(2L ONLINE) – Qytetarë të shumtë gjilanas dhe organizata të ndryshme kanë protestuar të premten në Gjilan kundër deklaratave fyese të ministrit për Kthim dhe Komunitete Aleksandar Jabllanoviq si dhe kundër tendencave të Serbisë ndaj “Trepçës”.
Marshit protestues u organizua nga Parlamenti Studentor të Universitetit “Kadri Zeka” në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, marsh të cilës i janë bashkuar edhe Këshilli i Nxënësve të Gjilanit nga të gjitha shkollat e mesme të këtij qyteti, dy grupet e tifozëve Intelektualët dhe Skifterat, shumë OJQ joqeveritare të këtij qyteti si dhe disa parti politike e forume rinore të tyre.
Protestuesit thanë se nuk do të lejojnë që Jabllanoviq të ofendojë nënat të cilat edhe sot e kësaj dite nuk i kanë gjetur bijtë e tyre të zhdukur gjatë luftës.
Flokart Aliu në emër të studentëve tha se ofendime e Jabllanoviqit nuk kapërdihet lehtë. “Ai i fyu rëndë nënat tona andaj kërkohet nga kryeministri Isa Mustafa ta shkarkojë atë urgjentisht’. Ndërkohë që edhe për Trepçën tha se është pasuri kombëtare e Kosovës dhe e qytetarëve të saj dhe nuk guxon të negociohet për të.
Ndërsa, Mehmet Zylfiu përfaqësues tjetër i studentëve tha se nuk do të tolerojnë të fyhen nënat tona, që pasuritë e Kosovës të rrezikohen dhe që dikush tjetër pos Qeverisë së Kosovës t’i udhëheqë politikat e shtetit tonë. Ai shtoi se Trepça është e Kosovës dhe kritikoi qeverinë për neglizhencë në rastin e Trepçës, por edhe për mos shkarkimin akoma të ministrit Jabllanoviq.
Përndryshe, ministri Aleksandër Jabllanoviq më 6 janar i quajti “egërsira” protestuesit që në Gjakovë nuk lejuan pelegrinët serbë të kryejnë ritet fetare b’në kishën ortodokse të këtij qyteti.
Katër ditë më parë Jabllanoviq u kërkoi falje atyre që kanë mundur të ndihen të fyer nga deklaratat e tij. Por kjo nuk mjaftoi që protestat të ndalen. Po ashtu nëse në Prishtinë është paralajmëruar protestë. /2L ONLINE/