(Rrahim Sadiku: ZGJUAR ME ETJEN, botoi, Shtëpia Botuese ‘BEQIR MUSLIU”, 21 Mars 2014)
(2LONLINE) – Vepra poetike e Rrahim Sadikut, “Zgjuar me etjen”, vjen në kohën standardizimit e të afirmimit konstatues në poezinë shqiptare. Ajo hapëron në këto procese poetike si katarzë e lirimit shpirtëror në të gjitha vargjet e këtij vëllimi. Në këto rrjedha shoqërore, kur njeriu ynë përballet me akte nga më të ndryshmet në përditshmërinë tonë, Rrahimi ka ruajtur në intuitën e tij prej poeti të gjitha vlimet e kohëve, për të saktësuar e specifikuar tendencat në kohën tranzicionale, si dhe për t’i dhënë të gjitha frymëmarrjet sa më reale të kësaj dialektike.
Aktualizimi në shfaqjen e këtyre vargjeve merr dimensionalitetin e dëshiruar, për lexuesin që ka njohje në jetën e njeriut tonë, i cili ka kaluar këto porta të padukshme nëpër thellësitë e ëndrrave tona, për një ditë të pritur, si këto të fillimit të këtij shekulli.
Në këto shtjellime poetike pasqyrohen ide dhe përjetime shumë komplekse, sepse autori tanimë ka shkruar vepra edhe në lloje të ndryshme letrare, por sikur shfletimet e kalendarit të tij nuk kanë mjaftuar në veprat e shkruara gjer më tani. Paradokset e erërave demokratike, autori i ka shfaqur mjaft bukur, në secilin varg të tij, duke i lënë mundësinë lexuesit të arrijë në përjetimet sa më personale, sepse mënyra e dhënies dhe dukjes për të gjitha këto dukuri, të japin mundësinë e përvetësimit të ngjarjeve edhe për veten. Këto refleksione sa japin spastrimin, po aq e ngarkojnë ndërgjegjen e kohëve, e sidomos të kësaj epoke rilindëse për Kosovën. Poezia e këtij vëllimi të afron mundësinë e zgjedhjes për të gjykuar të bukurën, atë të përgjithshmen si mirënjohje e brezave të sakrificës, por njëherësh të jep mundësinë e gjykimit për të hulumtuar e saktësuar ndërgjegjen e një mase të madhe në galerinë e vendit tonë.
Përjetësimi i kohëve nëpër stacionet e ftohta, e të acarta për një shtresë të madhe të njeriut tonë, ka sjellë kohën e vetmisë, ku loti e ëndrra shkriheshin në mashtrimet për një kohë diellore në të gjitha skajet e atdheut, dukej apo tretej njeriu i saj, kështu e ëndërronte mëngjesin e një dite në psikikën e tij një gjeneratë e tërë idealistësh. Këto refleksione, jo vetëm që kanë prekur e lidhur këto kohë në bashkëjetime për të konkretizuar dhembjet e një zezone shumë transparente, nga një diktaturë, që të afronte vetëm etjen e kriposur për të vrarë ndërgjegjen e feniksit. Rrahimi, duke qenë përjetues i këtyre ngjarjeve, në vargjet e tij nuk ngurron të lidhë këto kohë, jo me idealizmin e rinisë, por ai lidh këto kohë e ngjarje me frymën kombëtare, sepse ai e do vendin e tij, ai di ta çmojë njeriun e tij, këtu vargu arrin efektshmërinë, sa artistike, po aq edhe historike e humane. Kur poetët trokasin në ndërgjegjen e pushtetarëve, ata kanë sensibilizuar aktualen dhe asaj i japin jetë e aromë të kënaqshme.
Poezia e këtij vëllimi në lexim të parë të krijon përshtypjes se ato ngjasojnë shumë në afërsinë me njëra-tjetrën, mirëpo kur mbaron librin së lexuari dhe vështron shfaqjet e shpalosura nëpër këto vargje, pastaj krijon idenë dhe performancën krejt ndryshe. Ato të japin lashtësinë për të krijuar pamjen e thellësive të reve dhe ardhjen e shiut në zgjimin, etjen e bimëve natyrore, sikur i thotë vetes dhe lexuesit etja na mori kohën, e mundimet mashtruese ishin fati ynë. Në shumë poezi afërsia dhe thjeshtësia e vargut i mundësojnë lexuesit të ndjejë edhe vetminë, edhe kushtëzimin për jetë a vdekje. Kurse gjykimi vjen për tjetrën kohë sa rebeluese, po aq edhe injoruese për këto ditë, e këto: dhembje, lot, shpresa, në këto faqe të bardha e të zeza, autori ironizon injorancën, që vjen nga njeriu i kësaj dije mashtruese. Në shumë poezi të kësaj problematike i gjejmë këto ngjyrime artistike, e në këtë rast po ndalem te poezia “Endje nëpër botë”.
Disi mbetem nëpër botë
me sytë e mendjes bërë lashtësi e ardhmëri
veten duke vendosur në altarin e flijimit
duke larë mëkate pa qenë mëkatar
gjakësit duke falur
i mashtruar edhe nga shpresa
Fq.19
Kurse në portretin e këtyre ndjenjave hapen dallgët e dashurisë, në disa poezi të Rrahimit, ai vjen me këto fluturime plot mall e dashuri për njerëzit e tokën e tij. Edhe atëherë kur ishte nën trysninë e dhunës, e grilat peshonin rëndë të gjitha pamjet e vendlindjes. Në poezinë “Portreti yt”( shkruar në Burgun e Zrenjaninit, dhjetor 1986), ai mund të shihte tokën e njerëzit e vendit të tij, këto portrete i vizatonte në vetminë e mbyllur, e vetmja mundësi për t’i dhënë shpresë e besë shpirtit, krijonte dashurinë e humanizmin për një kohë të ardhme.
Duhet saktësuar se poezia e Rrahimit krijon transparencën dhe të dikton udhën e shpresës, e të vetëdijesimit përmes vargut, sepse ai trason nëpër rrugët e bardhësisë, duke krijuar mundësinë për një kohë që vjen, e duhet të vijë. Ai jeton me këtë ndjenjë të “Zgjuar me etjen”, mesazhi i së cilës depërton në shtresën e ndërgjegjësimit, të asaj shtrese që i shijon deri në brendësi të zemrës këto tingëllima, me akustikën e lotit e deri në tokë, kur ai e bën vrimën e dukshme para syve të atyre që kanë sy…
Vargjet e këtij vëllimi vijnë si rrjedha e lumit me gurgullimën e të gjitha stinëve. Ato në vete ruajnë kthjelltësinë, zhurmën, heshtjen, si dhe zjarrminë për shuarjen e etjes, që ka kapluar udhëtarin e lodhur, por se ai nuk ndalon drejtimin për arritjen në cakun e pikësynuar.
Rrahim Sadiku në fletët e librit “Zgjuar me etjen”, vjen si kalorës i pabindur në shtegtimet e tij si njeri dhe si krijues i fjalës artistike. Ai në vargun e tij nuk vjen si kërkues i motivit lirik, por vargu i tij parashtron e dikton arsyeshmërinë e konstatimit për të ndodhurat, si dhe për të shënjuar përjetimin e ëndërruar si dëshmi e vlerë artistike.
Në vepër dallojmë sintagmat jo vetëm si shprehje artistike, por ato kanë fuqi e figuracion me kuptim e fuqi realizuese në specifikim për të pasqyruar ditët ëndërrimtare dhe ditët e zhgënjimeve të padëshiruara.
Rrahimi ka prekur e ka parashtruar shumë dukuri shoqërore të realitetit tonë, të cilat janë shfaqje të padëshiruara për autorin dhe për masën e gjerë. Këto prekje nuk janë vetëm raste, por në brendi të vargjeve ato vijnë si shfaqje e dukuri të shëmtuara e të papritura për njeriun e përjetimeve të thella nëpër udhët e ndërtimit të shtetit tonë.
Poezia e këtij vëllimi artikulon etjen për dashuri, kjo dashuri ka pagjumësinë për lirinë e ëndërruar nga brezi në brez, të cilat kanë edhe anën e kundërt të kësaj dashurie. Kjo ndjenjë ka edhe anën tjetër të medaljes, se flijimi për ardhmëri ka zbehur ditët e trishtimit. Në veprën “Zgjuar me etjen”, Rrahim Sadiku të jep mundësinë e njohjes nga afërsia, dhe shpalos pse jeta krijon dilemën, e njëkohësisht ai të jep edhe shpresën në këto lirika me një filozofi të ngjeshur e kuptim të mundshëm.
Krejt poezia e këtij vëllimi krijon mundësinë e depërtimit nëpër portat e hapura në galerinë e atdheut tonë, të cilat shfaqin pamje, sa të dëshiruara, po aq edhe të dhembshme, me mundësi në grishjen e zjarrit të zemrës me dashuri.
Tërësia e mbarështrimit të vargut në vepër ka figuracionin e saktësuar artistik, me gjuhën funksionale e të afërt për lexuesin, si në mesazh edhe në vlerën estetike.
/ Nexhat REXHA /