(2LONLINE) – Duke marrë parasysh se tani po hyjmë në sezonin dimërore, Policia Rajonale me njësitet e Trafikut Rrugor ka ngritur angazhimet dhe prezenca e policisë do të jetë me e madhe në rrugë, rritja e aktivitetit në kontrollimin e komunikacionit dhe të gjendjes së rrugëve e sidomos në periudhat e të reshurave atmosferike.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se nga temperaturat e ulëta gjatë sezonës dimërore vije gjerë te krijimi i shtresave të akullit në rrugë, gjë që vështirësohet qarkullimi rrugor i automjeteve. Vështirësi të tilla vijnë edhe nga rrjedhja e ujit nga autolarje të ndryshme të automjeteve që punojnë skaj rrugëve, rrëshqitje të pa parashikuara të dheut në rrugë nga lagështia, e situata tjera të ngjashme, rrethana të tilla ku vije deri te vështirësitë në qarkullimin rrugor dhe kufizimin e lëvizjes së automjeteve. Këto situata krijojnë kushte optimale në shkaktimin e aksidenteve të komunikacionit.
Hashani tha se plani operativ i cili do të implementohet gjatë tërë zezonës dimërore deri më mars 2014 në fokus do të ketë identifikimin e kundërvajtësve të cilët nuk i respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, drejtimi i automjetit pa pajisje dimërore, mos mbajtja e distancës, tejkalimi i shpejtësisë së lëvizjes, etj. mos respektimi i të cilave kontribuon në pa rregullsi dhe aksidente në komunikacionin rrugor.
“Qëllimi i njësiteve policore të komunikacionit përveç mbikëqyrjes së gjendjes në komunikacionin rrugor, është edhe arritja e vetëdijesimit për drejtuesit e automjeteve për të ngritur sigurinë në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe lokale të rajonit të Gjilanit, që automjetet e tyre ti drejtojnë konform dispozitave ligjore dhe kushteve atmosferike për ti kontribuar në mënyrë preventive në sigurinë e përgjithshme të qarkullimit rrugor. Për të arrit rezultat në këtë drejtim pa dyshim është respektimi i normave ligjore para së gjithash dhe bashkëpunimi me të gjithë faktorët relevantë si me qytetarë, Ministrinë e infrastrukturës,Drejtorinë e rrugëve, Kompanitë e autorizuara për mirëmbajtjen e rrugëve”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, Policia Rajonale dhe njësitet e saj apelojnë të gjithë drejtuesit e mjeteve motorike që të jenë të përgatitur teknikisht gjatë drejtimit të mjeteve të tyre dhe tu përmbahen normave ligjore, në mënyrë që të kemi sa më pak aksidente gjatë sezonit kur rritet rrezikshmëria nga kushtet atmosferike. /2lonline/