Gjilan – (2LONLINE) – Është mbajtur tryeza rreth raportit të nxjerrë nga OJQ FIQ , “Pikëpamjet e qytetarëve për çështjet kryesore të sigurisë në Kosovë” për komunën e Gjilanit, e cila është organizuar nga OJQ “Change”.
Në këtë raport u prezantuan disa të gjetura nga një hulumtim i bërë prej Forumit Për Siguri në disa komuna të Kosovës, Gjilan, Prizren, Klinë, Ferizaj etj. Anëtarja e OJQ” Change”, Anda Korqa, shpalosi raportin më në detaje ku edhe është theksuar se qytetarët e qyteteve ku është bërë hulumtimi kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth dukurive negative, dhe çështjes së sigurisë dhe jetesës në atë komunitet. Nga qytetarët është parë një fakt mjaft shqetësues sidomos nga të rinjtë përdorues të narkotikëve, të cilët shihen gjithmonë si rrezik permanent edhe për sigurinë e qytetarëve duke pasur parasysh ndikimin e këtyre substancave narkotike tek organizmi dhe mentaliteti i tyre e domosdoshmërish edhe rreziku që shfaqet prej tyre kur kanë mungesë të këtyre substancave. Shqetësime janë shprehur edhe për punën e policisë më theks të veçantë reagimet e vonuar dhe mungesën e bashkëpunimit me qytetarët.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës , Ismet Hashani, theksoi se raportet e nëntëmujorit të fundit, të nxjerrë nga Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit tregojnë se rastet e përdorimit të narkotikëve dhe kriminalitetit janë në rënie. Ai tha se droga para 14 viteve është përdorur shumë pak dhe në mënyrë shumë të kufizuar, por me ndryshimin e rrethanave kjo dukuri shkoi duke u rritur në përmasa shumë të mëdha, e që edhe sot llogaritet se në nivel botëror janë rreth 200 milion përdorues të narkotikëve të ndryshëm.
Gjithashtu ai shpalosi disa strategji të harmonizuara edhe me institucione tjera që kanë për qëllim luftimin dhe parandalimin e përdorimit të drogave duke theksuar një bashkëpunim me drejtorin e arsimit ku edhe llogaritet se pikërisht përdoruesit më të mëdhenj janë nxënësit të shkollave të mesme.
Sa i përket vjedhjeve ai theksoi se janë një problem mjaft serioz dhe shqetësues për shoqërinë e vendit tone.”Më së shumti sulmohen shtëpitë e pabanuara apo të mërgimtarëve dhe se të gjithë kryesit e këtyre veprave janë të moshës rinore kryesisht 15 deri 20 vjeç, prandaj edhe shumica e tyre nuk mundë të dënohen për shkak të moshës jo madhore. Por me shtimin e policisë permanente nëpër lagje edhe këto fenomene janë në rënie” ka thënë ai.
Zyrtarja nga Drejtoria e Arsimit, Shqipe Kastrati, tha se nuk është i pranishëm përdorimi i drogës brenda ambienteve shkollore, duke theksuar edhe bashkëpunimet e vazhdueshme dhe memorandumet e bashkëpunimit me policin e Kosovës dhe institucione tjera për të kontribuar dhe ofruar trajnime apo këshilla nxënësve në të gjithë komunën e Gjilanit sidomos nxënësve të shkollave të mesme.” Faktorët që qojnë deri tek përdorimi i narkotikëve siç janë; aspektet shëndetësore, psikike, sociale, dhe ekonomike”, tha ajo . Po ashtu ajo përmendi edhe raportin e Labirinthit ku shihet që komuna e Gjilanit ka krijuar më së shumti mekanizma dhe është duke marrë me shumë përkushtim trajtimin e këtyre dukurive.
Avni Rudaku, sociolog, shprehu shqetësimin e tij sa i përket raportit të nxjerrë nga kjo organizate rreth moshës që është marr si mostër e që nuk janë analizuar faktorët e tjerë që qojnë deri tek përdorimi dhe nënshtrimi që u bëhet atyre nga kontrabandues të mëdhenj të drogës dhe mungesa e veprimit të institucioneve për parandalimin e tyre. Ndërtesat e pabanuara shihen si objekte më të përshtatshme për të kryer këto veprimtari dhe identifikimi i tyre nga policia si dhe ndërmarrja e masave ndaj tyre shihet si një qasje mjaft konstruktive që do të duhej të ndodhte duke dhënë kritika rreth punës së policisë në këtë aspekt.
Kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Gjilanit Ylli Isufi ishte mjaft kurioz për këtë raport dhe njëkohësisht shprehu zhgënjimin e tij rreth qeverisjes së nivelit qendror sa i përket hartimit dhe zbatimit të politikave adekuate dhe zhvillimore për të luftuar këto dukuri të dëmshme për shoqërinë tonë. Ai shtoi se këto dukuri negative si përdorimi i drogës e po ashtu edhe siguria dhe aksidentet në komunikacion nuk do të mundë të zvogëlohen pa u kuqyr njerëzit adekuat e profesionist që të mirren me trajtimin e tyre.
Ismajl Fejzullahu, kapiten i trafikut paraqiti disa raporte të fundit ku theksoi se aksidentet në trafik kanë shënuar rënie. Kështu gjatë vitit 2012 ishin regjistruar 15 viktima nga rastet e aksidenteve në rrugë, ndërsa këtë vit deri më tani janë regjistruar 8 viktima. “Aksidentet në komunikacion janë në rënie e sipër ,por janë kompanitë e sigurimeve ato që i fryjnë shifrat sa i përket nr të të lënduarve duke përfituar materialisht prej tyre”,ka thënë ai. Si shkaktar kryesor të aksidenteve në trafik u potencua të jetë infrastruktura e dobët rrugore, mungesa e trotuareve, hapësira e vogël e parkingjeve, ndriçimi rrugor etj.
Ahmet Daku, kryetar I OVL-së- shprehu shqetësimin e tij tek përdoruesit e drogës dhe vjedhjet, ku ai theksoi se si shkaktarët më kryesor që mundë të jenë shkas i këtyre ngjarjeve janë pikërisht moskujdesi prindëror ndaj fëmijëve të tyre, kur dihet që kryesisht nxënësit e shkollave të mesme janë më të involvuarit në këto dukuri, dhe një bashkëpunim i mirë i prindit me nxënësin dhe organet kompetente si profesor, polic, e psikiatër do të ndikonin dukshëm në uljen dhe eliminimin e situatave të tilla.
Xhevat Kastrati, drejtor i shkollës së mesme ekonomike “Marin Barleti” shpalosi të arriturat e tyre sa i përket uljes së përdorimit të substancave narkotike në këtë shkollë fal edhe bashkëpunimit të mirë që kanë me drejtorin e arsimit, duke pranuar organizata të ndryshme për shfaqjen e projekteve vetëdijësuese për nxënës dhe policinë e komunitetit, të cilët janë vazhdimisht të pranishëm në hapësirat shkollore e shpesh edhe brenda oborreve.
Në këtë debat ishte i pranishëm edhe Përfaqësuesi I prokurorisë së qarkut në Gjilan, Agron Uka, i cili paraqiti disa raporte që tregonin se numri i vjedhjeve dhe grabitjeve kohëve të fundit është shumë aktiv, dhe se të gjithë kryesit e veprave janë kapur nga organet e tyre dhe kanë marrë dënimin e merituar, duke përjashtuar fëmijët e moshës jo madhore të cilët janë të liruar nga dënime të rënda.” Kryesisht kryesit e veprave të tilla si vjedhje dhe plaçkitje, janë njerëzit e ndikuar nga droga dhe vet ata e pranojnë se si shkas i kryerjes së këtyre veprave është mungesa e të hollave për të blerë substancat e nevojshme”, tha ai.
Po ashtu ai përmendi edhe raste të konfiskimit të hapësirave të kultivuara me substance narkotike kryesisht kanabis dhe theksoi se kjo dukuri ka filluar të zbatohet se fundmi dhe është në rritje. Ai kërkoi nga mekanizmat adekuat dhe në përputhje me ligjet në fuqi të luftohen intensivisht këto dukuri në mënyrë që të arrihen rezultate të kënaqshme dhe të shtohet siguria dhe perspektiva në vendin tonë. /2lonline/