Kamenicë – (2LONLINE) – Ne kuadër te projektit “Rritja e transparencës përmes pjesëmarrjes ne qeverisje, buxhet dhe qasjes ne informata publike dhe dokumente”, është mbajtur punëtoria ne Kamenicë , me temën përgatitja e planit të punës për vitin 2014 për komitet konsultative.
Në komunën e Kamenicës, janë themeluar tri komitete konsultative; Komiteti për Zhvillim Ekonomik dhe Ambient, Komiteti për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport dhe Komiteti për Shëndetësi, Çështje Sociale dhe Emergjencë.
Pas ndarjes në grupe, anëtarët e tri komiteteve, kanë dalë me ide-propozime për draft-planet e punës për vitin 2014, të cilat do të inkorporohen në planet e OJQ “NOPM”, që do t’i dorëzohen komunave përkatëse.
Anëtarët e Komitetit për Zhvillim Ekonomik dhe Ambient, kanë propozuar që; të shënohet dita e tokës përmes aksioneve të përgjithshme për pastrimin e ambientit, organizimin e seminareve përmes të cilave do të vetëdijesohet popullata rreth ruajtjes së ambientit, krijimi i vendeve për hedhjen e mbeturinave inerte, marrja e masave disiplinore ndaj të gjithë atyre që nuk e respektojnë rregulloren komunale për ambient, kompania përgjegjëse për bartjen e mbeturinave të jetë më efikase në punët dhe detyrat e saj, krijimi i një grupi të ekonomistëve të diplomuar, fushatë vetëdijësuese për kryerjen e obligimeve komunale, lirim nga taksat për të gjitha ato biznese që punësojnë punëtorë të rinj, heqja e kushtëzimit të qytetarëve për pajisje me dokumente themelore, ulja e çmimit të tatimit në pronë, stimulim për punësimin e personave me nevoja të veçanta, mbajtja e kontakteve të rregullta me drejtorët e drejtorive përkatëse, krijimi i kushteve për zhvillim të industrisë së drurit, pyllëzimi i të gjitha sipërfaqeve pyjore të prera, dëmtuara apo djegura, ndëshkime të ashpra ndaj prerësve ilegalë të pyjeve.
Anëtarët e Komitetit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, në draft-planin e punës, propozuan që të futet; mbajtja e ligjëratave për dukuritë negative në bashkëpunim me Policinë, Qendrën për Punë Sociale dhe Njësinë për të Drejtat e Njeriut, organizimi i trajnimeve për mësimdhënës në fushat të ndryshme, shqyrtimi i plan programit të drejtorisë së Arsimit, koordinimimi i aktiviteteve kulturore e sportive për manifestime të ndryshme, informatë mbi kriteret për dhënien e bursave për studentë, informatë nga drejtoria e arsimit mbi arsyeshmërinë e organizimit të ekskursioneve, përmirësimi dhe rregullimi i infrastrukturës sportive, rregullimi i nxemjeve qendrore në ato shkolla ku mungon, botimi i një broshure komunale për monumentet e trashëgimisë kulturore, hartimi i një rregulloreje për subvencionet për kulturë, rini dhe sport, organizimi i një festivali për fëmijë.
Ndërsa, anëtarët e Komitetit për Shëndetësi, Çështje Sociale dhe Emergjëncë, kishin këto kërkesa; Kontrollet e rregullta nëpër shkolla; higjiena, kontrolli stomatologjik, kontrolli oftamologjik, psikologu, lirim nga pagesa e taksave dhe shërbimet shëndetësore për disa kategori të shoqërisë, mbështetja e personave me aftësi të kufizuara, rehabilitimi i personave me nevoja të veçanta, bashkëpunim me QKMF-në dhe Kryqin e Kuq, vaksinimi i rregullt nëpër familje.
Ne fund të tryezës dolën Propozime për planin e punës për Komitetin për Zhvillim Ekonomik dhe Ambient, Komiteti për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport dhe Komiteti për Shëndetësi, Çështje Sociale dhe Emergjencë.
Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit “Rritja e transparencës përmes pjesëmarrjes ne qeverisje, buxhet dhe qasjes ne informata publike dhe dokumente”, që implementohet nga OJQ “NOPM” dhe financohet Fondacioni për Shoqëri te Hapur – KFOS. /2lonline/