Gjilan – (2LONLINE) – Kur kemi të bëjmë me ankesat të qytetarëve në raport me Institucionet Publike, janë mbi 2 mijë kërkesa brenda vitit që i adresohen Institucionit të Avokatit të Popullit, ndërsa sa i përket përqindjes së tyre, ato më së shumti kanë të bëjnë me Gjyqësorin, pastaj vijnë ankesat për Ministritë përkatëse, për nivele komunale e të tjera.
Sami Kurteshi avokat i Popullit ka ngrehur shqetësimin e tij sa i përket shkallës së respektimit të të drejtave të njeriut në nivel vendi, me të cilën shkallë ai tha se nuk është i kënaqur. Ai ka thënë se të gjitha kërkesat e qytetarëve shqyrtohen nga institucioni i Avokatit të Popullit dhe se në afatin ligjor ata marrin përgjigje.
Përndryshe, ai ka thënë se ka raste kur edhe shkresat e Avokatit të Popullit injorohen dhe kjo sidomos vije në shprehje kur kemi të bëjmë me institucionet e nivelit të lartë, Kuvendi e Qeveria, por se vitin e fundit ka trend të mirë të përmirësimit të kësaj çështje, por se, sipas tij, kjo vije edhe për shkak të presionit nga mekanizmat ndërkombëtarë që institucionet e larta të vendit ta marrin seriozisht punën dhe misionin e Avokatit të Popullit.
Përndryshe, Kurteshi ka bërë me dije se nëse i referohemi pesë vjeçit të fundit të punës së këtij institucioni, për çdo vit kemi shtim të numrit të parashtresave përkatësisht kërkesave të qytetarëve drejtuar Avokatit të Popullit, që kanë të bëjnë me ankesat e tyre ndaj Institucioneve publike. Kjo rritje shkon nga 15 deri në 20 për qind, hiq gjashtëmujorin e parë të këtij viti kur kemi pas një fluks të madh të kërkesave që krahasuar me të njëjtat periudha të viteve paraprake kemi për 60 për qind më të lartë.
Kjo, sipas Kurteshit është një e dhënë që flet mbi besueshmërinë që kanë qytetarët në Institucionin e Avokati të Popullit. Përndryshe, ai tha se tani kanë zyra regjionale në të gjitha Rajonet ku ka Gjykata Themelore dhe Prokurori dhe se me tryeza të tilla si kjo e sotshme në Gjilan, dëshirojnë të promovojnë punën e institucionit të Avokatit të Popullit dhe të këtyre Zyrave Regjionale.
Sipas tij, Zyrat Regjionale të institucionit të Avokati të Popullit përfshirë edhe atë në Gjilan bëjnë që ky institucion të jetë më afër qytetarëve dhe në të njëjtë kohë mundësojnë funksionalitetin dhe efikasitetin më të madh të Zyrës Qendrore në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor të Avokatit të Popullit.
Përndryshe Kurteshi i ka inkurajuar qytetarët që të mos hezitojnë por ti adresohen Avokatit të Popullit sepse, deri më tani, nuk ka kërkesë të tyre që IU është adresuar Avokatit të Popullit e që ka mbetur pa u shqyrtuar. /2lonline/