(2LONLINE) – Drejtues të Gjykatës Themelore të Gjilanit thanë se po e përmbyllin një vit ku pati suksese në punën e kësaj gjykate, por edhe sfida me të cilat u ballafaquan, derisa thanë po ashtu se i kanë trajtuar me prioritet lëndët që kanë të bëjnë me korrupsion dhe me mashtrime në votim.
Zyhdi Haziri kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan tha se njëri nga objektivat kryesore ishte zvogëlimi i ngarkesës së lëndëve për gjyqtarë duke bërë sa më mirë harmonizimin e gjyqtarëve në ndarjen e lëndëve
Haziri tha se vazhdon të jetë sfidues numri i vogël i gjyqtarëve krahasuar me numrin e madh të lëndëve, duke bërë të ditur se në këtë gjykatë kanë punuar fillimisht 33 gjykatës, por më pas njëri është pensionuar e një tjetër është suspenduar, kështu që për 31 gjykatës vlerësohet të ketë pas ngarkesë me lëndë.
Por, sipas Hazirit, megjithatë gjykata dhe gjyqtarët janë përpjekur që të procedojnë lëndë në kohën e arsyeshme. Po ashtu ka ekzistuar edhe strategjia e këshillit gjyqësor në zvogëlimin e lëndëve të vjetra.
Te rastet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, me mashtrimet në votime janë dhënë rezultate e para ku që të gjithë, edhe prokuroria, edhe policia e gjykata kanë qenë në krye të detyrës së tyre, ka thënë Haziri.
Sipas tij, krahasuar me vitin e kaluar numri i lëndëve që kanë të bëjnë me krimet e rënda ka shënuar rritje, ka po ashtu lëndë të trashëguar por sfidë ka qenë dhe mbetet edhe realizimi i urdhëresave të gjykatës ndonëse në këtë drejtim policia ka qenë mjaftë e përkushtuar por ka qenë numri i madh i këtyre urdhëresave.
Rritja e transparencës mes gjykatës në raport me publikun është një fushë tjetër ku është punuar dhe synohet të punohet edhe më tutje dhe në këtë drejtim kjo Gjykatë tani ka edhe zëdhënësin e saj. Përndryshe, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan Zyhdi Haziri ka thënë se është me rëndësi rritja e numrit të gjyqtarëve për të qenë puna më efikase, pastaj e nevojshme është edhe rritja e numrit të bashkëpunëtorëve profesional në gjykatë, shmangja e regjistrimit të dyfishtë të lëndëve, e nevoja të tjera.
Përndryshe, nëse i referohemi lëndëve të trajtuara dhe të proceduara shihet se krimi në disa vepra ka rënie e në disa të tjera ka ngritje. Trafikimi me qenie njerëzore ka rritje të zbehtë e te vrasjet kemi një baraspeshë krahasuar me vitin e kaluar e që është brengosëse.
Përndryshe, Haziri tha se janë të përkushtuar që në vitin 2014, të shtojnë përkushtimin në punë edhe më shumë për tu arritur rezultate në efikasitetin e kësaj Gjykate. /2lonline/