Ngatërresa rreth një rruge dhe të shtënat mesnatën e së enjtes në Gjilan, që lanë të vdekur dy vëllezërit Lipovica, Asllanin 47 vjeç e Fitimin 41 vjeç dhe të plagosur rëndë dy djemtë e Fitimit, Adisonin 17 vjeç dhe Fidanin 20 vjeç, të cilët po luftojnë për jetë, njëri në QKUK e tjetri në spitalin e Tiranës, ka tronditur Gjilanin dhe tërë Anamoravën.
Ç’është më e keqja, të dyshuarit për vrasjen e plagosjen e katër anëtarëve të kësaj familje, Fehmi dhe Ruzhdi Maliqi, babë e bir nga Gjilani, janë në lidhje familjare me Lipovicët, madje në lidhje të shumëfishtë, siç ndodh me shumë familje shqiptare me lidhje të ndërsjella martesore.
Axha Ibrahim, babai i dy djemve të vrarë, me forcën e fundit, si burrë i fortë, bashkë me familjarë tjerë edhe dje priste e përcillte miqtë dhe dashamirët e tij të shumtë që po shkojnë ta ngushëllojnë atë dhe tërë familjen Lipovica për vdekjen e dy djemve të tyre, të cilët, kohë më parë kishin nisur të ndërtojnë një kompleks banesor në Gjilan, i cili siç thotë edhe axha Ibrahim, u bë “exhel” i djemve të tij, shrkuan zeri
Kontesti pronësor në lidhje me një rrugë e cila të çon te kompleksi banesor në ndërtim e sipër i familjes Lipovica e që kalon përskaj kioskës së Fehmi Maliqit, e vetmja kioskë e parrënuar në qytetin e Gjilanit, mendohet të ketë qenë “molla e sherrit” ndërmjet këtyre dy familjeve, që u shndërrua në një tragjedi të vërtetë natën e 14 nëntorit.
Të dyshuarit për vrasjen e plagosjen, ende nuk janë kapur nga policia edhe pse ata thonë se janë në rrugë të mirë për gjetjen e vendndodhjes së tyre.