Gjilan – (2LONLINE) – “Vjeshta letrare e Gjilanit”, ky manifestim i rëndësishëm kulturor që po mbahet në Gjilan për të katërtën herë me radhë, po vazhdon me rrugëtimin e saj dhe aktivitet i radhës , këtë të shtune, ashtu siç është bërë zakon të thuhet “fiks në dymbëdhjetë”, është bërë promovimi i librit me poezi “Muza jam unë” e autores Alketë Spahiu.
Për librin folën botuesi Ramadan Mehmeti, Nexhat Rexha, Arsim Halili. Sabit Rrustemi e Linditë Ramushi, ndërsa u deklamuan poezi të Alketës nga Diana Toska, nën shoqërimi ne tingujve të kitarës.
Ramadan Mehmeti, shkrimtar dhe editor i Shtëpisë Botuese “Rozafa” tha se Alketë Spahiu është e madhërishme në poezi. Ajo është vetë muza!. Alketë Spahiu, që nga vepra e parë për fëmijë “Kur buzëqesh hëna” e gjer te veprat tjera të saj, siç janë: “Nënë cytjet e tërbimit”, “Syri qan për syrin”, me bukurinë dhe thellësinë e fjalë artistike, e ka dëshmuar vetën se është mjeshtër i vargut të bukur, dhe edhe me librin e saj më të ri, kjo poete po na mahnit për botën e saj krijuese.
Nexhat Rexha, kritik dhe krijues tha se Alketa vargun e saj e ka brumosur me ide dhe protagonistë të ndryshëm nga bota mitologjike greke dhe ajo i sinjalizon lidhjet shekullore, të cilat në një mënyrë a formë tjetër kanë krijuar parafytyrimin e të ndodhurave gjatë shekujve.
“Vëllimi poetik “Muza jam unë”, në tërësinë e saj ka shtrirje të gjerë gjeografike me zgjedhje të preferuar si dhe me figuracionin që krijon përmes këtyre qyteteve botërore, ajo sikur reflekson e kërkon bashkëveprim e koordinim për qytetërimin tonë. Po kështu, figurat e dalluara nga jeta artistike e përbotshme i specifikon jo për njohje, por për të shfaqur praninë e tyre në jetën e kulturës sonë. Me këto karakterisitka dalluese, vepra petike “Muza jam unë” e Alketë Spahiut kërkon një lexim të vëmendshëm, si në parashtrimin e problematikës dhe mesazhit që ajo ia dedikon lexuesit në përgjithësi.
Ndërsa Arsim Halili, kritik dhe krijues nga Bujanoci, tha se poetja Alketë Spahiu, artin letrar nuk e kupton dhe nuk e trajton vetëm si shpërthim emocional të çastit, por tenton dhe pretendon që në rrokaqiellin e artit letrar me themele të sigurta, që pastaj të qëndrojë në vertikale i gjithë itenerari i saj krijues, derisa Linditë Ramushi, poete tha se këtu në poezinë e Alketë Spahiut ka gërshetim vlerash poetike, të cilat janë për ti çmuar dhe adhuruar, për faktin se, pak krijuese, si Alketë Spahiu bëjnë mrekullira të rralla në fushën e artit letrar. Kjo flet për të bukurën dhe ajo nuk mungon. Nuk mungon edhe në veprën e saj që sot po flasim me ëndje e me pietet për krijimet e saja të rralla poetike.
E autorja e librit, Alketë Spahiu tha në fund se, prania e dashamirëve të librit e fjalës së shkruar e nxit dhe i jep kurajo edhe për vepra të tjera letrare. /2lonline/