Sa dhe si e mbuluan mediet vdekjen në rrethana të dyshimta të Astrit Deharit? A ishin ato në anën e duhur në rastin e publikimit të xhirimeve nga qendra e paraburgimit në Prizren dhe pse rrodhi xhirimi nga burgu? Sa i kushtoi vëmendje RTK dhe KTV ngjarjes dhe ku dallon ky raportim? Pse institucionet më të larta si kryetari i kuvendit dhe presidenti i shtetit nuk u prononcuan në TV për rastin e kësaj vdekje? Pse asnjë zyrtar, as ministër por as drejtori i burgut nuk dha dorëheqje? Pse heshtën për rastin e vdekjes së Astrit Deharit EULEX dhe BE?
Diktatura totalitare dhe autokracia
Kur një i burgosur ose në paraburgim vdes në qelinë e qendrës së paraburgimit, organet e asaj qendre janë përgjegjës për vdekjen e të paraburgosurit. Nëse nuk zbardhen rrethanat se si ndodhi kjo ngarje e dhimbshme, atërherë shteti bëhet përgjegjës. Rexhep Qosja, si më poshtë, e fajëson shtetin dhe organet e tij për vdekjen e Astrit Deharit. Shteti, sipas Rexhep Qosjes, nuk vret vetëm në një mënyrë:„Jo. Shteti, sidomos, shteti dhunëtar, i bërë shtet privat prej oligarkisë politike dhe përfituese, siç është sot shteti ynë, vret në mënyra të ndryshme: vret me plumba, më shpesh fshehurazi se hapur; vret me armë të ftohta; vret me dhunë fizike ndaj trupit dhe me dhunë psikike ndaj shpirtit; vret me përndjekje; vret me fyerje; vret me shpifje, me gënjeshtra e me mashtrime; vret me burgje, me paraburgje e me pasburgje; vret me mediet e paguara, me mediet e shantazhuara dhe me mediet e frikësuara; vret me mediet e kriminalizuara…!“ Akademiku kosovarë vë dorën mbi këtë plagë pra edhe tek mediet, siç mund të kuptohet nga ky parafrazim, çështje të cilën do ta shjellojmë më poshtë.
Ky pohim si të thuash na shtyn ta analizojmë se çfarë në të vërtet është shteti totalitar aparatete e tija dhe a mund të akuzohen organet e tij si një mekanizëm totalitar në ditë dhe kushtet si ato të totalitarizmit që i përshkruan Hana Arend, për rrethanat e kohës së rezhimit nazifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore? Po cilat jane karakteristikat e teorisë së totalitarizmit te cilat i vuri në jetë Carl J. Friedrich dhe Hana Ahrend? Karakteristikë e totalitarizmit sipas tyre janë eliminimi dhe paraburgimi në kampe( burgje) i të gjithë kundërshtarëve (…) opozitës, kërcënime ndaj popullsisë përmes policisë sekrete, militarizimin e jetës shoqërore, monopolizimin dhe edukimin e të rinjve(sipas tyre), promovimin e ideologjive pseudo-fetare e komb-specifike, mobilizimin e përhershëm dhe indoktrinimin e masave nga masmedia etj. Këtu duhet përmendur rolin e policisë sekrete të publikuar në veprën e Zbigniew Brzezinski K. “Diktatura totalitare dhe autokracia”.
Hitleri dhe Musolini
Shteti totalitar, sipas Hana Arend është total dhe shfrytëzon çdo mjet që ka në dispozicion për ti luftuar “armiqtë” e brendshëm dhe të jashtëm. Shteti totalitar menjanoi çdo iniciativë apo lëvizje e cila bazohet në sponatnitet, revoltë dhe kundërshtim. Rol primar këtu ka ideologjia. Për rezhimin e Hitlerit ishte ideologjia naciste më primare e në rend të dytë ishte shteti nacist i cili synonte në zbatimin e ideologjisë se tij. Shteti nacist në këtë rast ishte vetëm një mjet(instrument) për të realizuar çmendurinë e tij raciste. Një ideologji si ajo naciste apo fashiste ishte totale dhe përfshinte gjithë strukturat, shtetin dhe popullin. Partia e naciste (socializmi nacional) arriti totalitarizmin duke kontrolluar gjithçka e duke menjanuar e zhbër opozitën. Prezenca masive e pushtetit të Hitlerit ishte njëpartiak e cila ushtronte forcën e saj për të ndikuar mbi çdo individ(ngjashëm me nacizmin ishte edhe ideologjia bolsheviste dhe ajo fashiste).
Dhuna dhe terrori
Kontolli mbi pushtetin bëhej përmes propagandës dhe shfrytëzonte paditurinë e njerëzve. Përveç propagandës ky aparat përdori dhunën, frikën për të shkatërruar çdo lidhje të strukturës shoqërore, në mënyrë që shoqëria të mos duket plurale por njëpartiake. Shteti përmes përdorimit të dhunës i “ndërgjegjësonte” të “pa dëgjueshmit”për ti bërë të përshtatshëm për sistemin, nëse nuk arrinte me propagandë më në fund i eliminonte ata me dhunë. Shkatërrimi i lidhjeve mes individëve me shoqërinë e bënë individin pasiv dhe e zhveshte nga çdo iniciativë për angazhim dhe organizim ose kommunikim mes individëve dhe grupeve shoqërore. Me këtë u prishen strukturat shoqërore dhe me këtë pasoi automizimi i individit. Dihet se Hitleri kishte shumë poste udhëheqëse ashtu si Benito Musolini. Ata ishin në krye të shtetit. Hitleri reklamohej përmes propagandës si i vetmi udhëheqës, si një mesia dhe shpëtimtar i këtij shteti, çfarë thoshte, bëhej. Shteti ishte në shërbim të tij. Ky sistem totalitar e mohonte çdo strukturim formal të organizimit shoqeror sepse delegimi i përgjegjësisë tek individët të shumët interpretohej si një rrezik për Führer-in(udhëheqësin). Diktatura naciste në Gjermani dhe ajo fashiste në Itali krijuan para dhe gjate Luftes së Dytë Botërore (deri në kapitullim) ambientin(mitik) që secili të besoj se pa të ky sistem nuk mund të mbijetoje populli. Shteti përme terrorit dhe dhunës ngjallte frikë tek çdo individ, shtetit mbyste çdo qelizë njerëzore e cila pastaj vdiste para se te egzekutohej nga terrori. Ky shtet terrorist e privonte njeriun nga çdo aktivitet spontan, nga kritika dhe kundërshtimi paqësor.
Sistemin totalitar nacist e shquajnë disa faktorë, si; pritshmëritë- se vetëm ky sistem do të sjellë shëpëtimin… Pra përmes ideologjisë së saj, konform kësaj ideologjie, u krijua edhe partia naciste e nacional- socializmit(National-sozialismus),monopoli në armë, monopoli mbi mediet dhe sistemi i cili mbahet nga dhuna e terrori policor.
Këto janë vetëm disa reflektime që mund ta kërcnojnë zhvillimin normal të shoqërive njerëzore. Edhe pse totalitarizmi klasik nuk është dhe nuk mund të jetë tipik për pushtetin në Kosovë, sidoqofte Rexhep Qosja e quan shtetin kosovar “shtet dhunëtar”. Shteti sipas akademik Rexhep Qosjes vret edhe me mediet e paguara, me mediet e shantazhuara dhe me mediet e frikësuara; vret me mediet e kriminalizuara…!“ Akademiku kosovarë vë dorën mbi këtë plagë pra edhe tek mediet, siç mund të kuptohet nga ky parafrazim, çështje të cilën do ta shjellojmë më poshtë.
Media si „aparat shtetëror“
Mediet, siç e kanë vërtetuar studimet në shkencat komunikimit, një element që e hasim edhe tek teoria e totalitarizmit, si u potencua më lartë, thuhet se janë si „aparat shtetëror“ që ndihmojnë pushtetin dhe gjithnjë përkrahin qeverinë si në fushata lufte, por edhe në ato të paqes. Këtë e vërteton edhe teza e të ashtuquajturit „effketi CCN“ dhe luftrat nga ajo e Vietnamit e deri ato që pasuan pas sulmeve terroriste në SHBA. Mediet e Mainstream-it sipas N. Chomsky ishin gjithnjë ndihmuese e qeverisë amerikane. Edhe në shumë shtete tjera mediet dominante merrnin të drejtën ekskluzive për të raportuar nga vatrat e luftës e për të shpërndar informacione diskrete kur i duheshin qeverisë. Edhe në shtete, siç është vërtetuar me S. Berluskonin në Itali dhe “kapjen” e RAI-it nga ai, por edhe raste tjera, e vërtetojnë këtë tezë.
Në rastin kosovar, Gëzim Mekuli analist i medieve shkrun se „Propaganda e Qeverisë, e ndihmuar edhe nga ca ambasadorë, vite me radhë, kundërshtarin politik (VV) e paraqiti si ‘të keq’, ‘joevropian’ dhe ‘jodemokratik’. Aktivisti, simpatizuesi dhe përkrahësi i VV-së, në hapësirën publike, u paraqit edhe si ‘terrorist’ dhe si ‘armik’. Sepse, sa më pak ‘armiku’ i përngjante pushtetit, aq më i urryer dhe më i rrezikshëm do të dukej ai. Dhe, mundësia për ta vrarë atë është më e ‘kuptueshme ‘ dhe ndoshta më ‘e pranueshme’ për publikun“.
Opinioni publik i ndarë në dy taborre
Opinioni publik, me këtë vdekje, në rrethana të padriçuara ka ndarë opinionin në dy taborre. Edhe në mediet sociale ato ditë mund të vrehej kjo “ndarje” nga reagimet apo edhe heshtjet e atyre që janë përkahës të qeverisë dhe pushtetit. Besa Luzha e doktoruar në fushën e edukimit në Angli shkruan se ishte turpëruar nga bashkëqytetarët e saj prishtinas që nuk morën mundin ti ndajnë 15-20 min për të kërkuar #drejtësi.
„Edhe dyqanet, kafenetë, restoranet sot është dashtë në mënyrë simbolike ta ndërprejnë punën për të dëshmu solidaritet me familjarët dhe qytetarët e Kosovës.Edhe veturat do të duhej të ndaleshin 5 minuta, edhe njerëzit tjerë pa dallim partije e profesioni do të duhej të ndjenin sot dhimbje për një të ri që vdiq për Kosovën në kohë paqeje, jo nga regjimi i huaj por nga pakujdesia ose papërgjegjësia ose për qëllime politike të institucioneve tona. Kjo nuk duhet të kalojë pa ndëshkime e pa pasoja“. Pati edhe reagime nga pozita e PDK-së kërkesa që të zbardhet rasti, siç ishte rasti me kryetarin e komunës së Kamenicës Begzad Sinani dhe raste të tjera.
Kritika e medieve
Flutura Kusari një eksperte e medieve në gazetën online s´bunker(12.11.2016) shkruan për rrethanat e vrasjes, ndikimin e VV-së dhe mbulimin e medieve me rastin e shpërndarjes së videos nga burgu në rrjetet sociale dhe në medie (Klankosova dhe Gazeta Express). Flutura Kusari vlerëson se për „gjashtë ditë, ka patur rresht lajme për vdekjen e Deharit ngjarje e cila siç thotë, kryesuan „ballinat e edicionet e shumicës së mediave kryesisht të ushqyera me informata nga Lëvizja Vetëvendosje …dhe përfaqësuesi i saj ligjor“. Me këtë rast ajo nënvizon se VV-ja dhe përfaqësuesi i saj „gëzuan hapësirë të konsiderueshme mediale përmes së cilës shprehën dyshimet e tyre dhe akuzat ndaj pushtetit, kërkuan drejtësi, interpretuan në detaje rezultatet preliminare të obduksionit dhe zbuluan prova të hetimeve“.
Reagimet e opinionit publik dhe të medieve z. Kusari i quan si „hashtag“ përpjekje dhe solidarizim me VV-ë për aktivistin e saj dhe familjen Dehari.
Sipas saj motoja „DrejtesiPerAstritDeharin“, ka mbizotëruar në mediat sociale këtyre ditëve dhe shton; „As lajmet për publikimin e Raportit të Progresit të Komisionit Europian, vizita e komisarit europian Johannes Hahn dhe suspendimi i anëtarësimit të Kosovës në Interpol, përkundër interesit të madh publik, nuk ia dolën t’i afrohen vëmendjes që iu kushtua rastit Dehari“.
Ajo i shfajëson mediet në rastet e tilla duke thënë se ka „një tendencë globale për të fajësuar mediat sa herë që ndodhin ngjarje të papritura politike“ duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se „ka ekspozuar qëllimisht dhe në detaje rastin në media duke lënë pak hapësirë për ruajtje të privatësisë“. Rrjedhja e xhirimit, sipas saj, mbetet në vazhdimësi si rrjedhje „që janë bërë më herët“.
Heshtja dhe „vetëcensura“
Reagimet në opinionin publik, siç thamë më lartë, pasuan korform bindjeve dhe rreshtimeve politike. Përderisa gazetarët kanë obligim të informojnë publikun dhe të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet, institucionet nga ana e tyre duhet të informojnë publikun përmes medieve, sepse e kundërta, heshtja do të ishte „vetëcensurë“ ose miratim i asaj që ka ndodhur. Informimi i plotë dhe i pavarur mbi ngjarjen nuk duhet të interpretohet negativisht. Çdo heshtje është barazi me mendimin dhe qëndrimin e atyre që kanë ndihmuar ose kanë përkrahur tërthorazi të kryehet kjo „vrasje“, gjegjesisht „vetëvrasje“. Vëmendja e shtuar për ngjarjen në në fjalë në opinion publik nuk do të duhej ti pengonte askujt.
Nuk mund të thuhet se kishte një spirale të heshtjes institucionale, edhe pse as kryetari i kuvendit por as presidenti i shtetit nuk ju drejtuan me prononcim direkt(me Video) popullit të Kosovës ashtu, siç e bëri ta zëmë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa. Paraqitja e tij disi sikur e arsyetoi ose sikur i bëri të pa nevojshme deklarimet e kuvendit dhe presidencës të cilat u mjaftuan me deklarimet e ministrisë së drejtësisë. Dihet botërisht se, asnjëherë, asnjë ministre e drejtesisë nuk e përfaqëson kuvendin e as presidentin e as nuk mund ti zëvendësoj këto dy instanca. Në raste të tilla presidenti i vendit është instanca më e lartë morale dhe institucionale e një vendi dhe populli dhe ai e ka obligim ligjor dhe moral e etik t´i drejtohet populit të vet në raste të tilla. Reagimet, sikur të ndodhte e njëjta ngjarje në një shtet të BE-së, do të kishte efekt alarmues në publik dhe institucionet do vepronin duke filluar nga presidenti i shtetit dhe kryekuvendari i atij shteteti..? Në rastin e Kosovës nuk dha askush përgjegjësi për këtë „vetëvrasje“ apo „vrasje“ në burg. Kjo nuk u bë as nga qendra a burgut, por as nga policia e as nga institucionet tjera. Një dorëheqje do ishte së paku një gjest moral, për të zbutur situatën dhe për të zvogëluar dhembjene e familjes për humbjen e më të dashjurit të tyre. As kjo më e vogla në formë simbolike nuk ndodhi.Por dorëheqja, do të thotë përgjegjësi, prandaj nuk don ta merrë askush barrën e huaj.
Kur nuk nuk mund të komunikosh..!
Dhe, siç dihet nga praktika e gazetarisë, në rastet të tilla, institucioni ose përfaqësuesit institucional në fjalë poqëse hezitojnë të deklarohen është media ajo e cila duhet ti detyrojë të falsin, në të mirë të të gjithëve. Sepse edhe heshtja siç do të thoshte Paul Watzlawick, (Mann kann nicht nicht kommunizieren) (nuk mund të komunikohet..!) arrinë ta shprehë një komunikim, pra „të mos komunikimit“. Në një mënyrë apo tjetër institucionet edhe duke heshtur ata kanë komunikuar, sepse edhe atëherë kur nuk kanë dashur të deklarohen, ata kanë treguar (padashje) se kanë një mesazh, pra kanë diçka për të thënë, por nuk po e thonë, po e mbajnë të fshehur. Kjo sjellje e tregon frikën nga izolimi dhe damkimi, siç e shpjegon publicistja gjermane Elisabeth Noelle-Neumann, e njohur me teorinë e “Spirales së heshtjes“. Në rastin e opinionit publik, shumë intelektualë, pjesëtarë të elitës, i shprehën opinionet e tyre në publik apo u angazhuan në komunikim ndër-personal, sepse u ndien të kërcënuar nga izolimi. Edhe në këndvështrimin politik, opinioni që drejtohej kundër VV-së ishte heshtje që kishte karakter integrues pro-shtetit dhe përforconte bashkëveprimin politik elitarist. Në luftën për tu zbardhur e vëreta rreth kësaj ngjarje, si në çdo konflikt tjetër, po zhvillohet një betejë e pa kompromis ku u krijua dhe po sajohet akoma e vërteta në mënyrë selektive.
Si raportuan RTK dhe KTV?
Më 05.11 16 KTV nuk e pati as temë parajmëruese vdekjen e Astritit. Kjo ngjarje u dha si njoftim në minutën 10.14 -11.22 ku u kumtua lajmi për vdekjen e Astrit Deharit, „i cili po mbahej në qendrën e paraburimit në Prizren (dhe i cili) ka vdekur në rrethana ende të pasqaruara nga autoritetet. Me Ketë rast thuhet se shërbimi korrektues njofton se (Astrit Dehari) ka vdekur në spitalin rajonal të Prizrenit.
Në lajmet qendrore të RTK-së me daten 05.11.2016 kjo temë u emetua si temë e parë në minutën 1,11, por nuk kishte prononcime nga akterët politik e institucional, – kishte vetëm lexim teksti nga moderatori për një vdekje që ka ndodhur në qendrën e paraburgimit në Prizren. I ndjeri thuhet se „është Astrit Dehari i cili para pak kohe ishte arrestuar dhe po qëndronte i burgosur“. Gabi i parë i RTK-së shihet në raportim: Personi në fjalë nuk mund të qëndroj i burgosur. Shumë më lehtë do të thuhej; ishte burgosur…ose mbahej në burg. RTK e paraqet këtë si ngjarje ose vëtvrasje të mundshme, duke ju referuar vdekjes enigmatike para dy vitesh të vëllaut të tij.
„Shërbimi korrestues ka berë me dije se në rrethana ende të pa sqaruara i paraburgosuri ka ndërruar jetë. Ndërsa sipas informacioneve të policisë thuhet se Astrit Dehari është dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit por, mjekët kanë konfirmuar vdekjen e tij. Dyshimet e para tregojnë se viktima ka përdorur mbi dozë të medikamenteve“. Me këtë u mbyll ky raportim pa prononcime nga institucionet, si ajo e drejtorit të burgut, e policisë, e familjarëve, apo të qeverisë, siç e kërkon gjuha e televizionit.
Më datën 06.11.2016 KTV e jep si „top themë“ (në rendin e dytë) vdekjen e Astrit Deharit. Në minutën e 5.04 deri në minutën 10.30 sekonda, prokuroria e shtetit e konsideron vdekjen e Astritit si të dyshimtë, ndërsa VV konkludon se kjo nuk ishte fatkeqësi, por persekutim dhe montim politik. Prononcim në KTV në dallim prej RTK-së kishte, jo vetëm ministrja e drejtësisë por edhe prokurori A. Lumezi. Në dy televizionet, si në KTV po ashtu edhe në RTK, jepet prononcimi i VV-së e cila e bënë pëgjegjës shtetin për vdekjen e Astrit Deharit. KTV bënë një raport më të zgjeruar krahasuar me RTK-në që nuk i kalon 2 minuta e gjysmë. RTK dhe KTV po të njëjtën ditë emitojne edhe një kronikë kushtuar homazheve që i bënë qytetarët pë vdekjen e Astrit Deharit. Ndërsa me datën 07.11.2016 KTV e sjell si temën e parë në minutën 1,21- deri 4.31 sekonda kushtuar vdekjes së Astrit Deharit (ngjashëm si RTK). Mesazhi për dy televizionet ishte ai i prokurorit nga Prizreni Sylë Hoxha se autopsia e kryer nuk tregon se Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e mbidozës së mediakamenteve, por ai vdiq nga asfiksia(ngulfatja). Prononcime në RTK pasuan edhe nga Tomë Gashi avokati i familjes Dehari, si dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Arsim Gërxhaliu. Në dallim prej RTK-së KTV-ja sjell edhe kërkesën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët insistojnë hetim të pavarur për të ndriçuar rastin.
Deklerata e vetme nga konferenca e shtypit…
Në raste të tilla është normale që edhe policia ose qendra e paraburgimit të japin ndonjë dekleratë dhe si e bër…. Para ministreshës Dhurata Hoxha do të duhej të deklarohej policia dhe qendra e paraburgimit ose këto dy të deklarohen të parat bashkërisht me prokurorin e tek pastaj do i vinte radha ministrisë. Në të njëjtën konferencë shtypi të improvizuar në Prizren, prokurori Aleksandër Lumezi në RTK u pa vetëm në fotografi. Prokurori nuk foli, gjegjësisht nuk ju mundësua të jap një prononcim. Në RTK doli sikur prokurori i shtetit z. Lumezi të mos kishte folur fare në konferencë për shtyp. Por me të shikuar KTV-në e kupton se prokurori i shtetit z. Lumezi ka folur por RTK nuk e ka patur të arsyeshme të jap prononcimin e tij dhe kjo mund të interpretohet si një “cenzurim” i qëllimshëm. Pra, RTK i lëshon dy deklerata të Ministrisë së Drejtesisë dhe nuk jep asnjë të prokurorit shtetëror. Kjo nuk do koment! Pavarësisht se qeveria nuk ka mundur ta definoje skenarin se kush dhe si do jepen deklaratat, sjellja e RTK-së tregon se ky medium dukej në raportim si një medium i dirigjuar dhe nuk kishte aspak sjellje korrekte profesionale. Në këtë rast, në shtetet perëndimore, siç thamë, së pari ose së paku një prononcim do ta kishte bërë prokurori e pastaj do i vinte radha ministreshës. Ministresha në vend se të dorëhiqet dha tonin e mllefosur „apeloi“ dhe i ftojë gjithe qytetetarët që të përmbahen dhe të mos japin interpretime para se të vendosin për rastin organet profesionale. E „pritja“ e gjatë ju dha kohë akterëve të shumtë të shpërndajnë video dhe të flasin për mjetet me cilat është bërë gjoja vetëvrasja. Dekleratat e VV-së u prezantuan mjaftueshëm në RTK por siç, përmenda më lartë, qasja institucionale u bë siç thotë populli, sa për sy e faqe, u lexua me dy fjalë deklarata e kryetarit të kuvendit, ishin këto dy fjalë citimesh, por nuk u dha asnjë prononcim me video. E njëjta gjëndje mbretëroi tek dy mediumet si në RTK poashtu edhe KTV. Këto ditë edhe PDK-ja përmes zëvendësministrit dhe shefit të Grupit Parlamentar Zenun Pajazitit ka kërkuar sa më shpejt zbardhjen e rastitë në mënyrë që të mos keqpërdoret kjo tragjendi për poena politik.
Çfarë do të thotë prononcimi i Isa Mustafës?
Prononcimi i kryeministrit Isa Mustafa i cili ndodhi dy ditë pas vdekjes së aktivistit të VV i cili kërkoi në emër të qeverisë hetim të pavarur për rastin, ishte një dekleratë e bëri nga mbledhja e qeverisë e cila nuk ishte inicuar nga mediet: Kjo paraqitje disi i bëri si të panevojshme deklarimet tjera si ajo nga kryekuvendari dhe presidenti i vendit. Nga mbledhja e qeverisë pronocohet edhe ministrja e drejtësisë por nuk pati deklarime nga qendra korrstuese e burgut në Prizren, por as nga Policia e Kosovës. Ndërsa në ditën e tretë më 08.11.2016 temat e parë në lajme vije me titull: I jepet lamtumira e fundit Astrit Deharit. KTV sjell edhe intervisten e gjatë me Albin Kurtin në INTERAKTIV, çfarë nuk e bëri të njëjtën RTK duke intervistuar ndonjërin nga udhëheqësit e VV-së. Prokurori i hetuesisë themelore Metush Biraj, përmes telefonit i kishte thënë KTV-së se janë duke u zhvilluar hetimet por as ky nuk dha një prononcimi me O-Ton. Temë sensibilizuese ose eskaluese pasoi me dhënien e pamjeve në internet të marrë nga qendra korrektuese e Burgut në Prizren, të cila pas dy dite u shpërndan në mediat sociale dhe së pari në Klankosova pastaj e edhe mediet tjera.
Akterët ndërkombëtarë indiferent
Deri sa KTV-ja jep dekleratën e ambasadorit amerikanë Delavi lidhur me vdekjen e Astrit Deharit në mediet sociale në Twiter, RTK nuk bëri asnjë përpjekje të citoj ndonjë akterë ndërkombëtar për rastin. KTV shkon tutje duke dhënë edhe lajmin se familja Dehari nuk ka pranuar telegram ngushëllimi nga autoritetet më të lartë, siç thuhet „të këtij rezhimi“. KTV duke qenë medium i rreshtuar kundër qeverisë dhe institucioneve të dala nga kualicioni LDK PDK dhe minoritetet, ditët në vijim tematizoj gjithashtu brengosjen e VV-së se autoritetet e qendrës korrektuese të Lipjanit po bënin presion psiqik ndaj Atdhe Arifit, aktivist i VV i burgosur në këtë qendër. Kjo përpjekje e VV-së që të alarmoj për të burgosurit tjerë në qendrat e paraburgimit, sipas KTV-së ra sërish në vëshët e shurdhur.
Klima acaruese, intelektualët dhe mediet në shërbim të së vërtetës
Në këtë klimë acaruese sikur humbi sensi për drejtësi dhe për të arritur deri tek e vërteta, përkundër egzistencës së shumë medieve dhe rolit të tyre investigues, tutje opinioni publik kosovar nuk do të arrij të marrë vesh të vërtetën për këtë vdekje, pra nuk do e mëson kurrë për të, siç do shprehet akademik Rexhep Qosja! Vet fakti se as bashkësia ndërkombëtare nuk ka dhënë dekleratë duke i dal në ndihmë viktimës, tregon se sulmi mbi kuvendin e Kosovës për të cilën ishte ngarkuar Astrit Dehari me shokët e tij të akuzuar për “vepër terroriste” e vështirëson hetimin. Shpekulohet se “vrasja” e tij në kushte e rrethana të paqarta mesiguri kishte këtë mesazh, siç e tregon edhe praktika gjatë luftës kur ishin vrarë ose likujduar kundërshtarët politik ose në shumë raste vrasjet duheshin hetuar por ishin lënë nën hije nga ajo kohe. Shumë bashkëpunëtor të ish-Presidentit Ibrahim Rugova janë vrarë dhe ende nuk dihet se kush i ka kryer këto vrasje politike. Po ashtu edhe vrasja e dëshmitarëve të mbrojtur ka mbetur enigmatike. Në rrethana kritike, dihet se janë gjetur alibi duke humbur gjurmët e vrasjes duke shpallur rastet e tilla si të “mbylluara”.
Parasëgjithash mediat si do të shkruante Fahri Musliu në Koha Ditore në kolumnën e tij botuar më 13 nëntor 2016 ashtu si intelektualët (por edhe ligji, janë dhe duhet të jenë „në shërbim të së (vërtetës e lirisë) njerëzimit, shtetit e kombit, ata mund të jenë edhe pjesë e pushtetit (qeverive) si këshillëdhënës të cilët me dijen, autoritetin, qëndrimet, ndikimin e besueshmërinë që kanë mund të imponojnë realizimin e ideve dhe zgjidhjeve të veta dhe të ndikojnë në eliminimin e dukurive negative në shoqëri. Ata këtë nuk e bëjnë ose nuk duhet ta bejnë për shkak të posteve ose pagesave, veç e kanë obligim intelektual për të kontribuar në zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit e të shoqërisë.