Gjilan – (2LONLINE) – Në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes përmes Mediave Sociale” të përkrahur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), EC Ma Ndryshe dhe KCIC të enjten në Gjilan kanë publikuar Analizën e titulluar: “Rinia dhe Transparenca: Të përjashtuar apo të injoruar?”. Analiza shqyrton transparencën e komunave të Prizrenit dhe të Gjilanit në raport me të rinjtë që jetojnë në këto dy qendra urbane. Të enjten janë shpalosur të dhënat për komunën e Gjilanit.
Të gjeturat e këtij raporti burojnë nga hulumtimi respektivisht anketimi i të rinjve të shkollave të mesme dhe të universiteteve të Gjilanit. Në anketë janë përfshirë 200 të rinj që i janë përgjigjur pyetjeve në lidhje me funksionimin e pushtetit lokal, transparencën dhe përfshirjen e publikut dhe të rinjve në vendimmarrjen komunale. Hulumtimi është kryer në hapësirat shkollore e universitare dhe në rrugë.
Rezultatet e hulumtimit në përgjithësi tregojnë se përfshirja e rinisë në vendimmarrjen e komunës së Gjilanit nuk është në nivel të lartë, se qeverisja është pak transparente, se rinia nuk është e përfshirë në hartimin e buxhetit komunal dhe se nuk ka konsulta të duhura me ta gjatë hartimit të dokumenteve të rëndësishme strategjike.
Anketat e kryera dëshmojnë se të rinjtë e Gjilanit mbeten jashtë procesit të politikbërjes komunale derisa përfshirja e tyre në konsultimet publike është shumë e rrallë dhe kryesisht e natyrës formale për përmbushjen e obligimeve minimale ligjore. Në të njëjtën kohë njohuritë e këtyre të rinjve në lidhje me të drejtat e tyre qytetare janë në nivel të ultë dhe nevojitet një qasje e strukturuar e institucioneve vendimmarrëse dhe e atyre arsimore por edhe e shoqërisë civile për përmirësimin e këtyre trendeve.
Të gjeturat e hulumtimit tregojnë se 55 për qind e të rinjve të anketuar të Gjilanit nuk kanë njohuri për vendimmarrjen në komunë; 45 për qind e të rinjve të Gjilanit besojnë se qeveria lokale ka pak transparencë në punën e saj derisa 46 për qind thonë se transparenca është në nivel mesatar; derisa vetëm një në mesin e shtatë të rinjve gjilanas kanë marrë ndonjëherë pjesë në seancat publike të Kuvendit Komunal dhe dy në mesin e pesë të rinjve të Gjilanit kanë marrë pjesë në diskutime publike të organizuara nga komuna.
Po ashtu në Gjilan 82 për qind e të rinjve të anketuar nuk kanë qenë të informuar për procesin e hartimit të buxhetit, ndërkohë që në mesin e 10 të rinjve gjilanas vetëm njëri prej tyre ka pas rastin që të paraqes problemet para kryetarit apo drejtorëve të komunës. Raporti përmban edhe rezultate tjera që shpiejnë drejt përfundimit se organet komunale kanë lënë anash apo kanë përjashtuar nga proceset vendimmarrëse një të katërtën e popullatës vitale. Ndërkaq korniza ligjore mbi të cilën bazohet vendimmarrja komunale ofron mundësi për përfshirjen e publikut dhe në këtë rast të rinjve në proceset vendimmarrëse.
Për këtë shkak, EC Ma Ndryshe dhe KCIC kanë rekomanduar Komunën e Gjilanit që të:
– Ofrojë mbështetje për propozimet e dala nga konsultimet me grupet rinore;
– Aplikojë metoda moderne për konsultime dhe pjesëmarrjen e publikut, duke vënë në përdorim edhe mediat sociale;
– Shqyrtojë mundësitë e paraqitjes së vendimeve dhe informatave relevante në mediet sociale si pjesë e strategjisë së marrëdhënies me publikun;
– Përdorë teknologjitë e mediave sociale për të angazhuar publikun në dialogun qeveri lokale-qytetar dhe për ofrimin mundësisë së diskutimit dhe zhvillimit të politikave si dhe zbatimit të tyre, etj.
Analiza është shpalosur para të rinjve gjatë aktiviteteve për shënimin e Javës së Rinisë, në komunën e Gjilanit. Analizën në tri gjuhë mund ta lexoni në linkun: http://online-transparency.org/rpms/?page=1,1&c=1.
Projekti i EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me KCIC, “Rritja e pjesëmarrjes përmes Mediave Sociale” ka për qëllim që të inkurajoj të rinjtë e Prizrenit dhe Gjilanit për pjesëmarrje në vendimmarrje lokale dhe që përmes qasjes inovative dhe edukative t’ju lehtësoj atyre kuptimin e të drejtave qytetare dhe përgjegjësive. Për më tepër, projekti synon të ngushtojë hendekun mes pushtetit lokal dhe të rinjve duke i mbështetur ata përmes aktiviteteve të ndryshme në terren dhe në komunitet, duke përdorur mjetet sociale që janë në dispozicion gjithnjë e më shumë. Për më shumë vizitoni ueb-faqen e projektit, www.online-transparency.org/rpms.