(2L ONLINE) – Organizata jo-qeveritare rinore “Qendra e Aktivizimit të Rinisë” (Youth Activism Center – YAC) ka vendosur që t’iu bashkohet marshit kundër deklaratave të Ministrit të Kthimit Aleksandër Jabllanoviç si dhe kundër tendencave të Qeverisë së Serbisë ndaj Trepçës, që do të mbahet të premten në Gjilan.
Sipas kësaj organizate, fyerja që Jabllanoviç i bëri nënave gjakovare, në fakt i dedikohet të gjithë nënave të Kosovës, andaj nuk mjafton vetëm një kërkim falje, meqë ajo ishte shumë e vonuar pasi më parë ai tentoi që pa kërkim falje të kaloj kjo punë. Mirëpo nuk mjafton as kërkim falja. Një Ministër që nuk e njeh Republikën e Kosovës, nuk ka vend të atë qeveri dhe shkarkimi i tij është i patjetërsueshëm.
Në vend që qeveria serbe të kërkojë falje për krimet e bëra gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, të cilat krime janë dokumentuar edhe nga 2 raportet e OSBE-së për krime lufte në Kosovë, “Report I: Human Rights in Kosovo, October 1998 – June 1999″ dhe “Report II: Human Rights in Kosovo, June 1999 – October 1999″, kjo qeveri tenton që pasuritë e Kosovës t’i uzurpojë duke deklaruar që janë të tyre. Ndër ta është edhe Trepça, si pasuria më e madhe e Kosovës, minierë kjo e cila gjatë kohës së ish-Jugosllavisë ishte e dyta në eksport të plumbit. Si e tillë ne nuk tolerojmë në asnjë mënyrë që të luhet me bukën tonë, ngase Trepça ishte e Kosovës, është dhe do të jetë gjithmonë e Kosovës.
Andaj Qendra e Aktivizimit të Rinisë ka ftuar të gjithë të rinjtë e regjionit të Anamoravës që të marrin pjesë sa më masovikisht në marshin paqësor, për t’i treguar si qeverisë sonë, ashtu edhe qeverisë së Serbisë, por ashtu edhe organeve ndërkombëtare që Rinia nuk toleron të luhet me shtetin e Kosovës, përndryshe në çdo moment jemi të gatshëm ta mbrojmë shtetin tonë.
Marshi protestues mbahet të premtën me datë.23.01.2015 dhe fillon nga ora 13.00 nga Universiteti “ Kadri Zeka” dhe vazhdon drejt Teatrit të Qytetit. /2L ONLINE/