Prof. Dr. Selim Islami, arkeolog, një figurë emblematike edhe për Gjilanin

Prof. Dr. Selim Islami, arkeolog, një figurë emblematike edhe për Gjilanin

(Një shkrim me shkas)

Shkurtimisht për biografinë e Prof. Dr. Selim Islami

Shkruan: Sherafedin KADRIU

Është lindur në Pandelejmon të rrethit të Sarandës, ku kreu studimet e para. Arsimin e mesëm e kreu në Normalen e Elbasanit, kurse në vitet 1946-1951 mbaroi studimet e larta në Universitetin e Moskës me rezultate të shkëlqyera. Pas kthimit në atdhe emërohet punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë në vijimësi, në Institutin e Arkeologjisë, ku punoi rreth katër dekada, si specialist në fushën e arkeologjisë e të historisë ilire.

Ishte drejtor i Muzeut Arkeologjik, shef i sektorit të arkeologjisë mbi dhjetë vjet, zv.dekan i Fakultetit të Historisë e Filologjisë dhe anëtar i forumeve shkencore.

Veprimtaria e tij shkencore nuk mund të përshkruhet në pakëz radhë, prandaj po konstatojmë vetëm faktin se Prof. Selim Islami, punoi me përkushtim të madh për të vërtetën historike, dhe me përgjegjësi specialisti dhe me objektivitet shkencor u angazhua për zgjidhjen e problemeve më të mëdha arkeologjike e të historisë antike të Shqipërisë dhe tokave shqiptare, që vërejtur nga sot, mund të thuhet se ka mbetur pakëz për të rishkruar e korrigjuar. Prandaj puna e Prof. Selim Islamit dhe kolegëve të tij do të qëndrojë në themel të të gjitha kërkimeve e studimeve të ardhshme të arkeologjisë shqiptare.

(Përshtatur nga Nekrologjia e Prof. Muzafer Korkutit)

Disa nga veprat më të rëndësishme:
1. Ilirët dhe Iliria te autorët antikë : studim shkencor / Selim Islami; Frano Prendi; Hasan Ceka, Skënder Anamali
2. V.1 : Ilirët dhe Iliria te autorët antikë / Frano Prendi, Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali
3. Historia e ilirëve: përmbledhje punimesh / Selim Islami, Mimoza Verzivolli
4. Historia e Shqipërisë / Selim Islami, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Aleks Buda
5. Historia e popullit shqiptar / Selim Islami, Kristo Frashëri, Aleks Buda
6. Ilirët dhe Iliria te autorët antikë / Frano Prendi; Hasan Ceka; Selim Islami, Skënder Anamali, Sotir Papakristo
7. Les Illyriens : aperçu historique / Selim Islami, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti, Frano Prendi
8. L’ Etat Illyrien, sa place et son role dans le monde mediterraneen / Selim Islami
9. Shteti ilir, vendi dhe roli i tij në botën mesdhetare : referat / Selim Islami
10. Historia e popullit shqiptar / Selim Islami, Kristo Frashëri, Aleks Buda
11. Historia e Shqipërisë / Aleks Buda, Selim Islami, Kristo Frashëri
12. L’Epire ancienare (Reflexion sur le probleme ethnique) / Selim Islami
13. Problems of Illyrian History / Selim Islami
14. Epiri antik : vështrim i shkurtër etnologjik, shënime për problemin etnik / Selim Islami
15. Iliria në mijëvjeçarin e I para erës së re [material hartografik] : hartë historike : për shkollat e larta dhe 11 vjeçare / Selim Islami – Hasan Ceka

Pse e konsiderojmë figurë emblematike Prof. Dr. Selim Islamin?

Shkurtimisht le ta përcjellim dëshminë:

Në kuadër të bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, gjatë viteve 80 të shekullit XX, ndërmerren gërmime arkeologjike të përbashkëta midis Sektorit të Arkeologjisë të Institutit të Historisë të Tiranës dhe Muzeut të Kosovës. Stafi i arkeologëve shqiptarë përbëhej nga arkeologët: Prof. S. Islami, Prof. S. Anamali, Prof. M. Korkuti, Dr. Aristotel Koka, ndërsa nga pala jonë merrnin pjesë K. Luci dhe D. Paloka, për konsulent shkencor kishin Prof. Zef Mirdita.

Gjatë kësaj periudhe kohore ishte formësuar mendimi arkeologjik se Rrafshi i Kosovës në epokën e hekurit kishte ndryshime etnike nga Rrafshi i Dukagjinit, një teori kjo, jo vetëm e drejtorit të Muzeut të Kosovës Jovan Glishiq. Mu për këtë, ekipi i Tiranës kishte këmbëngulur për muaj me radhë që të hulumtonte tumat e Llashticës, për të dëshmuar të kundërtën se Rrafshi i Kosovës gjatë epokës së hekurit nuk kishte ndryshime etnike me Rrafshin e Dukagjinit, por njësoj, ishte ilir. Pas këmbënguljes është arritur marrëveshja që të fillohet me gërmimin e Tumave të Llashticës. Ndërsa, Prof. Korkuti e sqaron më mirë këtë ndërmarrje: Për 12 ditë me radhë nuk kishim zbuluar as edhe një varr, po prandaj shqetësimi profesional rritej bashkë me ankthin për të fshehtat që ruan toka kur gërmon arkeologu. Tek ditën e 12 zbulohet një varr që kishte inventar një enë dyvegjake të zbuluar edhe në tumat e Romajës, të Kukësit dhe të kulturës së Matit. Dëshmia e parë bindëse se Tuma 1 e Llashticës i takonte të njëjtës kulturë ilire të Dardanisë.

Janë këta arkeologë që dëshmuan bindshëm për kulturën ilire të Dardanisë edhe në skajet më lindore të Kosovës së sotme.

Sot Llashtica njihet në tërë kulturën arkeologjike ballkanase dhe më gjerë si një nga nekropolet përcaktuese të etnitetit dardano-ilir.

Gjatë vitit 1980 është hulumtuar vetëm një tumë. Njohjet e përftuara i janë bërë të njohura opinionit në librin voluminoz Prahistorija Zemalja Jugoslavije V, Gvozdeno doba, 1987. Por, shënimet origjinale për Tumën I të Llashticës janë botuar vetëm në vitin 2012, në Revistën arkeologjike Iliria, nr. XXXVI. Shënimet janë të Prof. Selim Islmait. Ato nuk e panë dritën për rreth 32 vjet, sepse marrëveshja ishte që publikimin ta bënte Kosova e jo Shqipëria.

Çfarë tjetër kishte konstatuar Prof. Selim Islami?

Ai kishte konstatuar se Tumat e Llashticës i përkasin tipit të tumave të ndërtuara prej dheu me mbulesë gurësh, si dhe me unazë të jashtme prej guri ose pllakash guri. Konstruksioni qendror prej guri, ndryshe i njohur si murana e tumës paraqet nismën e ndërtimit të tumës, ndërsa unaza përcakton kufirin e tumës brenda së cilës është bërë varrimi. Murana pastaj mbulohet me dhé.

Tuma është konsideruar si tumë kenotafe, që i është përkushtuar luftëtarëve të rënë larg vendlindjes. Një dukuri e këtillë është e njohur në shumë nekropole ilire. Prandaj, mbeten të rëndësishme gjetjet arkeologjike të cilat i përkasin prehistorisë. Gjetjet e tilla kanë qenë të vendosura në konstruktin prej guri, por gjithsesi që na është bërë me dije se në Tumën I ka pasur gjetje prehistorike edhe jashtë varreve. Shtresa që ka të bëjë me prehistorinë është e para (e poshtmja), ndërsa shtresa e dytë (e sipërmja) ka të bëjë me mesjetën; për të përfunduar se Tuma I dhe II, kanë nga dy shtresa kulturore, shtresën e prehistorisë dhe atë mesjetare. Shtresa e dytë flet për ripërdorim të tumës prehistorike në mesjetë.

Edhe njëherë: Llashtica është lokaliteti arkeologjik më i rëndësishëm në Kosovë që ka përcaktuar kulturën dardane në skajin më lindor të Kosovës, prandaj duam të besojmë se duke qenë kaq madhor ky veprim shkencor, Prof. Selim Islami del ndër figurat e rralla nga jashtë Gjilanit që kanë bërë kaq shumë për Rajonin tonë, për Kosovën dhe për shqiptarët përgjithësisht.

Do të ishte mirëqë punimi origjinal i Prof. Selim Islamit t’i dorëzohet Muzeut të Gjilanit dhe të qëndrojë në ekspozitën e përhershme, duke u përkthyer edhe në gjuhën angleze. Besojmë se familjarët e Prof. Islamit do të na e mundësojnë pasjen e origjinalit, ndërsa pas rikthimit të materialit arkeologjik të Llashticës që ndodhet në Muzeun e Kosovës, këndi i veçantë të shoqërohet edhe me një foto 1 x 1 m, të Tumës I të Llashticës, fig. 1, të cilën e sjell arkeologu i Kosovës, Kemajl Luci.

Konsiderojmë se pas të gjithave që u thanë (kaq pak, se ka shumë për t’u thënë), ky dijetar meriton titullin Qytetar Nderi i Gjilanit.

Fig. 1. Tuma I e Llashticës, foto 1980.

KOMENTE