Sapo kemi hyrë në një vit të ri kalendarik që kurorëzoi përfundimin e një viti të sukesshëm për organizatën tonë politike. Subjektin tonë që lindi 26 vjet më parë në kohëra të shtypjes së regjimit të Millosheviqit.
Ishim subjekt i ri, në një sistem të ri, me një regjim të vjetër. Në njërën anë, një regjim si vazhdimësi të një projekti shfarosës politik dhe në anën tjetër, një parti politike si vazhdimësi të një projekti çlirues politik. Një projekti politik të mishëruar, sipas rrethanave, me atë të Rilindjes sonë Kombëtare, përmes Lidhjes së Prizrenit, Vlorës historike, Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit e të kulmuar së fundi me Adem Jasharin dhe Bardhyl Osmanin. Kjo është edhe historia jonë. Historia e lirisë. Pa të cilën, politika është lojë.
Emrin e kemi udhërrëfim. Partia për Veprim Demokratik. Partia si organizim. Veprimi si aktivizëm. Demokracia si liri. Programin e kemi qëllim. Të drejtat si autonomi. Vullneti si referendum.
Viti 2016 ishte vërtetë viti ynë. Vit i kthimit në pushtet. Në Bujanoc. Në Preshevë. Pra, ne bëmë ndryshimin. Sepse pa ne, nuk do kishte ndryshim. Por duhet ta bëjmë edhe shpëtimin. E ky shpëtim nuk është vetëm pushtet. Është qëllimi jonë politik. Ideali ynë politik. Dhe ekonomik. Se pa politikë, nuk ka as ekonomi. Ka vetëm tugjarë politik, që politikën e përdorin si mjet për pasurimin e tyre privat, në emër të zhvillimit të përgjithshëm.
E nëse kemi ecur gjatë këtyre viteve, kemi ecur falë vetëmohimit, aktivizmit dhe mençurisë politike. Kur i kemi pasur, kemi ecur. Kur i kemi zbehur, kemi ngecur.
Prandaj, ky vit i fitores zgjedhore duhet të shërbejë si frymëzim për mobilizim të mëtejmë. Sepse e reja si shembje e rezistencës dhe e sakrificës politike nuk është ndryshim. Është ndryshim si nënshtrim. Është alternativë e politikës, jo politikë alternative. E kundërta e PVD-së.
Viti që po hyjmë na gjenë me një Beograd që po vazhdon të na shtypë me metodat e tij dhe me një Tiranë dhe një Prishtinë që nuk na mbështesin konkretisht. Me perspektiva të paqarta rajonale.
E nëse kanë ndryshuar rrethanat apo konfiguracioni politik, nuk kanë ndryshuar qëllimet politike. Ato fundja i ka përcaktuar populli i Luginës së Preshevës. Andaj edhe duhet të mobilizohemi edhe më shumë, si dhe të organizohemi edhe më mirë. Për më shumë liri, për më shumë mirëqenie. Më shumë se dje. Më pak se nesër. Rreth PVD dhe me PVD. Tash! Sivjet!
Autori është këshilltar i PVD-së në Kuvendin Komunal të Preshevës
Burimi: Portali Titulli.com