/2L ONLINE/ – Në prani të shumë pjesëmarrësve, sot në Universitetin Publik të Gjilanit ”Kadri Zeka” është promovuar libri publicistik “Opinione III” i autorëve Flamur Hyseni dhe Burim Haliti. Me këtë rast për librin u tha se është një referues i mirë dhe autentik i shumë zhvillimeve politike, ekonomike, juridike, social e akademike.
Libri është vlerësuar pozitivisht edhe nga recensentët, por edhe nga pjesëmarrësit e fushave juridike, politike e sociale. Recensenti i librit, Musa Sabedini, ka pohuar se libri në fjalë është më shumë dosje, në të cilin janë trajtuar tema në interesit të publikut. Sabedini tha se të dy autorët trajtojnë çështje socio-ekonomike e juridike ku me guxim paraqesin analiza e opinione të cilat nxisin debat në shoqëri.
“Gjeneratat e reja do të kenë mundësi që përmbledhjet e këtyre dy autorëve t`i sistemojnë në një dosje dhe të njihen me të gjitha ato polemika, argumente profesionale që ofrojnë autorët në teorinë e shtetëndërtimit të Kosovës, respektimin e ligjeve dhe sovranitetin shtetëror”, tha ndër tjerash recensenti Musa Sabedini.
Kurse njëri nga autorët, Flamur Hyseni duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për librin tha se ky është një hap tjetër i tij dhe bashkautorit për të vazhduar edhe me rezultate e suksese tjera.
Sipas tij, ky libër përmban tema të llojllojshme të cilat e kanë karakterizuar vendin tonë përgjatë periudhës 2014-2015 e ku trajtimi i temave është bërë në mënyrë profesionale.
Edh autori tjetër Burim Haliti gjithashtu tha se libri është me vlerë sepse ka vlerësime kryekëput profesionale nga të gjitha natyrat e problemeve shoqërore. Sipas tij, libri ndër tjerash shtjellon probleme shoqërore-sociale me tema të karakterit juridik dhe ekonomik.
Ndryshe Libri “Opinione III”, përfshinë punimet dhe analizat e përbashkëta për çështje juridike, politike, financiare dhe sociale, dhe poashtu edhe analizat tona individuale po nga këto fusha.
Shkrimet e publikuara në gazetat ditore, revista javore, mujore dhe agjenci lajmesh e televizione, brenda dhe jashtë Kosovës janë të kodifikuara në një tekst unik duke përfshirë periudhën kohore nga qershor 2014 – qershor 2015. Natyra e analizave profesionale – opinioneve ka të bëjë me trajtimin e proceseve juridike, ekonomike, politike dhe sociale në aspekt profesional dhe analitik.
Derisa botimi i librit është ndihmuar financiarisht nga Instituti për Studime Ligjore dhe Demokratike si dhe Komuna e Gjilanit.
/Edona Jerliu/