/2L ONLINE/ – “Kompania ka përmbushur ndaj jush obligimet e veta mirëpo, ju nuk po i përmbushni obligimet e juaja kundruall qytetarëve. Madje, pagat i pranuat para kohe, mirëpo ju refuzoni të punoni që nga 4 janari dhe nuk jeni duke respektuar asnjë ligj”. Kështu është shprehur në një reagim të tij kundruall akuzave dhe kritikave të Këshillit të Punëtorëve, Senad Ramaj, Drejtor Ekzekutiv në Kompaninë Eco-Higjiena.
Ramaj thotë se nuk është njoftuar greva 7 ditë më parë, dhe as nuk është respektuar afati kohor maksimal 1 orë në ditë për grevë ndërsa, në anën tjetër refuzohen bisedimet. “As procesin minimal të punës nuk e keni siguruar. Këto janë shkelje kundër nenit 6,8,12,13 dhe 24 të ligjit të grevës. Ne na bllokuat qasjen dhe u deshtë që të ndërhynte policia për të siguruar rend dhe qetësi. Në një demokraci nuk e ka askush atë të drejtë që dhunshëm të detyroj tjetrin për vazhdimin e kontratës së punës dhe as shkarkimin e drejtorit. Prandaj, kjo është anarki”, thotë tutje Senad Ramaj.
Sipas tij, nëse një punëtor ndjehet i keqtrajtuar, atëherë duhet t’i drejtohet gjykatës përkatëse dhe jo të bllokon kompaninë në mënyrë që të mos jemi në gjendje për të organizuar grumbullimin e mbeturinave. “Deri në korrik nuk kishte asnjë shqetësim. Që nga periudha kur kompania u zaptua ilegalisht në korrik 2016, ne nuk u qetësuam kurse kjo është greva e 4 ilegale që keni mbajtur. Kështu nuk mund të vazhdohet më tutje. Ne na duhen punëtorë që përmbushin detyrat e veta të punës”, thotë Ramaj.
Siç thotë Ramaj, të gjitha ofertat për zgjidhje të parashtruara nga ana e jonë u refuzuan. “Unë çdo ditë isha në kompani dhe dera e zyrës ka qenë përherë e hapur për bisedime. Ne kemi ndërmarr çdo gjë të mundshme në kuadër të ligjeve në fuqi për të rikthyer kontrollin. Posa të pranojmë aktvendimet e nevojshme do të fillojmë me pastrim”, thotë Senad Ramaj. /2L ONLINE/