Gjilan – (2LONLINE) – Në kuadër të aktiviteteve kulturore që po mbahen në “vjeshtën letrare të Gjilanit”, të shtunën është promovuar romani “Jeniçeri i fundit”i autorit Jusuf Buxhovi, e për të cilën roman përveç autorit folën edhe Ramadan Musliu, Nexhat Rexha e botuesi Nazmi Rrahmani.
Duke folur për “Jeniçerin e fundit”, studiuesi Ramadan Musliu tha se është një vepër me tematikë historike, ku autori Jusuf buxhovi trajton vetëdijen historike dhe atë aktuale.
Sipas Musliut, “Jeniçeri i fundit” është roman për vetveten, ngase autori ndërton një strukturë polifonike, ku gërshetohen shumë zëra e shumë probleme. Ai ka thënë se ky është edhe një roman historik, që fillon me kthimin e jeniçerit në vendlindje në një moshë të thyer e në të cilën autori përdor teknika të ndryshme, duke trajtuar personazhin që nga mosha e fëmijërisë deri në moshë të thyer.
Autori merret edhe me problemet teologjike, merret me kthesa historike, ndeshjet në mes të dijeve të vjetra e të reja. Po ashtu Musliu ka thënë se ky roman ka shumësi idesh e temash, me elemente teologjike, merret me problemet e kozmogonisë, po ashtu merret me filozofinë e gjuhës e historinë. Është një roman që del jashtë modeleve tipike dhe nxjerr në pah individin në një shoqëri të krizës.
Me një vlerësim rreth romanit u paraqit edhe Nexhat Rexha, që tha se ky roman flet për rikthimin në identitet. Ai ka folur për veprën e Buxhovit dhe ka thënë autori shpalosi të djeshëm e me këtë roman ai radhitet ndër ata me veprat më të kompletuara të letërsisë sonë.
E , botuesi Nazmi Rrahmani, foli për veprimtarinë letrare të Jusuf Buxhovit që nga romani i tij i parë e deri te ky më i fundit, derisa edhe Sabit Rrustemi, krijues, ka çmuar lart veprat e Buxhovit, duke thënë se ky autor do t’i sjell lexuesve edhe shumë vepra të tjera.
Vetë autori Jusuf Buxhovi, ka thënë se ky promovim i kushtohet Beqir Musliut, për të cilin tha fjalë miradije si letrar. Ai tha se historiografia dhe letërsia janë të ndërlidhura, andaj ky libër mbështetet në një fakt historik dhe koncept filozofik.
Buxhovi foli edhe për lidhjet e shqiptarëve me antikitetin, rolin e bektashizmit në këtë , Rilindjen Kombëtare dhe inspirimet e tija nga ana historike, sikurse që ka folur edhe për anën filozofike të kësaj vepre.
Përndryshe, “Jeniçeri i fundit” është libri i 35-të i Jusuf Buxhovit. /2lonline/