëtarësh e poetësh, të cilët me veprimtarinë e tyre të pasur u kundërvihen tendencave asimiluese duke sjellë një frymë të fortë kombëtare. Në këtë kapitull zihen në gojë disa poetë, si E. Mekuli, L. Berisha, E. Gjerqeku, të cilët në kontekst të kohës kanë luajtur një rol të veçantë në emancipimin dhe zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit dhe asaj pjese të vogël të intelektualëve e studentëve.
Sinani më të dhëna objektive ka elaboruar vlimet shpirtërore e mendore të rinisë studentore dhe të mbarë popullit shqiptar gjatë viteve ‘81 dhe ‘90.
Në vepër vend të rëndësishëm zë trajtesa: Poezia e dy dekadave të fundit – dekadat e viteve ’80 dhe ’90. Autori hedh dritë mbi vështirësitë e botimeve të vëllimeve të poetëve të këtyre viteve. Sinani bën paraqitjen statistikore të ndryshimeve që janë bërë në rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore gjatë dy dekadave të fundit duke vënë lexuesin në dijeni me qëndrimet dhe veprimet e bëra nga kritikët e studiuesit si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova, Maqedonia e diaspora.
Pjesë interesante në librin e Sinanit është: Sprovë kritike. Në këtë pjesë autori flet për vëllimin “Paqja e brishtë” të Sabit Rrustemit, për “Ndrydhja e pikës K” të Nexhat Rexhës, për “Matja e kohës së ndaluar” të Aziz Mustafës, për “Zogun e qyqes” të Baki Krasniqit, për “Porta e hapur” të Fehmi Ajvazit, për “Strehim i qenies” të Gani Sadikut, për “Perdja e diellit” të Arif Kutleshit, dhe për vëllimin “Kufij kam në mes” të Shpresë Ajvazit.
Sinani gjatë vështrimit që u bën vëllimeve ka arritur t’i veçojë vlerat më të rëndësishme ideore, artistike, estetike, letrare dhe gjuhësore të secilit krijues duke dhënë kështu portretin krijues të tyre në një rrafsh më të gjerë të kritikës sonë letrare.
Çfarë mund të themi për fund? Së pari, urojmë Sinan Sadikun për këtë vepër interesante dhe të rëndësishme për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare në përgjithësi dhe urojmë për trajtimin me akribi shkencore bërë librave që për temë bosht kanë pasur rendin e vlerave të poezisë së sotme shqipe. Po ashtu, autorit i dëshirojmë shëndet dhe punë të frytshme në të ardhmen duke na dhuruar libra të kësaj natyre, rëndësia e të cilëve është tepër e madhe!
…
Vështrim i lexuar dje në Kamenicë, me rastin e përurimit të këtij libri që u bë në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu” dhe Klubi Letrar NOSITI si dhe i ndihmuar nga Drejtoria Komunale e Kulturës e KK të Kamenicës.